TIRANE-Nuk është e lehtë të shuhet dhimbja në familjen Pepa pas humbjes së vajzës.

16-vjeçarja Blerta Pepa u shua në sallën e reanimacionit të një spitali privat pas operacionit që bëri në gju të cilin e kishte dëmtuar në shkollë gjatë orës së fiskulturës.
Vëllai i saj Landi e ka të pamundur të pranojë humbjen e motrës. Ditën e sotme ai ka publikuar foto kujtime nga e motra dhe mes tyre një fotografi, të Blertës duke u futur duke qeshur në sallën e operacionit.
 
“Foto e fundit qe te boni vllai ty ti ike duke qeshur zemra imee ti me premtove qe do vije prap ... por ti nuk erdhe me na le vetem 😭😭😭 nje dit do takohemi edhe do jemi shum te lumtur atje lart”, shkruan Landi ndërsa ndan këtë fotografi në rrjetin social Facebook.

16-vjeçarja Blerta Pepa humbi jetën orët e para të mëgjesit të djeshëm, pak orë pasi doli nga salla e operacionit ne spitalin Continental. Ajo kaloi një hipertermi malinje pas ndërhyrjes, duke bërë që fati i saj të jetë tragjik, pavarësisht se operacioni konsiderohej i lehtë. 

blerta pepa
(Blerta Pepa duke hyre ne sallen e operacionit)

Policia procedon 3 mjeke
Policia e Tiranës ka nisur një procedim penal për mjekët e spitalit "Continental", pas vdekjes së 16-vjeçares Blerta Pepa një ditë më parë pas operacionit në ligamentet e gjurit. 

Me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm ndaj adoleshentes, janë proceduar mjekët Tefik Zhurda, Jovan Kosta dhe Moeibus Ulf. Ky i fundit ka qenë edhe mjeku kirgurg i cili ka bërë ndërhyrjen. Ndërkohë, i proceduar është edhe mjeku anestezist, Tefik Zhudra, i cili pasi 16-vjeçarja ndërroi jetë tentoi vetëvrasjen, ndërsa më pas pësoi edhe infarkt.

Ekspertiza: Shkak i vdekjes, hipertermia malinje, "Dantrolen"-i u përdor
Ekspertiza mjeko-ligjore ka dalë në përfundimin se shkaku i vdekjes së 16-vjeçares Blerta Pepa ka qenë hipertermia malinje, një komplikacion i shfaqur gjatë operacionit.

Gjithashtu, ekspertiza bën të ditur gjithashtu se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale është përdorur edhe ilaçi "Dantrolen", i pretenduar se ka munguar gjatë operacionit.

Pavarësisht përdorimit të këtij ilaçi, artistja e re nuk ka mundur t'i mbijetojë komplikacionit shëndetësor, duke ndërruar jetë pak orë pas operacionit.

Deklarata e spitalit Continental
Po keshtu ndaj vdekjes se 16-vjecares ka reaguar dhe spitali i Continental ku u be operacioni kirurgjikal.
"Duke marrë shkas nga ngjarja e djeshme e ndodhur në Spitalin Continental, ku një paciente humbi jetën gjatë një interventi kirurgjikal si dhe nga nevoja për të informuar opinionin publik, duke i shprehur së pari ngushëllimet tona më të thella dhe njerëzore familjes Pepa për humbjen e njeriut të saj të dashur, ju informojmë se:
Dje me datë 15.05.2017 rreth orës 24:00 pas një beteje të gjatë me një nga komplikacionet më të rënda, shumë të rralla dhe me vdekshmëri të lartë, humbi jetën në Spitalin Continental pacientja, Blerta Pepa. Ju bëjmë me dije se; bazuar në vlerësimin e ekspertëve tanë të anestezi – reanimacionit të cilët punojnë në Spitalin Continental si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre arritëm në përfundimin se komplikacioni që çoi në humbjen e jetës së pacientes sonë është HIPERTEMIA MALIGNA".

(d.b/Shqiptarja.com)