​Opozita injoron thirrjet e SHBA
dhe Merkel: S'hyjmë në zgjedhje

​Opozita injoron thirrjet e SHBA<br />dhe Merkel: S'hyjmë në zgjedhje
Koalicioni opozitar ka shpërfillur thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partisë së CDU të kancelares gjermane Angela Merkel për t'i dhënë fund bojkotit.  
 
Përmes një deklarate për mediat, partitë opozitare bëjnë të ditur se nuk do të heqin dorë nga protestat dhe bojkoti i paralajmëruar i zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
 
Koalicioni bën me dije se kanë marrë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ, deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.
 
NJOFTIMI I KOALICIONIT OPOZITAR
"Partitë e koalicionit opozitar duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur me 18 shkurt: se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.
 
Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.
 
Partitë aleate të koalicionit opozitar përshëndesin dhe falenderojnë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët shqiptarë që i janë bashkuar kësaj lëvizje popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bëjnë thirrje për një mobilizim të të gjitha energjive, dhe qëndresë të vendosur, deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme".

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg