​Mazhoranca akordon 3 miliardë
lekë për kompanitë energjetike

​Mazhoranca akordon 3 miliardë<br />lekë për kompanitë energjetike
Ka kaluar dje në Komisionin e Ekonomisë Akti Normativ për ndryshimin e buxhetit 2017. Sipas opozitës, problemet që dalin nga ky ndryshim i radhës janë dy: krijimi i borxheve të reja nga ana e shtetit tek private, si dhe kriza energjetike.

Në emër të Partisë Demokratike, deputetja Jorida Tabaku vuri në dukje se “për OSHEE situata është problematike.

Të paktën sipas drejtorit teknik, që ka qenë në detyrë deri pak javë më parë, kompania ka detyrime të papaguara për rreth 100 milionë euro”, deklaroi ajo.

Nga ana e tij, ministri i Financave dhe Ekonomisë deklaroi se fajin për këtë e ka vetëm thatësira që nuk mund të menaxhohet nga ndërmarrjet apo qeveria, por nuk mund të bëhet fjalë për borxhe të prapambetura. 

“Sa i përket OSHEE, në dijeninë time, sot që flasim nuk ka detyrime të prapambetura. Mund të ketë shtyrje pagesash, por jo të prapambetura. Dhe ka një urdhër të ministrit të Energjitikës që detyron kompaninë të ngadalësojë pagesat për shkak të thatësirës”, tha ArbenAhmetaj. 

Kriza energjitike ishte arsyeja kryesore pse qeveria ndryshoi buxhetin e shtetit, duke dhënë 3 miliardë lekë hua për KESH dhe OSHEE që të blejnë energji, pa prekur planet e tyre të investimeve.

Por pavarësisht shpenzimeve më të larta për energjinë, borxhi publik nuk rritet, por do vazhdojë të ulet. “Të ardhurat janë realizuar në 103.2 për qind, ose 7.7 miliardë lekë më shumë se projeksioni. Ndërsa shpenzimet janë realizuar në 98.3 për qind. Por çka është më e rëndësishme, ndonëse në periudhë zgjedhjesh parlamentare, balanca fiskale e qeverisë në korrik është rreth 2.9 miliardë lekë suficit, për herë të parë në 27 vite”, vijoi Ahmetaj.

“Tatimi mbi vlerën e shtuar është një nga taksat që tregon se si ka qenë ecuria e ekonomisë së një vendi. Sipas të dhënave që unë kam, realizimi i mbledhjes së TVSH-së qëndron në nivelin e 8.8% të PBB, ndërkohë që një vit më parë mbledhja e TVSH-së qëndronte në nivelin e 9.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto,”- tha gjatë debatit me ministrin Ahmetaj, Jorida Tabaku.

Tjetër shqetësim që ngriti opozita gjatë diskutimit të Aktit Normativ ishte dhe rënia e Investimeve të Huaja Direkte, ku për gjashtë mujorin llogariten të jetë 7% më pak se e njëta periudhe e një viti më parë. Opozita i kërkoi ministri Ahmetaj se cilët do jenë projektet e tjera që do të ndikojnë në rritjen ekonomike në vitin në vijim, duke qenë se dy projektet madhore infrastrukturore, si TAP dhe Devolli Hidropoëer janë drejt përfundimit.
 
Akti
Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, rialokime brenda zërave te shpenzimeve te buxhetit janë bërë përkatësisht për rritjen e huamarrjes neto nga sektori energjetik dhe kalimin e një fondi në masën 1 miliard lekë si kontigjencë tek projektet e investimeve publike (me financim të brendshëm apo me financim të huaj).

Ndërkohë, në Akt parashikohet shtimi me 1.2 miliardë lekë i Fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, si pasojë e përdorimit të tij për arsye të paparashikuara. Fondi parashikohet të përdoret vetëm për emergjencat natyrore.

Ndërtimi, indeksi i shitjeve u rrit në sektor 34 për qind gjatë vitit në vazhdim
Aktiviteti i ndërtimit në vend po njeh rritje gjatë vitit 2017. Në tremujorin e dytë u regjistrua një rritje e indeksit të shitjeve në volum me 33.9%, krahasuar me tremujorin e dytë të një viti më parë, sipas Institutit të Statistikave.

Ndërkohë, në tremujorin e parë rritja ishte 41.3 për qind. Indeksi tjetër, ai i prodhimit në volum për sektorin e ndërtimit u rrit me 32.9% për prill-qershorin e këtij vit, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016.

Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht u rrit me mbi 10 për qind. Zhvillimi i aktivitetit të ndërtimit është shoqëruar me rritjen e numrit të të punësuarve në këtë sektor me 3.4% në tremujorin e dytë të vitit, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, kurse fondi i pagave u rrit me 12.2%, raporton INSTAT.

Trendi i rikthimit me rritje të ndërtimit u konfimua që në tremujorin e parë të vitit. Për janar-marsin e 2017-s, në rang vendi u dhanë 101 leje ndërtimi dhe vlera totale e investuar i kalon 11 miliardë lekët.

Pjesa më e madhe janë fonde për objekte për qëllime banimi, 8.8 miliardë lekë janë financimet për pallate, vila, etj; ndërsa për qëllime biznesi, hotele, ndërtesa tregtare apo industriale u investuan mbi një miliard lekë.

Financimet për vepra inxhinierike kapën shifrën e 1.2 miliard lekëve për janar-marsin.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS