Stuhi në gjithë vendin/ Mijëra banorë pa drita! Anulohen lundrimet Durrës-Bari! Mbyllet spitali i Pukës, uji hyn në pavijone! Dukagjini në izolim (VIDEO)

I gjithë vendi është përfshirë ditën e sotme (22 Nëntor) nga reshje shiu dhe erë të fortë, duke krijuar kështu problematika në shumë qarqe.

Sipas parashikimit të IGJEUM, reshjet do shoqërohen me rrebeshe dhe shtrëngata dhe pritet të largohen vetëm të shtunën në mesditë (nesër, 23 Nëntor), kur pritet edhe një ulje temperaturash.

Mijëra banorë në mbarë vendin, si në Kukës, Tropojë, Lezhë, Gramsh, Librazhd, Fushë-Krujë, Krujë, Shkodër, Bulqizë dhe Pukë, raportohet se janë pa drita për shkak se stuhia ka dëmtuar shtyllat dhe telat elektrikë.

Në Shkodër është shembur edhe rruga në ndërtim e Dukagjinit. Lundrimi i trageteve të linjës Durrës-Bari është pezulluar. Spitali i Pukës pothuajse jashtë funksioni, pret vetëm urgjenca.

Kurse shirat e rrëmbyeshëm përfshinë mbrëmjen e sotme Shkodrën, Vlorën, Fierin, Lushnjën, Elbasanin, teksa uji ka shkaktuar përmbytje të shumta në rrugë dhe qarkullimi bëhet me vështirësi.

Situatë problematike pati edhe në Tiranë, me stuhi dhe shi të rrëmbyeshëm. Madje në një rast u pa një qytetare teksa nxitonte mbrëmjen e sotme të pastronte dhe lëziste kapakun e pusetës në rrugë, që të mos prekej nga përmbytjet pranë rrugës "Myslym Shyri", pranë qendrës.

Prej dy ditësh, qyteti i Pukës ka mbetur pa spital për shkak se era ka shkatërruar çatinë. 4 pavijonet Patologjia, Pediatria, Materniteti dhe Kirurgjia janë jashtë funksionit, ndërsa uji ka depërtuar brenda në spital. Pacientët që ndodheshin në kirurgji u larguan drejt banesave, ku mësohet se do i nënshtrohen mjekimeve ambulatore. Aktualisht në spitalin e Pukës funksionon normalisht vetëm reparti i urgjencës.

Në Durrës njoftohet se për mbrëmjen e sotme është anuluar lundrimi i trageteve Durrës-Bari dhe anasjelltas. Porti i Durrësit njofton se imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve do bëhet sot deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Tragetet "AF Franchesca" dhe "Rigel VII" do të nisin lundrimin mëngjesin e ditës së nesërme, 23 nëntor.

Në Shkodër është shembur rruga në ndërtim e Dukagjinit, për pasojë dhjetëra banorë kanë mbetur të izoluar. Siç shihet në pamje është shkëputur një pjesë e shkëmbit në segmentin Prekal - Kir. Po kështu rrëshqitje gurësh ka dhe në segmentin Kir-Shosh. Rruga e Dukagjinit po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me fond 200 milionë lekësh dhe me përmërsimin e motit pritet ndërhyrja nga firma kontratuese e punimeve.  Rruga Mes-Dukagjin është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve. Edhe këtu po punohet për pastrimin e saj.

Disa zona në vend janë pa energji elektrike, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Berat, Vlorën, Korçën, Gjirokastrën, Kukësin, Shkodrën dhe Burrelin. Punonjësit e OSSH janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji në këto zona.

Mbrëmjen e sotme në zonën e Dibrës, Bypass-i i "Rrugës së Arbrit", ka pasur vërshim të ujërave nga shirat e rrëmbyeshëm dhe rrëshqitje dherash, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.

Në Lezhë era e fortë ka dëmtuar linjat dhe janë pa energji elektrike disa fshatra në zonen e Zadrimës, Ishull-Lezha dhe pjesa e Bregut të Matës. Lundrimi detar për peshkarexhat në Shëngjin vijon të jetë i pezulluar. Në aksin Skuraj-Burrel pati rënie të gurëve, por rruga është pastruar. 

Në Vaun e Dejës kanë mbetur pa energji elektrike këto fshatra: Njad Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak. Në Fushë-Arrëz raportohen shkarje gurësh dhe dherash në rruge rurale. Qarkullimi vijon pa probleme. 

Lundrimi i peshkarexhave është i pezulluar edhe në Vlorë, ndërkohë si pasojë e erërave të forta ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike në zonat Orikum - Dukat - Llogara.

Mungon energjia elektrike në disa fshatra në Kukës, konkretisht në Njësitë Administrative, Shishtavec, Topojan, Zapod, Kolsh Surroj dhe Malzi. Në Bashkinë Has, pa energji janë Njësitë Administrative Golaj, Gjinaj. Në Bashkinë Tropojë, Njësitë Administrative Lekbibaj, Bujan Llugaj, Bytyç Fierzë dhe Tropojë e Vjetër.

Edhe Policia e Shtetit ka dalë sot me një njoftim zyrtar, ku këshillon drejtuesit e mjeteve, por edhe monopatinave e motoçikletave, që të kenë kujdes me shpejtësinë, teksa jep 7 këshilla, përfshi edhe për këmbësorët.

Edhe Ministria e Mbrojtjes reagoi sot në mbrëmje për situatën e kushteve të këqija atmosferike me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe stuhi të forta ere që kanë përfshirë të gjithë vendin.

“Situata drejt normalizimit, lumenjtë dhe kaskada e Drinit nën nivelin kritik! Po punohet për rikthimin e energjisë, nuk ka probleme në zonat e banuara, kurse Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile po monitoron situatën”, theksoi ministria, me një reagim në rrjetin social Facebook.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:26
Moti i keq në aksin Fushë Arrëz-Mirditë/ Vërshimi i ujërave nga mali bllokon qarkullimin në tunelin e Gojanit

 

Situatë problematike paraqitet në segmentin rrugor Fushë Arrëz-Mirditë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. 

Vërshimi i ujërave nga lartësia e malit bllokoi segmentin duke bërë të pamundur qarkullimin në tunelin e Gojanit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se tre mjete fadromë dhe një kamion po punojnë për pastrimin e rrugës dhe vijimin normal të qarkullimit të mjeteve në këtë aks.

Ora 19:56
Moti i keq në Dibër/ Vërshimi i ujërave dhe rrëshqitje dherash në Bypass-in e ‘Rrugës së Arbrit’, qarkullim me vështirësi i mjeteve

 

Probleme edhe në qarkullimin e automjeteve në aksin e Bypass-it të “Rrugës së Arbrit” mbrëmjen e sotme.

Nga pamjet shihet qartë vërshimi i ujërave të rrëmbyeshëm në rrugë dhe lëvizja me shumë vështirësi e automjeteve.

Aksi është i kalueshëm, por apelohet për kujdes tek shoferët. Shkak janë bërë reshjet e rrëmbyeshme, si dhe rrëshqitjet e dherave. Ky segment cilësohet problematik.

Ora 19:26
Moti i keq në Shkodër, prurje masive ujërash në tunelin e Gjegjanit! Policia dhe nënkontraktori në terren me 2 fadroma

Qarku i Shkodrës është ndër më të prekurit nga situata e motit të keq, që përfshiu edhe të gjithë territorin e vendit ditën e sotme.

Aktualisht prurje masive ujërash vijnë nga mali në hyrje të tunelit të Gjegjanit. 

Prurjet kanë shkaktuar gërryerjen e trasesë së rrugës. Policia dhe kontraktori ndodhen në terren për të monitoruar dhe normalizuar situatën në rrugë. 

Dy fadroma po punojnë për rikthimin e normalitetit. Qarku u prek nga shira të rrëmbyeshëm, vërshime ujërash në rrugë, si dhe mungesë të energjisë elektrike.

Ora 19:02
Moti i keq, Ministria e Mbrojtjes: Situata është qetësuar dhe po shkon drejt normalizimit

Moti i keq më reshje të dendura shiu dhe erëra të forta ka përfshirë të gjithë vendin tonë. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale Ministria e Mbrojtjes njofton se situata është qetësuar.

"Pas reshjeve me intensitet të lartë që prekën disa zona të vendit, situata është qetësuar dhe po shkon drejt normalizimit.

Lumenjtë janë nën nivelin kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.

Kaskadat e Drinit janë gjithashtu në nivele normale dhe pa asnjë shqetësim.

Qendrat e banuara nuk kanë pasur probleme serioze për shkak të reshjeve. Në disa raste të izoluara, pemë të rrëzuara nga era e fortë janë larguar nga strukturat operacionale të emergjencave civile në bashki", thuhet në njoftim.

Ndërsa për ndërprerjen e energjisë elektrike në disa vende Ministria e Mbrojtjes shprehet se ekipi i OSSH-së po punojnë për rikthimin e saj.

"Për sa i përket ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë, ekipet e OSSH-së janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike.

Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civil, në bashkëpunim me strukturat e mbrojtjes civile në prefektura dhe bashki", thuhet më tej në njoftim.

Ora 18:51
Moti i keq në Fier/ Disa fshatra pa energji elektrike

Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë edhe qytetin e Fierit pasditen e kësaj të premteje. 

Deri tani nuk raportohen dëme në toka bujqësore apo sera, ndërsa situata vijon të mbetet në monitorim të vazhdueshëm.

Si pasojë e erës së fortë ka pasur probleme me energjinë elektrike në disa zona, si Topojë, Frakull dhe Mbrostar, ndërsa po punohet për rikthimin e saj.

Ndërkohë nuk raportohet për rrugë të bllokuara, apo bllokim të shimbledhësve .

Ora 18:38
Moti i keq, rrethi i Krujës pa drita! 6000 banorë mbeten në terr

1732298553_FFFFFF.jpg

Si pasojë e erërave të forta dhe reshjeve te dendura të shiut i gjithë rrethi i Krujës  është përfshirë në avari ku mbeten mbi 6000 banorë pa drita, i gjithë stafi i OSHEE është në gatishmëri për lokalizimin e defekteve nëpër zona problematike ku një pjesë e mirë e problematikave janë zgjidhur.

Problematike mbetet situata për afro 3000 banorë të qytetit të Krujës, Malësia, Borizanë, Bilaj dhe Luz.

Duhet theksuar dhe një herë që si pasojë e mungesave të punonjësve këto grupe pune të OSHEE janë të detyruar me raste të punojnë 24 orë.

Ora 18:29
Moti i keq në Lushnjë/ Rrugët kryesore në pushtetin e ujit! Ndërprerje e energjisë elektrike në qytet dhe zona rurale (VIDEO)

 

Moti i keq me furtunë dhe reshje të shumta me intensitet të lartë kanë bërë që disa rrugë në qytetin e Lushnjes të jenë nën pushtetin e ujit, raporton gazetari Yrjet Saliasi.

Dhjetëra automjete rrezikojnë defekte të shumta kur kalojnë në disa vende si kryqëzimi i spitalit, bulevardi kryesor dhe disa pika të tjera.

Mjetet duket sikur lundrojnë, kjo situatë është e përsëritur çdo herë që bie shi. Mbrëmja e sotme është shoqëruar dhe me ndërprerje të energjisë elektrike jo vetëm në zonat rurale por edhe në qytetin e Lushnjes.

Ora 18:23
Gruas i duhet të pastrojë vetë pusetën për të shpëtuar nga përmbytja! Shikoni videon tek 'Myslym Shyri' në Tiranë (VIDEO)

 

Moti i keq ka përfshirë sot të gjithë Shqipërinë. Situatë të rënduar nga reshjet dhe stuhitë e erës pati edhe në Tiranë.

Këto janë pamjet e filmuara afër rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet, shumë pranë qendrës.

Një grua teksa përpiqet t’i shpëtojë përmbytjeve nga ujërat që vërshuan në rrugë pas shiut.

Ajo shihet duke pastruar dhe lëvizur vetë kapakun e pusetës së kanalizimeve, me qëllim që të mos bllokohej dhe rrjedha e ujërave të shkarkohej aty, pa prekur zonën ku jeton. Qytetarja dallohet teksa mbledh edhe gjethet e grumbulluara te puseta, që të mos krijohej bllokim.

Kjo faktikisht është një detyrë që duhet ta bëjnë punonjësit e mirëmbajtjes dhe ujësjellës-kanalizimeve të bashkisë.

Ora 18:21
Moti i keq/ Fshatrat e Shkodrës pa energji elektrike

 

Moti i keq me reshje shiu dhe erëra të forta ka krijuar probleme thuajse në të gjitha fshatrat e Bashkisë Shkodër.

Sipas banorëve të zonës mësohet se probleme janë regjistruar nga Njësia Administrative Shalë deri në atë të Anës së Malit.

Aktualisht pa energji elektrike janë fshatrat e Njësive: Shalë, Shol, Pult në zonën e Dukagjinit, të gjithë fshatrat në Njësinë Rrethina. Fshatrat e Njësisë Administrative Bërdicë dhe rreth 70 % e fshatrave në Velipojë dhe e gjithë zona në njësinë administrative Guri i Zi.

Sipas të dhënave pranë OSHEE bëhet me dije se shkak i mungesës së energjisë elektrike ka qënë era e fortë që ka dëmtuar disa linja të furnizimit me energji elektrike në këto zona.

Ora 18:09
Moti i keq/ Era e fortë dhe shiu i dendur ‘pushtojnë’ Elbasanin

 

Ashtu si qytetet e tjera edhe qyteti i Elbasanit është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut edhe erërat e forta.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se disa nga rrugët e qytetit dhe të lagjeve janë pothuajse të mbushura me uji.

Ora 17:39
Moti i Keq/ 7 këshilla për shoferët dhe drejtuesit e monopatinave: Kujdes shpejtësinë, mos bëni parakalime, mbani jelek fosforoshent (VIDEO)

Policia e Shtetit këshillon drejtuesit dhe udhëtarët që të jenë të kujdesshëm për shkak të motit të keq dhe me stuhi.

Këshillohet kujdes maksimal me shpejtësinë, respektim i sinjalistikës dhe dhënia përparësi këmbësorëve, mospërdorimi i telefonit dhe vendosja e rripit të sigurimit.

Gjithashtu moskryerja e parakalimeve të gabuara që mund të sjellin aksidente, teksa këshillohen përdoruesit e monopatinave, motorëve apo biçikletave që të përdorin veshje fosforeshente.

Për çdo problematikë që lidhet me punën e Policisë, telefononi në numrin pa pagesë 112

Këshillat
-Moderoni shpejtësinë, pasi në  disa akse rrugore ka prezencë të  ujit
-Jepini përparësi këmbësorëve dhe respektoni sinjalistikën rrugore
-Mos përdorni telefonin gjatë drejtimit të mjetit dhe vendosni rripin e sigurimit
-Mos kryeni parakalime të gabuara
-Drejtuesit e motomjeteve, biçikletave dhe monopatinave: Të veshin jelek fosforeshent gjatë natës për të shmangur përfshirjen në ngjarje rrugore
-Këmbësorët: Të tregojnë kujdes maksimal kur kalojnë nga njëri kah i rrugës në tjetrin
Ora 17:04
Moti i keq/ Shiu i dendur krijon vështirësi për lëvizjen në autostradën Lezhë-Thumanë

 

Gjatë orëve të pasdites është rritur intensiteti i reshjeve të shiut në të gjithë territorin e Qarkut Lezhë.

Shiu i dendur ka krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve përgjatë autostradës Lezhë-Thumanë.

Gjithashtu është përmbytur rruga kryesore e qytetit të Laçit, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.

Moti i keq vijon të jetë prezent dhe policia u apelon drejtuesëve të mjeteve që të lëvizin me kujdes, për të shmangur aksidentet.

Ora 16:24
VIDEOLAJM/ Erërat dhe stuhitë prishin çatinë e Pallatit të Kulturës në Bulqizë

Moti i keq ka përfshirë vendin ditën e sotme.

Erërat dhe stuhitë kanë shkaktuar edhe dëme materiale në disa qytete të vendit.

Në Bulqizë furtuna ka prishur çatitë e shtëpive. Siç duket nga pamjet e siguruara nga gazetari i Report Tv, Mahir Jangulli është shkatërruar një pjesë e çatisë së Pallatit të Kulturës së Bulqizës.

Ora 15:33
Uji depërton brenda spitalit të Pukës, jashtë funksionit pavijoni i kirurgjisë dhe materniteti! Pacientët dërgohen në banesë

Moti i keq në Pukë përveçse dëmtoi çatinë e spitalit ka bërë që edhe pavijoni i Kirurgjisë të dalë jashtë funksionit.

Reshjet intensive të shiut që bien në katin e tretë kanë deportuar dhe në katin e dytë të spitalit.

Pacientët janë larguar vetë drejt banesave. Aktualisht në spitalin e Pukës është funksional vetëm reparti i urgjencës i cili është ndërtesë në vete. Ndërkohë për të gjithë pacientët që kanë nevojë për një trajtim më të specializuar, në shërbim janë vendosur ambulancat për transportin e tyre drejt spitalit të Lezhës.

Ora 15:21
Moti i keq/ Thyhet pema në bulevardin e Durrësit, nuk ka të lënduar (VIDEO)

 

Një pemë është rrëzuar në zonën e bulevardit të Durrësit, si pasojë e motit të keq.

Raportohet se pema ka rënë mbi tryezat dhe  çadrat e njërit prej lokaleve që ndodhet aty.

Fatmirësisht nuk ka të lënduar vetëm dëme materiale.

Sakaq policia ndodhet në terren për menaxhimin e qakullimit të automjeteve.

Ora 14:41
Moti i keq/ ‘Mbrojtja’: I bllokuar aksi Prekal – Kir dhe Mes-Dukagjin! Pa energji disa zona

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë një përditësim të situatës nga moti i keq në vendin tonë.

Reshjet e shiut, që në disa zona të vendit kanë qenë me intensitet të lartë kanë shkaktuar bllokim të disa akseve rrugore, veçanërisht në qarkun e Shkodrës.

Por, përgjithësisht, situata është pa problematika serioze sa i përket infrastrukturës kombëtare.

- Në aksin Prekal – Kir, strukturat po punojnë për hapjen e rrugës.

-Rruga Mes-Dukagjin është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve. Edhe këtu po punohet për pastrimin e saj.

Si pasojë e motit të keq, disa zona janë pa energji për shkak të defekteve në rrjet. Rajone të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Berat, Vlorën, Korçën, Gjirokastrën, Kukësin, Shkodrën dhe Burrelin, po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Punonjësit e OSSH janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji në këto zona.

Situata po ndiqet me vëmendje nga strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. #AKMC është në kontakt me të gjitha prefekturat dhe bashkitë, për të koordinuar punën në çdo rast nevoje.

Ora 13:40
Moti i keq/ Anulohet për mbrëmjen e sotme lundrimi i trageteve nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas

Si pasojë e kohë së keqe në Adriatkun Jugor, në det të hapur, i shoqëruar me dallgë dhe erë të fortë, autoritetet detare shqiptare në koordinim dhe me ato Italiane, kanë vendosur anulimin e lundrimeve mbrëmjen e sotme nga Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas.

Imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve të tyre do bëhet në orar(pra, deri në orën 22:00 të mbrëmjes së sotme), ndërsa tragetet "AF Franchesca" dhe "Rigel VII" do të nisin lundrimin mëngjesin e ditës së nesërme, dt.23.11.2024.

Trageti “Af MIA”i linjës Durrës-Ankona mbërrin ne oren 19:00 dhe do të niset në orën 22:00, mbrëmjen e sotme.

Për çdo informacion, kontaktoni me agjencitë përkatëse dhe na ndiqni në faqen tonë zyrtare www.durresport.al.

Ora 12:44
Moti i keq përfshin Vlorën, mbetet i pezulluar lundrimi në det! Ndërprerje energjie në disa zona

Është përkeqësuar moti gjatë kësaj të premte edhe në Gjirin e Vlorës. Deti arrinë fuqinë deri në 6 ballë brenda Gjirit të Vlorës dhe 7-8 jashtë.

Për këtë shkak edhe nga era e fortë vijon të mbetet i pezulluar lundrimi në Vlorë. Ndërkohë, rreshjet vijojnë me intesitet mesatar, ndërsa nuk ka pasur probleme në rrugët e qytetit deri në këto momente.

Si pasojë e motit të keq me erëra të forta ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në zonat Orikum - Dukat - Llogara. Që prej mbrëmjes se djeshme grupet e OSHEE janë në terren për rikuperimin e energjisë.

Ora 12:35
Moti i keq/ Disa fshatra pa energji elektrike në Kukës! Fierza në ‘krizë’ për ujë

Moti i keq, me reshje shiu dhe erë të fortë përgjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar një sërë problematikash në qarkun e Kukës. Bëhet me dije se mungon energjia elektrike në disa fshatra të bashkisë Kukës, konkretisht në Njësitë Administrative, Shishtavec, Topojan, Zapod, Kolsh Surroj dhe Malzi.

Në Bashkinë Has, pa energji janë Njësitë Administrative Golaj, Gjinaj. Në bashkinë Tropojë, Njësitë Administrative Lekbibaj, Bujan Llugaj, Bytyç Fierzë dhe Tropojë e Vjetër.

Sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile (KMC)si pasojë e reshjeve të shiut të gjitha akset nacionale rrugore kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve duke krijuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin normal të mjeteve në disa segmente rrugore. Subjektet kontraktore gjatë gjithë kohës kanë vazhduar punën me të gjitha kapacitetet për mbajtjen funksionale të rrugëve që kanë në kontratë.

Sipas KMC-së të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme dhe pa probleme. Nga bashkia Kukës, Has dhe Tropojë, nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente shëndetësore e sociale tek banorët.

Por pavarësisht reshjeve të shiut nuk mund të flasim për përmirësimin e situatës hidrike në liqenin e Fierzës. Ka një shtim të prurjeve në 300 metra kub në sekondë, po pa ndikim në rritjen e nivelit të ujit të ujëmbledhësit më të madh të kasakadës së Drinit. Liqeni i Fierzës, ka një rënie me të paktën 7 metra, krahasuar me mesin e tetorit ku niveli ishte 269 metra ndonëse prurjet ishin minimale 40 metra kub në sekondë. Aktualisht sipas KESH niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 262.35 metra.

Hidrocentrali i Fierzës, nuk kanë në punë asnjë turbine, nga katër gjithsej, për prodhimin e energjisë elektrike. Për të plotësuar nevojat e konsumit në një kohë kur liqeni I Fierzës po shkon drejt zbrazjes së plotë, energjia elektrike po sigurohet nga hidrocentralet e tjera dhe importi i saj.

Situata aktuale me mungesë kaq të theksuar të sasisë se ujit në liqenin e Fierzës nuk është normale për periudhën aktuale në prag dimri, ku përgjithësisht reshjet e shiut janë të kufizuara ndërsa reshjet e dëborës me aq sasi që bien nuk ndikojnë në masë për të përmirësuar apo rritur në kuotat optimale nivelin e ujit në basenin më të madh ujëmbledhës.

Ora 12:30
Moti i keq/ Rrëshqitje gurësh në aksin Skuraj-Burrel (VIDEO)

Reshjet e shiut gjatë natës të së enjtes kanë krijuar probleme në aksin rrugor Skuraj-Burrel pranë fshatit Shkopet.

Në disa pjesë të këtij aksi rrugor u krijuan probleme prej rënies së gurëve nga mali, fatmirësisht pa shkaktuar probleme në mjetet që qarkullojnë në këtë aks.

Punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve në mëngjesin e sotëm, larguan gurët dhe inertet dhe qarkullimi i automjeteve është i lirshëm. Në këtë pjesë të këtij segmenti rrugor shfaqen probleme nga rënia e gurëve prej reshjeve.

Ora 12:28
Moti i keq/ Disa fshatra në Vaun e Dejës pa energji elektrike! Rrëshqitje dherash në rrugët e Fushë-Arrëzit

Për shkak të motit të keq, me reshje shiu e stuhi, disa fshatra në Vaun e Dejës kanë mbetur pa energji elektrike. Bëhet fjalë për këto fshatra: Njad Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak

Ndërkohë, në territorin e bashkisë Fushe Arrëz raportohen shkarje gurësh dhe dherash në rruge rurale. Qarkullimi vijon pa probleme, firmat mirëmbajtëse janë në gatishmëri me mjete dhe punëtorë.

Njoftimi për përditësimin e situatës nga moti në qarkun Shkodër

Në të gjithë territorin gjatë natës kemi patur ere të fortë dhe reshje shiu. Aktualisht vijon erë e fortë dhe reshje shiu me intensitet të mesëm.

* Në bashkinë Shkodër ka reshje me intensitet të mesëm dhe erë të fortë. Nuk raportohen probleme.

* Ne bashkinë Malësi e Madhe vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë të shoqëruar me erë të fortë, aktualisht tani nuk raportohen probleme.

* Nga strukturat MC te Bashkisë Vau Dejës informohemi se ka mungese të energjisë elektrike në të gjitha fshatrat Njad Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak mungon plotësisht energjia elektrike.

* Ne Bashkinë Puke vijon të ketë reshje shiu dhe erë e fortë.

Deri në këto momente nuk raportohen probleme.

* Ne territorin e bashkisë Fushë-Arrëz raportohen shkarje gurësh dhe dherash në rrugë rurale.

* Nga DRV Shkodre informohemi se qarkullimi vijon pa probleme, firmat mirëmbajtëse janë në gatishmëri me mjete dhe punëtorë.

* Nga DrUK Lezhe informohemi se nga reshjet e shiut prej rreth 10mm gjate 24 orëve nuk janë shkaktuar probleme ne infrastrukturën e kullimit.

Ora 09:09
Moti i keq në Lezhë, stuhia dëmton linjat e energjisë elektrike, disa fshatra pa drita! Vijon i pezulluar lundrimi në Shëngjin

Moti i keq me stuhi shiu vijon të jetë prezent në Lezhë, duke krijuar probleme kryesisht me furnizimin me energji elektrike.

Era e fortë ka demtuar linjat në disa zona dhe sipas të dhënave janë pa energji elektrike disa fshatra në zonen e zadrimes, Ishull-Lezha dhe pjesa e Bregut të Matës.

Grupet e punes të Operatorit të Shpërndarjes së Energjise Elektrike ndodhen në terren dhe po punojne për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjise në zonat ku mungon, por reshjet e vazhdueshme të shiut shoqëruar me ere të fortë po vështiresojnë punën në terren.

Ndërkohë edhe lundrimi detar në Shëngjin vijon të jete i pezulluar, pasi dallgëzimi ka arritur deri ne 7-8 ballë me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.00 metra.

Po ashtu ka rritje te nivelit të prurjeve në lumenjt Drin, Mat dhe Gjader por aktualisht nuk përbejnë për dalje nga shtrati.

Situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshem nga Mbrojtja Civile në të tre bashkite e qarkut të Lezhë dhe strukturat ndodhen në gadishmeri për të ndërhyre nëse do të krijohen probleme sa i përket përmbytjeve apo rrëshqitjes së dherave.

SI.E./Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • abc: 22/11/2024 18:41

    PASTRONI.PUSETAT NE TIRANE ,,,O NJEREZ KAFSHE,,,,DHE KANALET NEPER FSHATRA,,,DHE THELLOINI...SHTETI DUHET TE THELLOJE KANALET DHE TE BLEJE HIDROVORE TE RINJ,,,DHE QYTETARET TE. MOS HEDHIN LETRA E SHISHE NE RRUGE SEPSE ATO BLLOKOJNE PUSETAT,,,.SHTETI YNE NUK PUNON PER QYTETARET,,POR PER VJEDHJE. .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?