Dy persona janë arrestuar e dy të tjerë janë shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e ndodhur dje në Pogradec ku mbeti i plagosur në këmbë me armë zjarri Brian Syzo.

Pas autorit Nikolla Agolli që u arrestua pak momente pas plagosjes, në pranga ka rënë bashkëpunëtori i tij David Prifti, 30 vjeç, ndërsa 2 të tjerë, një 40-vjeçar dhe një 22-vjeçar janë shpallur në kërkim.

Të katërt janë përpjekur ta vrasin Brian Syzon duke e qëlluar me armë teksa ai ndodhej në automjetin e tij të parkuar në lagjen nr. 3.

Sipas policisë, të katërt janë me precedentë penalë. Gjithashtu janë sekuestruar 3 automjete dhe 6 celularë.

Plumbi i preku këmbën Syzos duke kapur edhe një prej venave kryesore çka i rrezikonte amputimin e gjymtyrës. Ai u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve.

Dyshimet e policisë për motivin është hakmarrja ndaj 35-vjeçarit pasi në tetor 2025, vëllai i tij Adni Syzo, plagosi Nikolla Agollin në një berberhane.

“Pogradec

Zbardhen rrethanat e ngjarjes së djeshme, identifikohen 4 autorët e dyshuar të tentativës për vrasjen me armë zjarri të një 35-vjeçari.

Arrestohen 2 prej tyre, shpallen në kërkim 2 të tjerët (të katërt me precedent penal për krime kundër personit).

Njëri prej autorëve kryesorë u vu në pranga disa minuta pas ngjarjes, pas ndjekjes së pandërprerë nga Policia.

Sekuestrohen 3 automjete dhe 6 aparate celularë.

Në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në lagjen nr. 3, Pogradec, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë, një 35-vjeçar, u identifikuan 4 autorët e dyshuar të ngjarjes, të katërt me precedent penal për krime kundër personit.

2 prej tyre, shtetasit N. A., 24 vjeç, banues në fshatin Buçimas, dhe D. P., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Pogradec, u vunë në pranga, ndërsa 2 të tjerët, shtetasit M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Pogradec, dhe E. A., 22 vjeç, banues në fshatin Buçimas, u shpallën në kërkim.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, për shkak të konflikteve të mëparshme me shtetasin B. S., 35 vjeç, kanë tentuar ta vrasin atë duke e qëlluar me armë zjarri, gjatë kohës që ai ndodhej në automjetin e tij, të parkuar në lagjen nr. 3, Pogradec.

Njëri prej autorëve kryesorë u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe ndjekjes së pandërprerë nga shërbimet e Policisë.

Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 automjete dhe 6 aparate celularë.

35-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"”, njofton policia.

Lajmi në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë