Kam qenë shumë e vogël, por ama më kanë mbetur në memorien time çaste të paharrueshme të vitit 1990 kur shqiptarët kapërcenin muret e ambasadave mjaft që të braktisnin "një vend të mallkuar" që ua kishte sterrosur jetën... imazhet e asaj kohe që transmetoheshin përmes ekranit të TVSH-së më janë përsëritur shpesh ndër vite dhe i kam kujtuar shqiptarët e paveshur, të pangrënë e të vuajtur të atyre viteve.
 
Mijëra të tjerë u ngritën për ta parë Shqipërinë si e gjithë Evropa. Edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se dy dekada, kur Shqipëria nuk është si e gjithë Evropa por pas derës së jashtme të saj edhe sot shqiptarët duan të ikin "nga sytë këmbët", mjaft t’i largohen skamjes e pamundësisë.
 
Fatkeqësi... një popull që e kërkon të ardhmen në pasiguri, në rrugë pa krye e që duhet të kthehen si qen i rrahur keq, se në fakt kjo nuk është rruga e duhur dhe as "drejtimi i duhur".... shqiptarët po përballen me pamundësi, me sforcon për të mbijetuar, nuk kanë mundësi punësimi e kësisoj fëmijët i vënë prindërit përballë alternativave që duhen gjendur.
 
Para do kohësh e mendoja dhe unë, shumë do mendoni se e them këtë kot për t’iu bashkuar shqetësimit qytetar. Jo, aspak para do kohesh e mendova realisht mundësinë për t’u zhdukur nga ky vend. Të merrja fëmijën tim e t’i jap asaj mundësitë që meriton. Boll më. Jetë me sakrifica, ku shpesh herë të përplaset dera në fytyrë se nuk ndan të njëjtën bindje me ata që mund t’i kritikosh.
 
E kam menduar se ky vend nuk behet, sa kohë që pushtetet e çdo kohë luajnë me fatet e këtij populli, që e trajton si sovran vetëm një ditë në 4 vjet e si lypës katër vite me radhë. E kam menduar se nuk bëhet ky vend sa kohë mundësitë janë të kufizuara për të gjithë, por jo për disa që bëjnë jetë përrallore, e kjo në kurriz të pamundurve.
 
Një mikesha ime e ngushtë (e di ajo për të cilën e kam fjalën) mendoi se kishte ardhur koha të përdorte aftësitë që i kish falë shkollimit të saj, dhe u bë pjesë e "konkurseve" të hapura për një vend pune si mësuese, ndonëse e fitoi konkursin dhe kishte një CV të pasur, pasi përfundoi shkëlqyer dhe doktoraturën, nuk qe e thënë. Me sa duket kjo nuk është hapësira e mundësive për të aftët por e atyre që militojnë politikisht. Raste të tilla ka dhe ka pasur në 25 vjet "demokraci", të qeverisësve në fakt dhe jo të qeverisurve...

Shqipëria është e bukur, një vend i bekuar nga Zoti por për fat të keq përdoret si kafshatë, e atyre që sovrani i një dite i mandaton për t’u marrë shpirtin katër vjet.
Por sot, pavarësisht halleve e problemeve që mund të përballem çdo ditë, nuk e mendoj më azilin. Shumëkush, prind që s’kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët, që skanë motiv për t’u zgjuar në mëngjes e për t’u buzëqeshur atyre që kanë sjellë në jetë. Shumëkush që e ka ditën e parë të shkollës, ditë paniku nga pamundësia, do me thoshte, mos na bej si e mençur: Ti i ke mundësitë, ke dhe një punë, ke një zë dhe dere ku mund të trokasësh.
 
Ndoshta kanë të drejtë, se pamundësia dhe loti i fëmijës të kthen në dëshpërim. Por një gjë di të them, nëse nuk reagoj unë apo ju? Nëse nuk kërkoni aty ku duhet atë që u takon, nëse e braktisim shtëpinë dhe pronën tonë për një jetë të nëpërkëmbur, kujt do ia lëmë Shqipërinë e nesërme?? Fëmija im dhe fëmijët tuaj do na bëjnë nesër përgjegjës për veprimet tona, nuk duhet t’u lëmë të ardhmen në mëshirë të fatit. Gjithmonë duhet të gjenden zgjidhjet dhe mundësitë. Qëndrimi jashtë derës së ftohtë të oborreve të zbrazëta të Evropës e bën edhe më të akullt jetën tuaj.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)