Nga 35 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 8 janë ende aktive, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Për menaxhimin e këtyre vatrave janë angazhuar gjithsej 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të tyre kanë qenë 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Situata më e vështirë është në Gurë-Lurë të Dibrës ku hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e zjarrit drejt banesave. Sot operacioni vijon me forcat në terren me mbështetjen edhe të 2 avionëve Air Tractor dhe 1 autobot uji.

Në Krujë, vijon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Një pjesë e madhe e forcave janë përqendruar në zonën e Dajtit, për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Priskë, Farkë dhe zonat përreth po vijon gjithashtu puna për vendosjen e zjarrit nën kontroll.

Edhe në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, po vijon puna me 20 efektivë të FA-së, po ashtu edhe në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër, për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:38
Kruja ende në flakë, banorët djegin mbeturina

 

Banorët e Krujës duket se e kanë harruar zjarrin e pak ditëve më parë që kërcënoi banesat, vatrat e të cilit vijojnë ende të djegin pjesë të qytetit.

Në lagjen Kasme, banorët kanë djegur mbeturina në qiell të hapur. Policia dhe zjarrfikësja kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.