​Thesaret e bibliotekës
së At Vinçens Malajt

​Thesaret e bibliotekës<br />së At Vinçens Malajt
Në elitën kulturore shqiptare një vend të shquar zë figura poliedrike e Françeskanit shqiptar At Vinçens Malaj.

Në historiografinë shqiptare nuk mund ta anashkalojmë dhe ta mënjanojmë kontributin e vyem që la ky dijetar i madh, si në studimet gjuhësore, historike, bibliografie, folklorostike e letrare, etj.

Át Vinko siç thirrej nga miqt dhe të dashunit e tij hyn në atë plejadë të artë të françeskanëve që përgjatë shekujve i qëndruen besnik popullit shqiptar, duke i lëvruar gjuhën zakonet dhe historinë e tij, duke luftae bashkë me të për gjënë më të shtrejtë: identitetin kulturor dhe pamvarësinë e tij.

Dijetarët që i paraprinë studiuesit Át Malaj janë: Fra Pali prej Hasit deri më tani i njohur edhe si vjershëtari i parë shqiptar që e hasim në veprën e Budit, e më pas kemi Át Françesko Maria Da Lece gramatologun e parë dhe mësuesin e palodhur të shqipes, Át Anton Françesk Santorin arbëresh, Át Françesko Rossin edhe ky professor i katedrës së gjuhës shqipe në Romë që na ka lënë disa vepra në gjuhën shqipe.

Kemi Át Dario Buçiarelli që boton një gramatikë shqipe dhe ka lënë disa studime në dorëshkrim mbi Shqipërinë.

Në rreshtin e tyre hyn edhe  Át Leonardo De Martino da Greci arbëresh, mësues i Át Gjergj Fishtës, i cili na ka dhurue veprën madhore “L’arpa di un italo – albanese”. Me këtë vepër ky dijetar ruajti një vend nderi në letersinë shqipe.

Në shekullin e XX kemi një lulëzim të letërsisë françeskane me Át Gjergj Fishtën në krye, Át Shtjefën Gjeçovi, Át Vinçens Prenushi, Át Pal Dodaj, Át Pashko Bardhi, Át Marin Sirdani, Át Anton Harapi, Át Bernardin Palaj, Át Donat Kurti, Át Ambroz Marlaskaj,
Át Justin Rrota, Át Benedikt Dema, Át Martin Gjoka, Át Gjon Shllaku, Át Bernard Llupi, Át Antonin Fishta, Át Marjan Prelaj, Át Viktor Volaj, Át Paulin Margjokaj, Át Jak (Giacomo) Marlekaj, Át Kol Berishaj, Át Zef Jankaj, Át Leonard Shajaku, Át Daniel Gjeçaj, Át Zef Pllumi, etj.

Të gjithë këta françeskan sëbashku me krijmtarinë e tyre ranë viktima të komunizmit. 

Duke parë këtë trashigimi të madhe të françeskanëve Át Vinçensi nuk qëndroi me duar në bel, mundësisht u ba motivi kryesor në studimet e mëtejshme të shqipes. I gjithë ky numër françeskanësh që me jetën e veprën e tyre shkruan dhe bënë historinë e vendit ku jetuan, i dhanë gjithçka patën Shqipërisë: “për Fe e për Atdhe”.

Krijimtaria e tij ësht mbresëlënëse. Merr pjesë gati në të gjitha të përkohshmet letrare, ku zë vend bashkëpunim i tij me shkrimtarin e madh Ernest Koliqi në revistën e themelur prej tij “Shêjzat”, me Martin Camajn, Zef Valentinin, e të tjerë eksponent të mendimit të lirë në mërgim. Në vitin 1973 mbron doktraturën mbi “Kuvendin e Arbënit” nën drejtimin e Ernest Koliqit me korelator Prof. Giuseppe Schiro, Prof. Giuseppe Graditone, ku mori vlerësimet maksimale për punën e tij.

Pas doktraturës kthehet në Tuz ku vazhdon misionin e tij si meshtar e si studiues, duke grumbulluar libra, dorëshkrime dhe gjëra tradicionale në bibliotekën e tij personale. Pasioni për bibliotekat e bëri At Vinçensin të ishte bibliotekar në Kotorr, dhe në bibliotekën  e pasur të kuvendit të fretënve në Dubrovnik.

Një eksplorim...
Kur hyn në Kuvendin Françeskan të Tuzit të krijohet përshtypja se ke hy në një muze. Të dalin përpara harata të vjetra të shekujve XVII - XVII, piktura të Linë Delisë, si dhe të At Vinçensit, vegla tradizionale me vlerë folklorike të etnosit për shqiptarët e atyshëm.

Një e veçantë e këtij mbledhësi të madh janë edhe ‘guralecët’ të mbledhura në vende të ndryshme, të cilët i ka shndrruar në vepra arti, duke gdhendun në ta personalitete si Át Shjefën Gjeçovi etj. Biblioteka ësht pasion dhe vend  studimi i njerëzve të mençur, të mëdhenj, për të cilët biblioteka thotë gjithçka: ësht krejt jeta e tyre.

Hyjmë në bibliotekën e tij ku gjithçka është ruajtur me pasion nga fretënit që jetojnë aty sukurse e ka lënë vetë Át Vinçens Malaj. Të krijon emocione të papërshkrueshme kur të shkon syri te karrigia, tavolina e tij e studimit dhe disa lupa të paprekura, si në kohën e Át Vinkos. Biblioteka nuk ësht një bibliotekë dosido, por në të ka libra të zgjedhur në fushën e studimeve albanologjike. Si çdo bibliotekë e profilit shkencor në studimet shqiptare, edhe biblioteka e themelur prej bibliofilit Át Vinko është e ndarë në tre sektorë të përgjithshëm: sektori i antikuariatit; sektori i dorëshkrimeve, ose thënë ndryshe arkivi i dorëshkrimeve, të letrave dhe korrespondecës; sektori i botimeve të ndryshme të librave: të vjetër dhe të rinj.  


Sektori i antikuariatit është shumë i pasur me botime të rralla dhe origjinale si për shembull: Historia del Magnanimo e valoroso signor Giorgio Castrioto detto Scanderbego, dignissimo Principe degli Albani, Venetia 1580; Blanchum Franciscum, Dictionarivm latino epiroticum. Romae 1635. Francesco Maria da Lece, Osservazioni grammaticali nella lingua Albanese, Stamperia della Sag. Cong. Di Prop. Fede Roma, 1716.
Këto edhe shumë libra të tjerë gjenden në këtë bibliotek. Dhe jo vetëm kaq. Gjatë shfletimit të librave hasim edhe në veprat origjinale të albanologve më në zë të gjuhës shqipe.
Dorëshkrime dhe korrespodenca

Një vend të rëndësishëm në kujdesin e Át Malajt zënë edhe dorëshkrimet origjinale. Unë pata fatin të shoh dorëshkrime origjinale folkloristike, gjuhësorë të At Bernardin Palajt, At Benedikt Demës, etj. Sjellja në dritë dhe botimi i këtyre dorëshkrimeve do të sjellë kontribut të çmuar për studiuesit në lëmin e albanologjisë.

Ndërmjet studiuesve përveç studimeve të zhvillimit të kulturës dhe të mendësisë së njeriut, ekzistonte edhe një mënyrë tjetër bashkëpunim mes tyre: ajo e korrespondencës. Përmes komunikimit me letra shumë herë hetojmë e kuptojmë personalitetin dhe pikpamjet personale, si dhe shumë të dhana që nuk i gjejmë të shkrueme në libra.

Edhe Át Vinçensi kishte korrespondencë me Ernest Koliqin, Martin Camajn, Zef Valentinin, Át Daniel Gjeçaj, Át Jak Marlekaj e shumë të tjerë. Prandaj zbardhja në letër e kësaj korrespondence do të sjellë një risi më vete për të apasionuarit e librit. Ndërsa largohemi, vetvetiu të shkon mendja te bibliotekat e trashëguara nga Manastiret e Murgjërve Benediktin. Momumente të kulturës botërore.

Pothuajse në të gjitha Manastiret ekzistonin biblioteka dhe aula për transkriptimin dhe kopjimin e dorëshkrimeve që ishin gati të shkatërrura me qëllim ruajtjen si vlera të rralla. Fal tyre sot ne kemi një pjesë të letersisë klasike, të filozofisë antike si dhe të atyre institucioneve që më vonë do të thirren universitete. Edhe biblioteka e Át Vinçensit është vazhduese e asaj logjike dhe atij geni që përmendëm më lart.     

Studimet e panjohura
Në këtë shkrim përshkrues s’po flas për aktivitetin e tij shkencor, pse biblioteka e tij e tregon se çfarë personaliteti ishte Át Vinko.

Dua të sjell para lexuesit disa prej studimeve të tij, si për shembull: studime të ndryshme mbi Gjergj Kastriotin – Skanderbegun: Bibliografi mbi  Skanderbegun; Nji vepër e 1700 mbi Skanderbegun, Vepra “Skanderbeg” e abati Vivaldi, Përfytyrimi i Skanderbegut dhe autenticateti i tij, etj.

Nga ky studiues kemi bibliografi mbi albanologun Zef Valentini si dhe një bibliografi mbi botanistin dhe albanologun Antonio Baldaçi; Kontrubuti i Françeskanve në letersinë shqipe: Kevendi i Arbënit 1703, kontribut i vyer për studiuesit në rrafshin historik, gjuhësor e bibliografik.

Por nga krijmtaria e shumtë e tij janë botuar vetëm tre libra: Kuvendi i Arbënit 1703 Don Gjon Buzuku Ulqin – Tuz 1999; Studime albanologjike, Folklor, bibliografi, histori, 1. Don Gjon Buzuku Ulqin – Tuz 1999; Studime albanologjike, Folklor, bibliografi, histori, 2. Don Gjon Buzuku Ulqin – Tuz 1999. Por ai ka bërë edhe nji Glosar të Kuvnedit të Arbënit që pret dritën e botimit. Dhe përpos këtyre që shënuam ka edhe shumë shkrime të tjera të botuara dhe të pa botuara, që bashkësia françeskane e Tuzit po i përgatit për botim.
 
Shënime biografie, mbi jetën e At Vinçens Malajt
 
Pader Vinçens Malaj lindi me 1 dhjetor të vitit 1928 në fshatin Ljare (Krajë), të komunës së Tivarit. Mësimet e para i mori në vendilindjen e tij, ndërsa shkollën e mesme e filloi në liceun Françeskan në Shkodër ku mbas vendosjes së komunizmit, kuvendit françeskan në Shkodër u mbyll dhe Át Vinkos iu desh ta përfundojë maturën klasike në Split e Pazin në vitin 1951.

Nga viti 1952 – 1954 kryen shërbimin ushtarak në Koprivnicë. Sikurse thoshte Padre Vinçensi aty dërgonin studentë e kleriket “kryeneçë” për me jau shpërla trutë. Prej vitit 1954 – 1058 kreu studimet telogjike në Zagreb. Me 13 tetor 1957 shugurohet meshtar në Dubrovnik.

Prej vitit 1958 – 1960 ushtron meshtarinë e tij në Kotorr, krahas edhe detyrës si bibliotekar i kuvendit. Ndërsa prej vitit 1960 – 1966 At Vinkon e transferojnë në Dubrovnik ku krahas shërbimeve fetare ushtron edhe detyrën e bibliotekarit në bibliotekën e pasur të kuvendit françeskan.

Prej vitit 1966 – 1973 studion literaturë në universitetin shtetnor “La sapienza” në Romë, ku dhe doktoron nën udhëqjen e Ernest Koliqit me tezën “Kuvendi i Arbënit 1703”. Prej vitit 1969 – 1995 merr pjesë në më shumë se dhjetë simpoziume ndërkombëtare me tema të ndryshme albanologjike.

Ka botuar më shumë se tridhjetë studime shkencore në fusha të ndryshme, mbi Gjergj Kastriotin, studime historike, biblioografike, folklorike, etj. Përveç se e donte librin, ai është marrë edhe me arkeologji, pikturë, skulpturë, vizatime, etj.  Kur ende ishte i fortë dhe me shumë projekte në lëmin e albanologjisë papritmas ndorri jetë me 4 shkurt 2000 në Tuz të Malit të Zi.  

dosier

dosier

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

'Pas 5 nëntorit doli madhështia e SHBA-së', Berisha: Ju qëndruat kundër një Amerike tjetër, që bëri grusht shteti ndaj opozitës në funksion të diktatorit

'Pas 5 nëntorit doli madhështia e SHBA-së', Berisha: Ju qëndruat kundër një Amerike tjetër, që bëri grusht shteti ndaj opozitës në funksion të diktatorit