8 Marsi nuk është festë, është protestë

8 Marsi nuk është festë, është protestë
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja VETËVENDOSJE!, organizoi tribunën me temën: “Krimet e heshtura të Serbisë gjatë luftës së fundit ”, dedikuar heshtjes kolektive kundrejt viktimave, gra dhe vajza, të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Para pjesëmarrësve të shumtë Afrim Kasolli deputet e aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Studiues i Filozofisë, foli rreth moralit autoritar si e vërtetë e heshtur.

 Ai e nisi fjalën e tij duke lexuar fragmentin e huazuar nga libri “Rrëfimet e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë”:
“Ne, të dhunuarat, edhe kur ecim rrugës e ndjejmë barrën e dhunimit, e shohim atë në sytë e njerëzve, të cilët ndoshta kurrë nuk do t´mund ta imagjinojnë se çfarë kemi përjetuar. Edhe kur njerëzit qeshin pa kujtuar fare se ne ekzistojmë, ne mendojmë se ata qeshin dhe tallen me tragjedinë tonë...
Ne, të dhunuarat, edhe në mesin e të gjallëve ndjehemi te vdekura!”.

Afrim Kasolli akuzoi Qeverinë e Kosovës se me zhvillimin e negociatave të pakusht me Serbinë 
“ka kohë që është duke promovuar lloj lloj idesh bizare dhe absurde si ato që kërkojnë pajtimin historik shqiptaro-serb me arsyetimin naiv gjoja për përmbylljen e konfliktit ndërmjet këtyre dy vendeve. Sido që të jetë në këtë skemë absurde zbulohet karakteri pervers moral i kësaj qeverie. Pra si mund të kërkohet pajtimi me shtetin serb kur ai ende nuk ka kërkuar falje për krimet e shkaktuara në luftën e fundit. A ka lëndim më të madh shtoi Kasolli që mund t’u bëhet këtyre qenieve sesa kur thuhet se “do të falim krimet që janë bërë mbi ju pa kërkuar drejtësi për këto krime dhe pa marrë parasysh vuajtjet tuaja””. 

Në fund të fjalës së tij ai kritikoi qeveritarët se për këtë temë mund të flasin vetëm nën emrin e tyre personal, por një gjë të tillë kurrë nuk mund ta bëjnë edhe nën emrin e vuajtjes së viktimave. 

Më pas aktivistja për të drejtat njerëzore, e cila ndër të tjera ka dokumentuar përdhunimet gjatë luftës si krim kundër njerëzimit dhe armë lufte ndaj grave dhe vajzave në Kosovë, Sevdije Ahmeti, risolli rrjedhën e ngjarjeve gjatë luftës dhe raportimin e tyre.
 
Ndërsa aktivistja nga radhët e shoqërisë civile, Shukrije Gashi, ndër të tjera tha se pas përfundimit të luftës në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare por edhe ne si shoqëri kemi mundur dhe është dashur që të bëjmë më shumë për të kërkuar drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës.
Ajo iu referua konventave dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në bazë të cilave është dashur që më me ngulm të kërkohet dënimi dhunuesve. 

Ndërsa udhëheqësja e Sekretariatit të Gruas aktiviste në kuadër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Nazlie Bala, solli kujtime dhe dëshmi nga puna e saj gjatë intervistimit të grave dhe vajzave të dhunuara nga ushtarë e paramilitarë serb. 

“Ata kishin të veshur uniform jo të rregullt ushtarake, ishin paramilitarë të Sheshelit dhe Arkanit, në krah kishin shenja të beretave te kuqe dhe shqiponjave të bardha dhe me shami te zeza në kokë, fusnin frikë dhe tmerr. Atë natë NATO nuk ndali së bombarduari deri para mëngjesit, në shtëpi ishim ne, gra fëmijë, pleq ndërsa burrat dhe djemtë e ri i kishim lutur që të shpërndahen nëpër lagje për shkak të frikës ndaj vrasjeve të tyre. Britmat e fëmijëve nuk kishin të ndalur nga detonimet dhe granatimet mbasi që NATO kishte ndaluar së bombarduari, e ndjenim se afroheshin në oborrin tonë duke lemëritur si të çmendur. Thyenin çdo gjë për të depërtuar brenda, ishim në tmerr të frikës, na urdhëruan që të mbylleshim në një dhomë të gjithë. Në krah kisha nipin 1vjecar, ma rrëmbyen e hodhën për muri që të pushojë së qari, me tërhoqën zvarrë në katin e dytë, çirreshin në zhveshjen time me thika dhe bajoneta, e tëra e larë në gjak, e kryqëzuar nga 4 s-at e tyre në mesin 12 paramilitarëve.”
, thuhej në njërin nga rrëfimet, të cilat vërtetojnë se dhunimi ndaj grave dhe vajzave ishte mjet dhe metodë e planifikuar nga ana e regjimit serb. 

Bala rrëfimet e grave të dhunuara të shpalosura para pjesëmarrësve të tribunës i quajti vetëm copëza të dëshmive. 

Ajo kërkoi që t’i thërrasim zërit të arsyes e të kërkojmë drejtësi, sepse këtë ua kemi borxh këtyre grave dhe vajzave si shtet, si popull, si shoqëri, si të afërm, e si familjarë.
Në fund u hap debati me të gjithë të pranishmit. 
Diskutuesit përshëndetën organizimin e kësaj tribune si një hap që theu heshtjen për këtë çështje si dhe kërkuan drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. 

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën