Vetëdorëzohet në polici biznesmeni Sokol Lami i akuzuar si njeriu që ndërtoi skemën e mashtrimit me TVSH duke i vjedhur buxhetit të shtetit pot 9 milionë dollarë. 

Shqiptarja.com mësoi se Lami është dorëzuar në Policinë e Tiranës një ditë më parë i shoqëruar edhe nga avokati mbrojtës. Dy javë më parë Policia e Tiranës, me urdhër të Prokurorisë, vuri në pranga gjashtë biznesmenë, të akuzuar për skemë mashtrim me TVSH, ndërsa 5 të tjerë, përfshirë edhe Sokol Lamin u shpallën në kërkim.

Si funksiononte skema e mashtrimit
Për të përfituar kompensimin e TVSH-së, 11 biznesmenët kanë regjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, pa asnjë lloj aktiviteti, me qëllim tërheqjes e blloqeve Tatimore të TVSH-së, duke lëshuar fatura TVSH-je shitje.

Truri i kësaj skeme ka qenë Sokol Lami, i cili u shpallur në kërkim nga Policia menjëherë pas arrestimit të gjashtë biznesmenëve Dhimitraq Çelo -Shkelqim Hasani -Bujar Murataj -Ruzhdi Murataj -Indrit Sulaj dhe -Nevruz Lami. Më shumë se 50 subjekte kishin krijuar këta 11 biznesmenë vitet e fundit.

Nga dëshmitë e biznesmenëve të arrestuar ka rezultuar se Lami i ka kontaktuar duke i mashtruar se do u gjente punë. Sokol Lami u ka marrë dokumentet e identifikimit dhe i ka çuar para një noteri për të firmosur prokura. Më pas në emrin e tyre ka regjistruar biznese. Disa nga të arrestuarit kanë qenë në punët e tyre, ku njëri prej tyre merrej me shitjen e bananeve në rrugë.

Më pas Sokol Lami plotësonte faturat e TVSH-së ne emër të biznesmenëve, sikur kishin kryer blerje të ndryshme me njëri-tjetrin, por në realitet nuk kishin bërë asnjë shkëmbim tregtar. Më faturat fiktive, ai i dorëzonte te Drejtoria e Tatimeve ku merrnin rimbursimin prej 20% të TVSH-së për ccdo blerje që kishin kryer. 

Biznesmenët e arrestuar:

-Dhimitraq Çelo, 23 vjeç, lindur në Gjirokaster dhe banues në Tiranë

-Shkelqim Hasani , 50 vjeç, lindur në Gramsh banues në Tiranë

-Bujar Murataj , 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

-Ruzhdi Murataj , 60 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

-Indrit Sulaj, 30 vjeç lindur dhe banues në Tiranë

-Nevruz Lami , 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

U vetëdorëzua dje:

Sokol Lami, banues në Tiranë  

Në kërkim janë;

B.Gj

M.M

A.B

E. Sh
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com