Brukseli bujar me Ballkanin

(3/31/2000)Donatorët, 600 milionë Euro më shumë Vendet donatore kanë dhënë më shumë fonde se ç'janë kërkuar në Paktin e Stabilitetit. Dje, në konferencën e donatorëve në Bruksel, është konfirmuar se shifra që është ofruar nga vendet donatore shkon në 2.4 miliardë euro për financimet 12-mujore. Ekspertët e Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve kanë kërkuar edhe një javë kohë për të rishpërndarë këto financime, që do të jepen për projektet e paraqitura nga vendet e Ballkanit. Shqipëria në dy fazat e para ka 18 projekte me një shifër totale prej 430 milionë euro. Dje është mbajtur takimi i dytë i ekspertëve të 47 shteteve dhe 36 institucioneve ndërkombëtare. Dy ditë më parë ishte bërë takimi politik i konferencës së donatorëve në Bruksel. Të gjitha projektet e paraqitura nga Shqipëria janë miratuar. Ato janë 7 për fazën e parë 12-mujore, me një financim prej 112 milionë euro si dhe 11 projekte për fazën e dytë, me një financim perj 318 milionë euro, faza e dytë ka projekte 24-mujore. Ndërsa në Tiranë vazhdohet me hartimin e shpejtë të projekteve të tjera afatgjata, si në infrastrukturë, energji, zhvillim të biznesit dhe më gjerë. Deklarata përfundimtare Pas mbledhjes së ekspertëve është mbajtur deklarata përfundimtare, ku thuhet se "angazhimi i institucioneve donatore dhe financiare ishte më i madh sesa parashikohej. Ato ofruan 2.4 miliardë euro duke financuar kështu plotësisht paketën e fillimit të shpejtë prej 1.8 miliardë euro të paraqitura në konferencë, si dhe duke ofruar financime për të filluar përgatitjen e zbatimit të projekteve dhe të iniciativave që do të zbatohen në dy ose tre vjetët e ardhshëm. Kristofer Paten, komisioner për politikën e Jashtme në BE, ka rikujtuar angazhimin e BE për integrimin e vendeve të Evropës Juglindore në rrjedhat evropiane nëpërmjet procesit të stabilizimit dhe asocimit të Bashkimit Evropian. Hombah: Fillim i mirë Koordinatori special i BE për Paktin e Stabilitetit, Bodo Hombah, në përfundim të konferencës tha se "Pakti i Stabilitetit është një partneritet për një zhvillim afatgjatë dhe se Paketa për fillim të shpejtë për projektet dhe iniciativat rajonale të prezantuara në këtë konferencë ishte hapi i parë në drejtim të këtij synimi". Sipas Hombah, përgatitja e projekteve nuk solli vetëm përfitim ekonomik, por dhe rriti bashkëpunimin mes vendeve të rajonit të Evropës Juglindore. "Zbatimi i tyre do t'i nxisë më tej këto marrëdhënie", tha Hombah. Koordinatori i Paktit të Stabilitetit kishte hartuar më parë një listë të projekteve që do të kalonin për financim në dy fazat e para, dhe kishte parashikuar se do të jepeshin 1.3 miliardë euro, pas premtimeve të vendeve donatore shifra shkoi në 1.8 miliardë euro dhe dje përfundimisht është konfirmuar zyrtarisht se do të jepen 2.4 miliardë euro për këto projekte, ku dhe Shqipëria ka për të përfituar me projektet e saj. Çfarë ishte vendosur Një ditë më parë ishte mbajtur konferenca në nivel politik, ku ishin përcaktuar prioritetet si dhe angazhimet për të ardhmen. Ndërsa në fillim u tha se ishin teknikët ata që do të vendosnin në lidhje me projektet, në Bruksel politika luajti një rol të madh, vendet donatore dhanë shumë më tepër financime se parashikimet. Në takimin e parë politik, katër nga projektet e paraqitura nga vendet e Evropës Juglindore u quajtën më prioritaret. Një prej tyrë është Porti i Durrësit, i cili do të përfitojë 130 milionë euro dhe 50 milionë do të jepen që në fazën e parë. Gjithashtu në listën e projekteve prioritare është edhe ura mbi Danub, që lidh Rumaninë me Bullgarinë, rruga Zagreb- Budapest si dhe linjat e lidhjes së energjisë elektrike mes vendeve të rajonit. Po kështu Banka Botërore, në një dokument të shpërndarë, thekson se në kuadër të Paktit të Stabilitetit do të krijohet fondi i ndërmarrjeve ku do të përfitojnë vetëm Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina dhe në të ardhmen do të përfshihet edhe Kosova. Dje ka mbyllur punimet konferenca e donatorëve, ndërsa ekspertët e Bankës Botërore do të vazhdojnë punën për ndarjen e financimeve të dhënë që kapin shifrën 2.4 miliardë euro për fazën.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria humb me Italinë, a ka shanse të kalojë grupin në Euro 2024?



×

Lajmi i fundit

Mendim ndryshe brenda PD-së së non gratës, apo parti e re?! Vula te Berisha ndan edhe më shumë demokratët