Ish-kryeprokurorja, ish-zv/ministri dhe ish-anëtarja e KQZ, të kontestuar nga opozita, janë pjesë në Kolegjin e Apelimit, e konsideruar ndryshe si gjykata e Apelit të Vettingut.
Do të jetë kjo strukturë që do të shqyrtojë ankesat e njerëzve të drejtësisë të cilët në shkallën e parë preken nga Vettingu dhe pezullohen ose përjashtohen nga sistemi.
Pjesë e kolegjit do të jenë dhe Ardjan Hajdari, Natasha Mulaj , Luan Daçi dhe Rezarta Schutz.
Kjo e fundit që rezultoi fituese pas shortit me gogla ishte e vetmja kandidate që kapërceu me vota deputetësh nga lista B, e aplikantëve që nuk përmbushnin kriteret, tek lista A e atyre që mund të mund të votoheshin.
I gjithë procesi i votimit u ndoq ‘live’ nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin dhe përfaqësuesit e EURALIUS dhe OPDAT, të cilët e fiksuan momentin dhe me kamerat e tyre.
6 deputetë të kryesuar nga Vasilika Hysi votuan në mënyrë të fshehtë dhe elektronike për të përzgjedhurit e tyre për në Kolegj.
Ata u ndanë në dhoma individuale për efekt konfidencialiteti.
Mimoza Tasi dhe Etleva Paplekaj janë dy anëtaret zëvendësuese të këtij kolegji.
Edhe dita e enjte do të jetë intensive përsa i përket Vettingut pasi do të përzgjidhen 12 anëtarët e komisionit të Vettingut ose thënë ndryshe gjykatës së shkallës së parë në këtë proces.
Me të njëjtën procedurë të fshehtë votimi do të përzgjidhen 2 komisionerët publik ekuivalentë me prokurorë. Do votohen gjithashtu dhe 4 zëvëndësues të tyre.
Lista me 27 anëtarë në të gjitha këto struktura duhet të votohet në kuvend në një seancë të jashtëzakonshme plenare me 84 vota. Në rast se nuk arrihen këto vota procesi i përzgjedhjes rihapet nga e para. Por këtë radhë lista finale duhet të rrëzohet me 93 vota deputetësh.
Votimi i njerëzve të Vettingut ishte pezulluar për shkak të njw defekti administrativ që shkaktoi mungesa e Jorida Tabakut, deputetes së PD-së që u bë nënë vetëm pak ditë më parë.
Ajo do të zëvendësohet në këtë proces nga Helidon Bushati.
Emrat e shtatë anëtarëve të Kolegjit të Apelimit:
Ardjan Hajdari
Natasha Mulaj
Sokol Çomo
Ina Rama
Luan Daçi
Albana Shtylla
Rezarta Schutz - (Rezultoi fituese pas shortit me gogla)
Dy anëtarët zëvendësues në Kolegjin e Apelimit:
Mimoza Tasi
Etleva Paplekaj
(Shtatë anëtarët e Kolegjit të Apelimit të zgjedhur elektronikisht)
VIDEO-Procesi i votimit për përzgjedhjen e 7 anëtarëve të Kolegjit të Apelimit
(Në rreshtin e parë Lu dhe Vlahutin duke monitoruar votimin elektronik)