Një zë i këtyre ditëve, i një gruaje të ftuar në parlament, ka tronditur me fjalën e pamjen e saj atmosferën shqiptare. Në kuvend shumë kanë mbetur të turpëruar ndërsa një pjesë e medias shfryn me cinizëm egon tipike e të sëmurë që e përshkon.
 
E ndodhur nën peshën e fjalëve të mirditores, fjalë që mediat tona s'janë në gjendje e të afta t'i përzgjedhin, filluan sharjet. Diskutimi i saj, që tashmë me paturpsi nga një pjesë e politikës dhe medias po përgojohet, nuk qëndron në sjelljen e ideve të reja por në shkëlqimin e syve, në dlirësinë e ballit që shprehte një karakter të bukur. Jo bukuria e pamjes por bukuria e karakterit i jepte, siç i dha,dinjitet fjalës.
 
"Histerizëm" e quajti një gazetë ndjekjen e shpërndarjen e pazakontë në rrjet të diskutimit; ndonjë "dritareje" i vinte për të vjellë nga patetizmi i shfaqur; dikush tjetër e quante teatër. Këta të paturpshëm e të mjerë, nuk vonoi ta bëjnë edhe të kapur nga politika. Patjetër që do dilte dikush nga media dhe do "zbulonte" se kjo kish dështuar si kandidate për deputete e paraqitur nga një parti. Me një fjalë, s'lanë gjë pa gërmuar me synimin për ta përçmuar, për ta ndotur e mbase për ta fyer.
 
O njerëz, mos i besoni njeriut që e quan gjithçka të mirë, mos i besoni as njeriut që e quan gjithçka të keqe, mos i besoni as indiferentit, por besoi kësaj zonje me intuitë morale, me karakter të fuqishëm shqiptar, kësaj bije shqipeje të Prosekut që bën krenar këdo që e dëgjon!
 
Rasti e takoi këtë njeri me publikun, se po të mos kish ardhur në kuvend, ajo, shkollat që ka kryer dhe inteligjenca që i rrezëllin ballit, do i ishin fashitur, siç ndodh kjo me mijëra të rinj pambështetje. E kush do ta ndihmonte këtë bijë fshati në Ministrinë X, ku kish aplikuar në përshtatje me nivelin arsimor? Askush! Vëndet janë “të xanuna” për mediokrit, pjellat e fëmijve të politikanëve, të gjykatësve e prokurorëve, të parallinjve. Konkurimet e meritokracia, e tërci-vërci, janë profka të të dy palëve.
 
I uroj kësaj gruaje guximtare që turbulloi ujërat e ndenjura, që foli jo për interesa të ngushta, por për të vërtetën, mbrojtjen e të dobtit fshatar, të gëzojë mbarësi në punë e familje! Respekt të thellë për Rigertën!
 
Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com