Detaje të reja janë zbardhur nga atentati më datë 29 qershor ndaj Brian Syzos në Pogradec prej vëllezërve Nikolla e Edison Agollit. Duket se autorët kanë vepruar me një plan të mirëorganizuar, pasi Brian Syzon e kanë mbatur në monitorim disa ditë para se të organizonin atentatin. Burime për Report Tv bëjnë me dije se dy autorët e dyshuar, Nikolla dhe Edison Agolli kishin vendosur kamera sigurie në afërsi të burgut të Drenovës, ku ndodhet i dënuar vëllai i Brian Syzos, Sindi.

Kamera është pikasur nga autoritetet vetëm 4 ditë më parë, në një nga plepat që ndodhet në rrugën e burgut të sigurisë së lartë. Të njëjtat burime sqarojnë se autorët e kanë përdorur kamerën për të monitoruar takimet e Syzos me të vëllanë dhe për ta sulmuar në momentin që do të shkonte ta takonte, pasi Sindi vuan dënimin për plagosjen me thikë në një berberhane ndaj Nikolla Agollit, në tetor 2025. Pikërisht kjo ngjarje dyshohet të jetë edhe motivi pse Agolli u hakmor ndaj Brian Syzos.

Por, vetëm pasi Syzo u qëllua dhe mori plumba në të dyja këmbët ndërsa ndodhej brenda në makinë në zonën e Fortesave në Pogradec, grupi hetimor ka arritur të zbulojë se kamerat e pikasura 4 ditë më parë ishin vendosur pranë burgut nga dy vëllezërit Agolli. Vetëm njëri prej tyre, Nikolla ka rënë në prangat e policisë, dhe gjatë këqyrjes së 6 celularëve të sekuestruar policia ka arritur të zbulojë se kamera pranë burgut të Drenovës komandohej nga dy vëllezërit. Më pas është bërë edhe identifikimi i tyre përmes kamerave filmike.

Për atentatin janë ende në kërkim Edison Agolli dhe Meardi Berberi. Ndërkohë përveç Nikolla Agollit, në pranga ka rënë edhe shoku i tyre David Prifti. Pas atentatit, 4 të dyshuarit u larguan me shpejtësi drejt Qafë Thanës, ku braktisen makinën, ndërsa ende nuk është gjetur arma e krimit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.