​Njollosen zgjedhjet në PD,
zhduken listat e votuesve

​Njollosen zgjedhjet në PD,<br />zhduken listat e votuesve
Njolloset procesi zgjedhor në Partinë Demokratike.

U ngujua nëntëdhjetë ditë në çadër për akuzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, alarmoi Perëndimin dhe mori garancitë maksimale, por Lulzim Basha, në partinë e tij, nuk pranon dhe nuk respekton as standardin më minimal:

Vënien e listës së votuese në dispozicion rivalit të tij, në garën për drejtimin e Partisë Demokratike.

Edhe pse ka një perceptim të fortë se do të rizgjidhet në krye të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 Korrikut, ndoshta për shkak të mbështetjes së nëndheshme të Sali Berishës, Lulzim Basha refuzon publikimin e listës së anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet për kryetarin e partisë, duke e veshur procesin zgjedhor me një mjegull dyshimesh.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike nuk publikon as listën e anëtarëve të shtuar, pas një udhëzimi të datës 4 korrik. Po ashtu, komisioni nuk publikon as listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit.

Paradoksi
Teksa na ndajnë edhe katër ditë nga zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike, rivali i Lulzim Bashës, Eduard Selami nuk e di nëse emrin i tij është apo jo në listën e zgjedhësve, për shkak se nuk ka akses në këtë listë.

Leonard Olli, kreu i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, njëherësh anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, thotë se fshehja e listës përbën shkelje të rëndë të barazisë në garë. “Problemi kryesor është mosvënia në dispozicion kandidatit Selami ç’ka përbën shkelje të rëndë të barazisë në garë.

Kjo është e papranueshme si moralisht ashtu dhe nga pikëpamja e rregullave të brendshme. Kjo provon atë që ne kemi deklaruar në vijimësi që kjo është dhe do të mbetet një farsë dhe aspak garë.

Demokratët po detyrohen të votojnë, por jo të zgjedhin. Dhe lista është vetëm një aspekt i kësaj farse, shumë i rëndësishëm, por jo i vetmi”, thotë Olli. Leonard Olli mendon se mospublikimi i listës bëhet me që bëhet me qëllim për të mbajtur nën kontroll procesin zgjedhor. “Arsyeja është shumë e thjeshtë, mbajtja nën kontroll e procesit dhe më pas çdo element tjetër që mund të imagjinohet”, shprehet Olli.

Manovra e parë
Zgjedhjet në Partinë Demokratike kanë hyrë në një terren antiligjor, ndaj si të tilla, në vend se ta bashkojnë, mund do ta ndajnë më tej Partinë Demokratike.

Ky proces, jetik për fatin politik të Lulzim Bashës, i është besuar Jemin Gjanës, ish-ministër i Bujqësisë, pasi u pozicionuar hapur pro linjës së Bashës. Që pas ngritjes së komisionit nën drejtimit të Gjanës, janë ndërmarrë tre akte në raport në listën e zgjedhjeve.

Së pari, në kundërshtim me rregullat e brendshme në PD, Komisioni Elektoral i Partisë Demokratike, ftoi të gjithë anëtarët e larguar të PD që kanë një kartë anëtarësie të cilitdo vit, që nga viti ‘91 e këtej, por që nuk e kanë emrin në regjistrin elektronik të anëtarësisë, të paraqiteshin pranë degëve të PD, për t’u regjistruar, me qëllim për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarin e PD.

Në këtë kuadër, komisioni u krijoi mundësinë të votojnë shumë ish-anëtarëve të PD, të cilët prej disa vitesh militojnë apo janë anëtarësuar në parti të tjera. Së dyti, rivali i Lulzim Bashës, Eduard Selami pretendon se nuk ka asnjë informacion se kush janë këto anëtarë të shtuar, që do të kenë të drejtë të votojnë për kryetarin e PD.

Manovra e dytë
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike vendosi të shtyjë afatin për administrimin e të dhënave për përbërjen e komisioneve të votimit si dhe listat shtesë në regjistrit elektronik të anëtarësisë. Argumenti ishte se dy degë të Partisë Demokratike nuk kishin paraqitur të dhënat pranë komisionit brenda afatit 15 Korrik.

Në këtë kuadër, komisioni vendosi si afat të fundit për përfaqësuesit e kandidatëve datën 16 korrik për të sjellë listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit. Por, teksa afati i dytë ka kaluar, komisioni nuk ka publikuar të dhënat as për përdorim të brendshëm.

Manovra e tretë
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike nuk do të publikojnë listën e anëtarësisë së PD, pra të zgjedhësve që kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e 22 korrikut. Komisioni ‘argumenton’ se lista nuk do të publikohet për shkak se një gjë të tillë nuk e lejon ligji për “Mbrojtjen e të dhënave personale”.

Ky justifikim bie poshtë pasi një standard i tillë nuk zbatohet në zgjedhjet parlamentare si dhe nuk është zbatuar në zgjedhjet e katër viteve më parë në Partinë Demokratike. Ndërkaq, komisioni ka njoftuar se nuk do ta publikojë listën edhe për një arsye tjetër.

“Përveç arsyes ligjore ka dhe një arsye morale. Këto lista nuk mund të vihen në përdorim jashtë Partisë për ta kthyer anëtarësinë tonë në gjueti shtrigash në vendet e punës në administratë dhe jo vetëm”, preton komisioni.
 
Leonard Olli
“Problemi kryesor është mosvënia në dispozicion kandidatit Selami ç’ka përbën shkelje të rëndë të barazisë në garë. Kjo është e papranueshme si moralisht ashtu dhe nga pikëpamja e rregullave të brendshme”.
 
Paradoksi
“Teksa na ndajnë edhe katër ditë nga zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike, rivali i Lulzim Bashës, Eduard Selami nuk e di nëse emrin i tij është apo jo në listën e zgjedhësve, për shkak se nuk ka akses në këtë listë”.

Njoftimi i fundit i komisionit ‘Gjana’
 Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike zhvilloi sot datë 15.07.2017 në orën 12:00 mbledhjen e tij të radhës. Në këtë mbledhje u administruan dokumentacionet zyrtare të Degëve të Partisë Demokratike që kanë të bëjnë me përbërjen e Komisioneve të votimit, vendet e votimit si dhe listat shtesë sipas përcaktimit të bërë në pikën 8/b të Udhëzimit Nr. 1, datë 04.07.2017, për anëtarët që kanë karta anëtarësie të PD-së ndër vite, por për arsye teknike nuk ishin përditësuar në Regjistrit Elektronik të anëtarësisë.
 
Deri në mesditë janë administruar të dhënat e 64 degëve nga gjithsej 68 degë të Partisë Demokratike.
 
Data 15 korrik është afati përfundimtar për administrimin e këtyre të dhënave. Komisioni vendosi si afat të fundit për përfaqësuesit e kandidatëve datën 16 korrik për të sjellë listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit.
 
Komisioni është duke përpunuar të dhënat e listave shtesë të cilat do i bashkëlidhen Regjistrit Elektronik dhe 5 ditë para zgjedhjeve do të merret vendimi për listën përfundimtare të votuesve.
 
Theksojmë se, lista e anëtarësisë është e hapur për përdorim të brendshëm në gjithë degët dhe strukturat lokale të Partisë Demokratike. Ato janë të dhëna personale dhe bazuar në ligjin për “Të dhënat personale” dhe ligjin për “Mbrojtjen e të dhënave personale” nuk mund të publikohen. Përveç arsyes ligjore ka dhe një arsye morale. Këto lista nuk mund të vihen në përdorim jashtë Partisë për ta kthyer anëtarësinë tonë në gjueti shtrigash në vendet e punës në administratë dhe jo vetëm.
 
Komisioni gjithashtu mori në shqyrtim të gjitha përgatitjet logjistike për votimet e 22 korrikut. Tashme janë gati vulat zgjedhore, fletët e votimit, formularët e posaçëm etj. I gjithë procesi po ecën normalisht konform rregullave statutore të PDSH-së.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ I vodhën me dhunë aparatet celulare një turisti, arrestohen 2 autorët

Tiranë/ I vodhën me dhunë aparatet celulare një turisti, arrestohen 2 autorët