Arafat: Duhet të keni besim tek fjala jonë

(6/5/2001)Palestinezët i bënë thirrje dje, Izraelit që të mos e vërë në dyshim vullnetin e tyre për zbatimin e armëpushimit të urdhëruar nga Jaser Arafat. Por, ndërkohë dy grupet "Hamas" dhe "Xhihad" lajmërojnë se kanë gati forca të tjera atentati për kamikaxe. "Preferohet, që pala izraelite të mos e vërë në dyshim qëndrimin palestinez", i ka deklaruar CNN-it sekretari i qeverisë palestineze, Ahmad Abdelrahman. Izraeli bëri të ditur dje se nuk ka asnjë shenjë të zbatimit të armëpushimit të premtuar nga presidenti palestinez Jaser Arafat. Ky i fundit i ka dhënë premtimet, pas kërcënimit izraelit për ndërmarrjen e reprezaljeve ushtarake si kundërpërgjigje ndaj atentatit vetvrasës palestinez, të premten. "Autoriteti palestinez ka bërë të ditur qëndrimin e tij nëpërmjet kryetarit Arafat dhe ai do ta respektojë fjalën e tij. Por Izraeli akoma dyshon në fjalën tonë dhe e mban akoma bllokimin", kanë thënë palestinezët. Në fakt, ky dyshim ka lidhje me prononcimin e Sharon, dy ditë më parë në mbrëmje lidhur me armëpushimin palestinez: "Unë besoj vetëm tek veprimet dhe jo fjalët. Ato që kanë rëndësi janë veprimet". Izraeli vazhdon të mbajë një bllokadë të ashpër në rajonet palestineze, që prej fillimit të kryengritjes palestineze, tetë muaj më parë, duke ndaluar kalimin e arabëve në Bregun Perëndimorë dhe Rripin e Gazës. "Ne do të japim afate kohore që forcat tona të sigurisë mendojnë se janë të domosdoshme për të siguruar që Arafati të zbatojë përfundimisht ato çfarë ka premtuar," kanë thënë burimet e kryeministrit izraelit Ariel Sharon. Grupi islamik militant "Hamas" mori përsipër përgjegjësinë e dërgimit të kamikazes që hodhi veten në erë përpara një klubi nate në Tel Aviv duke provokuar ultimatumin izraelit për dhënien fund të sulmeve palestineze. Arafat ndërkohë, është duke kontaktuar vazhdimisht me liderë palestinezë, përfshirë ata të grupeve islamike "Hamas" dhe "Xhihad", të cilët deklaruan se kanë në gadishmëri kamikaxe dhe refuzojnë vendosjen e armëpushimit. Presidenti Arafat premtoi të shtunën se do të vinte në zbatim një armëpushim, disa orë pasi një kamikaxe palestinez shkaktoi vdekjen e 20 vetave, shumica e të cilëve adoleshentë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Meteori ndriçon qiellin në Spanjë dhe Portugali (VIDEO)