"Viktimë e korrupsionit". Ky është titulli i gazetës gjermane "tageszeitung” në artikullin që i ka kushtuar një prokurori shqiptar, që sipas tyre i është rrezikuar jeta dhe ka humbur vendin e punës, pasi luftoi mafien.
 
Sipas gazetës, Arben Jorgaqi prokuror në Vlorë humbi punën si pasojë e hetimeve dhe faktit që kërkoi arrestimin e disa persona të përfshirë në veprimtari kriminale.
 
Prokurori në Vlorë kishte zbuluar manipulimin e disa dosjeve për truallin e tokës në bregdet nga kriminelë të veshur me petkun e biznesmenit dhe kërkesës për arrestimin e tyre mori vërejtje që më pas u pasuan me largim nga puna.
 
 “Arben Jorgaqi ka imazhin e një prokurori të pa korruptuar, por në majin e këtij viti erdhi kthesa. Jorgaqi u pushua nga puna. Me sa duket ai i ishte afruar shumë disa njerëzve të fuqishëm.
 
Në maj të këtij viti ai kërkoi arrestimin e disa personave të rrjetit në fjalë. Por për habinë e tij policia nuk reagoi. Në vend të kësaj ajo mori një qortim. Më vonë ai u zhvendos në Përmet
."
 
Gazeta gjermane raporton mbi përplasjen e prokurorit shqiptar, Arben Jorgaqi me prokurorinë e Vlorës.Lufta me autoritetet përfundoi me "lirimin" e tij nga detyra dhe më vonë me heqjen e mandatit.
 
"As protestat në Tiranë nuk sollën gjë. Prokurori i Përgjithshëm, doli që është një mik i ngushtë i prokurorit në Vlorë.
 
Prokurori i padëshiruar u largua para reformës në drejtësi nga detyra
" shkruan gazeta.
 
Prokurorit i rrezikohet jeta, pasi ai refuzoi që të merrte  300.000 euro si "kompensim" ndërsa tashmë fshihet duke ndërruar vazhdimisht banesën nga frika për vete dhe familjen.
 
"Arbeni u fsheh në Tiranë dhe ndërron rregullisht vendbanimin. Ai ka frikë për jetën, shpresa e vetme është që Gjykata e Apelit në Tiranë të vendosë në favor të tij.
 
Por për shkak të lidhjeve të politikanëve të nivelit të lartë me rrjetin e mafies së ndërtimit, ai është skeptik
" mbyll shkrimin gazeta. 

Denoncimi, dyshime për qëllime azili
Report Tv u interesua për rastin në fjalë edhe pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit.
 
Dhe nga informacionet e marra nga autoritetet shqiptare, mësohet se Arben Jorgaqi nuk ka qenë Prokuror por Oficer i Policisë Gjyqësore.
 
Sipas po të njëjtave burime, të paktën në dosjet e fundit, Jorgaqi ka hetuar vetëm disa raste vjedhjes energjie dhe dosje që nuk kanë pasur lidhje me çështje pronësie.
 
Ende nuk është konfirmuar arsyeja e këtij denoncimi, pasi rasti nuk ka qenë më parë i bërë publik, por ngrihen dyshime se denoncimi tek mediat dhe autoritetet gjermane është bërë për arsyet e përfitimit të azilit politik.

Burime zyrtare nga Prokuroria Vlorë thanë se Arben Jorgaqi është larguar nga detyra, në kuadër të nevojës për riorganizim të brendshëm.

Aktualisht është në proces gjyqësor për largimin nga detyra dhe cështjen e tij administrative mund ta mbroje para gjykatës shqiptare me argumenta ligjore dhe jo nëpërmjet kërkesave të mundshme për azil në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të BE, thanë burime zyrtare në Prokurorinë e Vlorës.


gjermani
Faksimile e lajmit te gazeta gjermane

dy.b/shqiptarja.com