Parlamenti synon miratimin apo ndryshimin e të paktën dhjetë projektligjeve, të cilat lidhen kryesisht me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, deklaroi sot kryetari i parlamentit Niko Peleshi në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Sipas tij, në fokus do të jenë ndryshimet në Kodin Penal, ligjet që rregullojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë, statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, konfliktin e interesit, mediat audiovizive, mbrojtjen nga diskriminimi, lobimin, si dhe përshtatjen e ligjit për komisionet hetimore sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në axhendën parlamentare përfshihet gjithashtu edhe një ligj i ri për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, si dhe puna e dy komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe territoriale.
Deklarata e Peleshit në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së
"Projektligjet që lidhen me integrimin do të jenë kryefjala e këtij sesioni. Do të shqyrtojmë ndryshimet e Kodit Penal për përmbushjen e piketave të BE-së, mbrojtjen e territorit, zgjerimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, do të miratohen ndryshime në ligjin për organet e qeverisjes së drejtësisë, dhe rritjen e efektivitetit, transparencës dhe integritetit të sistemit, do të përmirësohet ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të garantuar pavarësinë, paanësinë dhe llogaridhënien. Do të miratohet ligji për konfliktin e interesit me instrumente kontrolli të brendshëm e të jashtëm, do të përshtatet ligji për komisionet hetimore sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, do të ndryshohet ligji për mediat audiovizive, transparencën e pronësisë dhe të drejtën e informimit, do të ndryshohet ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, forcimin e rolit të komisionerit dhe përafrimin me BE, do të miratohet ligji për lobimin, kemi dy komisione të posaçme, ai për reformën zgjedhore dhe territoriale, shpresojmë që puna të ecë me opozitën por këto janë objektiva madhore që nuk duhet të ngecin. Gjatë këtij sesioni do të synojmë të miratojmë projektligjin për organizimin e kuvendit, një ligj i ri, kemi bërë një diskutim parimor po do të përfshijë të gjithë deputetet e parlamentit por ne presim një kontribut nga secili që të kemi një ligj organik për funksionimin e kuvendit. Transparenca do të jetë synim i yni. Kemi disa projekte interesante me impakt të shpejtë, si Media Room i buxhetuar në buxhetin e këtij viti, do të ndërtojmë një njësi të posaçme komunikimi dhe arkivimi i punës parlamentare të indeksuara dhe të përpunuara me inteligjencë artificiale sipas modeleve të parlamenteve të BE. Me ndihmën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Do të jetë e mundur që edhe për deputetët dhe publikun të kenë zonën e tyre ku të marrin në kohë reale të gjithë informacionin", tha Peleshi
Peleshi theksoi se këto ligje konsiderohen objektiva madhore për Kuvendin dhe se synimi është që procesi ligjvënës të ecë përpara me transparencë dhe, sa të jetë e mundur, me bashkëpunim politik të opozitës.
Lajmi kryesor:
‘Siguria ushqimore, e ulët’, Rama: Po përpiqemi të negociojmë me BE plotësimin e kushteve deri në 5 vite pas anëtarësimit! Porosi grupit të PS: Mos falni askënd











