Pak orë pas mbylljes së protestës së ish-të përndjekurve politikë, që u mbështet nga Partia Demokratike, lideri i opozitës ka akuzuar kreun e qeverisë se ka rrethuar me policë selinë e PD-së.

“Me një akt të pashembullt, Edi Rama ka urdhëruar policinë që të rrethojë selinë e Partisë Demokratike, pas protestës sot pasdite të një grupi të të përndjekurve dhe një grupi mbështetësish të opozitës e qytetarësh, kundër simbolit komunist që po ndërtohet në hyrje të Ministrisë së Brendshme. Dhjetëra policë dhe civilë kanë qëndruar dhe vijojnë të qëndrojnë për orë të tëra rreth e qark dhe para selisë së Partisë Demokratike, duke pritur për të marrë natën, në errësirë, me dhunë, protestues që janë dhe mbështetës të Partisë Demokratike”, tha Basha.

Në deklaratën për shtyp, me tone të larta, kreu i PD-së nënvizoi se, Rama “i ka bërë shumë keq llogaritë”.

“Nuk frikëson dot Edi Rama asnjë demokrat, asnjë qytetar të lirë. Secili nga ne, ish-i përndjekur apo që përndiqet sot nga kjo qeveri, nga ky kryeministër i korruptuar dhe i inkriminuar, është më i fortë, më i palëkundur se skalionet e tij të dhunës.

Basha foli për “grahmat e fundit një regjimi të kalbur, të inkriminuar dhe të korruptuar” duke shtuar se, “Rama mund të urdhërojë policë të rrethojnë godinën e Partisë Demokratike, shtëpinë e madhe të opozitës e qytetarëve, por kurrë nuk do t’ia dalë të shtojë as një orë dhe asnjë ditë të pushtetit të tij, në këtë mënyrë. Përkundrazi po shpejton fundin e tij të pashmangshëm.”

“Po ia bëj të ditur se nuk ka bunker që ta ruajë, ta shpëtojë, nëse prek edhe një fije floku të një demokrati, një qytetari të vetëm që proteston në paqe e me dinjitet, për më të shtrenjtat vlera e liri për të cilat kemi sakrifikuar dhe derdhur gjak”, përfundoi Basha.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)