​Anita Take, largohet zëri që bëri
historinë e këngës shqiptare
Kush ishte Anida Take (Prodani)

​Anita Take, largohet zëri që bëri<br />historinë e këngës shqiptare<br />Kush ishte Anida Take (Prodani)
Përtej dhimbjes së fëmijëve dhe të familjarëve për shuarjen e jetës së Anita Takes, kësaj zonje të këngës shqiptare, emri i saj duket se do të kujtohet përgjithmonë si artistja që bëri historinë me këngë.

Shqipëria s'kishte mbyllur ende plagët e Luftës II Botërore, kur në fillim të viteve 1950, Ajo dhe një brez artistësh të rinj filluan të eksploronin modelet e para të këngëve të reja shqiptare.
Ishte sfidë e vërtetë ajo kohë.
 
Me një trashëgimi të shquar shpirtërore kryesisht në fushën e muzikës popullore, ajo çka klasifikohej si kulturë muzikore urbane e qytetare ishte më së shumti multikulturalizëm stilesh dhe gjinish i sjellë kryesisht nga pushtuesit e pa lidhje me banorin shqiptar të rrënjës.
 
Kësisoj, fati e desh që në këtë çast të plekseshin tingujt e artë e të frymëzuar të këngëve të Agim Prodanit e të disa krijuesve të tjerë me zërin e veçantë të Anita Takes. Me ta nis edhe tradita e madhe e këngës sonë, që pas viteve 1960 u institucionalizua duke themeluar Festivalin e Këngës në Radio, sot në RTSH.
 
Janë me mijëra interpretimet gjatë jetës së saj në publik e me këtë kuptojmë jo thjesht sallat e mbyllura, por kudo ku brezat e shqiptarëve të etur për këngën shqipe jetonin e punonin: në shkolla, në fusha e ara, reparte ushtarake, fabrika e kantiere pune, aty ku gjallonte jeta.
 
Janë të rrallë këngëtarët si Ajo që ta kenë ndjerë pulsin e publikut të shkrirë me ritmet e këngëve që ajo këndonte për ta.
 
Në këtë ditë të mbrame e nderojmë atë si këngëtaren që me zë të gjallë mbushi me jetë shpirtrat tanë.
Ky ishte misioni i përmbushur i Saj!
 
Prandaj sot largohet vetëm fizikisht duke lënë mes nesh zërin që bëri historinë e këngës sonë. Prej sot fillon jeta e saj e dytë

*Nga Vasil Tole Muzikolog dhe sekretar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë)

Redaksia online
d.i./Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre