Kulla: Në Elbasan po më çensurojnë

(25/7/2000)Policia e Elbasanit më ka izoluar totalisht, duke mos më lënë asnjë mundësi për të kontaktuar me familjarët e mi apo me avokatin", ka thënë Nehat Kulla dje në gjykatën e Tiranës. I quajturi "gjenerali" nga të gjitha ata që e njohin, Nehat Kulla është paraqitur në seancën e djeshme më një pamje shumë më të ndryshme se zakonisht. As në këtë seancë, gjykata nuk ka qenë në gjendje të hapë procesin Kulla, pasi ka mungur avokati i të pandehurit. Kulla ka pohuar përpara trupit gjykues se nuk ka pasur asnjë mundësi objektive për të njoftuar avokatin e tij, i cili është Dino Leli. Policia ka marrë masa të jashtëzakonshme për të siguruar një seancë të qetë dhe pa probleme, megjithëse deri tani asnjë nga familjarët dhe të afërmit e Kullës nuk ka shkaktuar probleme për procesin. Seanca Për ditën e djeshme ishte planifikuar fillimi i procesit dhe leximi i aktakuzës nga prokurori i Elbasanit. Kryetari i trupit gjykues Ilir Mustafaj ka hapur seancën, por sërish në tavolinën e të pandehurit ka munguar avokati mbrojtës. Gjyqtari në këto kushte ia ka dhënë fjalën të pandehurit, duke i kërkuar dhe arsye për mosparaqitjen e avokatit, i cili mungoi dhe një seancë më parë. Kulla ka thënë se "nuk kam pasur asnjë mundësi për të njoftuar avokatin mbrojtës, pasi ndodhem në kushtet e një çensure ekstreme nga policia e Elbasanit. Nuk janë lejuar të më takojnë as familjarët e mi dhe jo më të kem kontakte me avokatin. Sot jam njoftuar që kanë arrestuar dhe njerëzit e mi. Në këto kushte si mund të njoftoj avokatin të vij në proces", përfundoi Kulla. Arsyeja e të pandehurit është dukur bindëse për gjykatën që e ka shtyrë procesin për një ditë tjetër. Kulla duhej të transferohej në qelitë e burgut 313 të Tiranës deri në përfundim të procesit. Burgu 313 ka bërë gati prej disa javësh qelinë ku do të strehohet Kulla, por, me sa duket, policia e Elbasanit nuk ka pranuar në asnjë mënyrë një transferim të tij drejt Tiranës. Qelitë e Elbasanit njihen tashmë për kushte mjaft të vështira ndaj të burgosurve, duke i izoluar totalisht e duke përdorur në edhe dhunën brutale. Përforcimet Masa të jashtëzakonshme sigurie janë marrë dje për sjelljen e të pandehurit në gjykatë dhe për garantimin e zhvillimit normal të seancës. Gjykata e faktit Tiranë ka bllokuar të gjitha proceset e tjera dhe toga e shoqërimit së bashku me trupat e FNSH-ve të atashuara pranë gjykatës, janë marrë vetëm me përforcimin e masa të sigurisë. Për udhëtimin e Nehatit nga Elbasani janë kujdesur trupat e Kosenit, të cilat e kanë sjellë në Tiranë dhe e kanë rikthyer në qeli me një eskortë të përforcuar. Seanca ka zgjatur vetëm 15 minuta dhe më pas policia ka liruar hyrjen e lirë për qytetarët.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Turizmi dhe tregtia rritën besimin në ekonomi gjatë prillit! BSH: Sektori i ndërtimit raporton për rënie të porosive