Caka, policia sërish në alarm

BERAT (9/15/2001) Samatica ringre alarmin në Policinë e Beratit. Ka qenë ora 17.20 kur dy furgonë të forcave të gatshme të policisë dhe bashkë me to edhe 3 fuoristrada të krerëve të uniformave blu janë nisur me shpejtësi, me sirenat e ndezura, në drejtim të zonës problematike të Kutallisë. Pas kësaj valët e radiove janë bllokuar ose më saktë janë ndërruar me qëllim që të mos dëgjoheshin nga sektorët e tjerë të policisë. Në këtë mënyrë janë marrë të gjitha masat për të zhvilluar një aksion të fshehtë e të befasishëm, pa pasur edhe kësaj radhe frikën e dekonspirimit. Megjithatë kanë qenë përsëri burime të policisë ato që kanë konformuar jozyrtarisht, se po përgatitej goditja e një tjetër baze, në të cilën, sipas informacioneve, ishin strehuar tre personat më të rrezikshëm të Beratit: Lulzim Caka, Klodi Jaupi dhe Dritan Zhuka. Por, edhe kësaj radhe, informacioni ka figuruar të jetë i pavërtetë. Megjithatë i vërtetë ka qenë lajmi se një autoveturë me targa të Lushnjes ka lëvizur disa herë nga Samatica në qytet e anasjelltas. Në këtë autoveturë që lëvizte në mënyrë të dyshimtë, mendohet se kanë lëvizur drejt një baze më të sigurt personat e superkërkuar. Ndërkohë burime të sigurta në radhët e bluve kanë konfirmuar se "kjo autoveturë jo vetëm është gjetur, por edhe është bllokuar në polici". Por gjithë kjo nuk konfirmohet nga burime zyrtare. Madje, sipas Drejtorisë së Policisë së Beratit, gjithë ky aksion ka qenë thjesht një demonstrim për ta mbajtur zonën e Samaticës, 24 kilometra larg Beratit, nën kontroll. Kjo ndërkohë që ka më shumë se 10 ditë që në këtë zonë nuk është parë asnjë polic. Dhe gjithnjë sipas burimeve jozyrtare, gjatë aksionit dhe disa orë më pas janë bllokuar të gjitha hyrje-daljet e rrugëve rurale që të çojnë në Samaticë, si dhe rrugët nacionale që e lidhin atë me Beratin, Fierin dhe Lushnjen. Ndërsa janë mbajtur nën mbikëqyrje dhe janë kontrolluar nga larg disa banesa në lagjet e dyshuara. Policia ka qendruar në zonë rreth 4 orë deri në orën 22.00. Nuk përjashtohet mundësia që edhe ky të ketë qenë një aksion i dështuar, i cili do të jetë i 10-i, nëse është i vërtetë. Sipas zërave, të shumëkërkuarit tashmë strehohen në qytet. Madje vetë burime të policisë, që nuk pranojnë të identifikohen, thonë se "ata kanë nisur t'u vjelin gjoba qytetarëve". Deri tani është mësuar se 30 ditët e fundit u janë marrë gjoba milionëshe dy kambistëve. Pasi u kanë hyrë natën në oborr nën kërcënimin e armëve, njërit i kanë marrë 2 milionë e tjetrit 7, sipas burimeve jozyrtare. Natyrisht që asnjë nga kambistët nuk ka pasur guximin t'i denoncojë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Pagat e mësuesve në institucionet arsimore, sa rriten për secilën kategori