Një prej komedive më të dashura të dramaturgut Ferdinand Radi, “8 Persona +”, është rikthyer në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, kësaj here me regji të Andeta Radit.
Premiera u prit me duartrokitje nga publiku, duke sjellë një interpretim të ri, të përshtatur me frymën e kohës, por duke ruajtur thelbin e veprës origjinale.
Regjisorja Andeta Radi u shpreh se sfida ishte të sillte të njëjtin tekst në një formë të re, duke respektuar trashëgiminë artistike të Ferdinand Radit. Sipas saj, komedia mbetet aktuale edhe sot, pasi trajton me humor fenomene të përditshme të shoqërisë.
“Unë e di që nuk i superoj dot kurrë kolosët e artit shqiptar si Rolandi, si Pavlina, si Luftari, por mendoj se trupa e Teatrit të Korçës sot bëri maksimumin dhe publiku na ka pritur shumë mirë. Fakti që është një vepër që është shkruar nga babai im, fakti që duhet të bëja regjinë që e ka bërë babai im, fakti që në skenë luan motra ime, përgjegjësia është maksimale”, tha mes të tjerash Andeta Radi.
Pas 33 vitesh, aktorja Zamira Kita rikthehet në këtë shfaqje me një tjetër personazh, duke e cilësuar rikthimin një homazh për Ferdinand Radin dhe figurat që kanë lënë gjurmë në teatrin shqiptar.
“Kanë kaluar 33 vite kur kjo shfaqje është luajtur me trupën e Teatrit të Korçës dhe kemi pasur të ftuar Roland Trebickën. Unë atëherë kam luajtur rolin e Xhildës, ndërsa sot luaj Kizin. Ne e bëjmë këtë si një homazh për Ferdinand Radin, për të mos i harruar këto personazhe të teatrit”, tha mes të tjerash Kita.
Rozana Radi e cilësoi premierën si një nga emocionet më të mëdha artistike, ndërsa vlerësoi faktin që publiku vazhdon të kujtojë dhe të reagojë ndaj batutave të kësaj komedie, tashmë të sjellë në një interpretim të ri.
“Unë e shijoj si premierën, si provat gjenerale. Publiku e ka marrë me vite këtë komedi. Ne nuk bëjmë dot kurrë atë që ka bërë im atë, por në një frymë tjetër, në frymën e ditëve të sotme dhe shpresoj që të vazhdojë si maratonë. Ka qenë një ndër daljet e mia më të vështira”, tha mes të tjerash Rozana Radi.
Shfaqja “8 Persona +” erdhi në skenë pas më shumë se 3 dekadash dhe do të jetë në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” për tre netë radhazi, për publikun artdashës korçar.
Komente






