Kush janë organizatat terroriste në botë

(20/1/2001)Përse u krijuan grupet e vdekjes dhe në emër të kujt ata e bëjnë luftën e tyre "të shentë" Disa ditë më parë, Departamenti i Shtetit amerikan dha alarmin për një rrezik të mundshëm të ambasadave amerikane në të gjithë botën, nga ndonjë sulm terrorist. Alarmi u dha në ditën që nisi në SHBA procesi ndaj atentatorëve të ambasadave amerikane në Afrikë, ku vdiqën me qindra njerëz. Alarmi u dha nga DIA (Defence Inteligence Agency), pra nga zbulimi ushtarak amerikan dhe nga zbulimi civil, CIA. Një nga pjesët më të "rrezikshme" ishte pikërisht rajoni i Ballkanit, ku thuhet se terrorizmi islamik gjen shumë mbështetje. Biles, për herë të parë, u arrit që të mbyllej totalisht edhe një ndër ambasadat më të rëndësishme amerikane në Evropë, ajo e Romës (Itali). E njëjta gjë u bë edhe me selitë e tjera diplomatike amerikane në rajon. Të nisur nga këto ngjarje, do të duhet më mirë të hedhim sërish dritë se ç'është terrorizmi, sa organizata ka të tilla në Botë, cilat janë ato më të rrezikshmet, si dhe qëllimet e luftës së tyre! Terrorizmi ose lufta ekstreme Fjala "terrorizëm" ka një moshë tepër të vjetër, aq të vjetër sa dhe luftërat që ka bërë njeriu. Terrorizmi është përdorur në dy raste, në rastet kur njëra palë fituese ka vërshuar te pjesa civile e humbësve dhe ka djegur e shkatërruar gjithçka dhe rasti tjetër kur pjesa humbëse, si rrugë të vazhdimit të luftës së saj, ka ndjekur rrugën e terrorit ndaj autoriteteve dhe ndaj pjesës civile të "armikut". Koncepti i terrorizmit nuk është ende i përcaktuar qartë në botën moderne, por një gjë është tashmë e sigurt: organizatat terroriste janë më të rrezikshme se ato mafioze, pasi organizatat terroriste bazohen në ideale, edhe pse për arritjen e këtyre të fundit, zgjedhin rrugët më ekstreme. Jo rastësisht, sot terrorizmi më i rrezikshëm në botë është ai islamik, i cili si mënyrë të luftës së vet zgjedh vetëflijimin. Kjo mënyrë, të cilën në kohët e lashta e kanë përdorur për herë të parë japonezët, është edhe më efikasja, pasi personat në fjalë janë pajtuar me vdekjen. Por, nuk është vetëm ky lloj terrorizmi që ka njohur shoqëria njerëzore. Ka disa lloje terrorizmi, për më tepër duke u nisur nga fakti që terroristët kanë bindje ideore. Pra, bota ka njohur terrorizëm komunist, fashist, fetar, nacionalist etj. Por, sa organizata terroriste ka në të gjithë Botën? Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të saktë, por mund të shohim cilat janë më të rrezikshmet. Nga Afganistani në Greqi Terrorizmi është i shpërndarë në të gjithë botën, për këtë është edhe më interesant. Duke mos dashur të zgjatemi, le t'i marrim me radhë këto organizata terroriste: Al-Qa'ida në Afganistan. Eshtë organizata terroriste që udhëhiqet nga terroristi më i rrezikshëm i botës, multimiliarderi saudit Osama Bin Laden. Kjo organizatë është formuar në vitin 1979 dhe ka vepruar gjatë luftës afganistano-ruse. Në atë kohë, KGB-ja akuzonte CIA-n, si financuese të saj, gjë që mund të ishte dhe e vërtetë, duke parë rrjedhat e atëhershme të ndarjes globale dhe të luftës së ftohtë. Megjithatë, sot ajo konsiderohet më e rrezikshmja në botë dhe për kapjen e kreut të saj Bin Laden, SHBA-të kanë vënë një çmim prej 5 milionë dollarësh. Abu Sayyaf Group (ASG). Kjo organizatë vepron në Filipine dhe është krijuar në vitin 1991. Kreu i kësaj organizate është Abduragak Abubakabar Janjalani, ish-veteran i luftës së Afganistanit. Këtij grupimi i faturohet atentati i vitit 1993 në një qendër biznesi në Neë York. Janjalani, thuhet të jetë në bashkëpunim të ngushtë me Bin Laden, që nga koha e Afganistanit. Al-Gama'a al-Islamiyya (IG). Grupi në fjalë vepron në Egjipt dhe ka filluar veprimtarinë e tij në vitin 1970. Pra, është një nga grupet më të vjetër terroriste. Babai ideologjik i këtij grupi ka qenë Said Quth, një ideolog fetar i ekzekutuar në vitin 1966 në Egjipt. Që atëherë organizata në fjalë ka qenë një ndër më aktivet në botën arabe. I goditur disa herë nga qeveria egjiptiane, ky grup në 1981 vrau me një atentat presidentin e atëhershëm egjiptian Sadat. Ky ka qenë edhe aksioni më i madh i këtij grupi. Kreu i këtij grupi është një egjiptian i quajtur Osama Rushdi. Po ky grup ka kryer atentatin ndaj presidentit egjiptian Mubarak, ku ky i fundit ngeli i plagosur dhe ndaj autobusëve me turistë, në vitin 1997. Armed Islamic Group (GIA). Kjo organizatë vepron në Algjeri, ku vazhdon ende lufta civile. Aktiviteti i këtij grupi nisi më 1993, kur Partia Islamike e Algjerisë fitoi zgjedhjet dhe më pas këto u anulluan. Kjo organizatë ka bërë atentate në Francë, në vitet 1994-1995. GIA konsiderohet si një nga grupet më të pamëshirshme në të gjithë botën. "Aum Shinrikio": Kjo organizatë vepron në Japoni dhe fillimet e aktivitetit të saj mendohet t'i ketë në vitin 1987. Lideri i saj është Shoko Ashara. Kjo organizatë mendohet të ketë kryer sulmet në metronë e Tokios, në vitet 1995 dhe 1997. Lëvizja baske ETA (Lëvizja Baske për Liri dhe Atdhe). E krijuar në vitin 1959, ajo vepron në Spanjë, ku kërkon me rezistencë të armatosur pavarësinë e territoreve baske nga Mbretëria spanjolle. Origjina e saj vjen nga Lëvizja Politike EKI dhe nga PVD-ja (Partia Nacionaliste Baske). Euskadi Ta Aktasuna, ky është emri origjinal i organizatës, ka bërë një rrugë të gjatë gjaku dhe atentatesh. Megjithatë, mund të thuhet se kanë dështuar atentatet ndaj mbretit Huan Karlos dhe Kryeministrit Hoze Maria Aznar. Megjithatë, në vitin 1997, ETA grabiti dhe ekzekutoi këshilltarin e kryeministrit, Manuel Blanko. Krahu politik i ETA-s është Herri Batasuna, lëvizje politike baske, që kërkon pavarësinë. Chukaku-ha. Kjo organizatë e majtë terroriste vepron që nga viti 1958 në Japoni dhe ka pasur gjthnjë si objektiv sulmin ndaj prezencës amerikane në këtë vend. PDFLP (Fronti Demokratik Popullor për Çlirimin e Palestinës). E krijuar në vitin 1969, kjo organizatë lind si një grupim marksist me orientim pro sovjetik. Lideri i saj ka qenë Naif Haëaëtmeh dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë kanë qenë Yaser Abbed Rabbu, Qais Samarral (i njohur si Abu Leila) dhe Abbdal Kerim Ah-Mahd (Abu Adnan). Në vitin 1979, grupi bashkërendon veprimet me OGP-në e Arafatit dhe deri në vitin 1989 ka vepruar si një celulë më vete. Sot kjo organizatë vepron në kuadër të shtetit autonom të Palestinës, të udhëhequr nga Yasser Arafat. Këshilli Revolucionar i Fatahut (Organizata e Abu Nidal-it). E njohur me emërtimin ANO (Abu Nidal Organisation), kjo organizatë u themelua në vitin 1974 nga Sabri Al-Bana, që njihej edhe me pseudonimin Abu Nidal. ANO u themelua në Asiri dhe ishte një organizatë terroriste nën ndikimin sovjetik. ANO ishte një nga grupet më të përgatitura të kohës dhe mbështetej gjithashtu nga qeveria irakiane. Qëllimi i veprimtarisë së saj ishte çlirimi i territoreve të pushtuara arabe nga Izraeli dhe lufta ndaj aleatëve çifutë, kryesisht SHBA-ve. Nga viti 1974, deri në vitin 1980, ANO kishte qendrën në Bagdad. Në vitin 1980, kur Iraku filloi luftën me Iranin, ANO u zhvendos në Liban, ku dhe pati një aktivitet të fuqishëm antisemit. Organizata llogaritej të ketë pasur rreth 150 ushtarë të vdekjes, të cilët kanë vepruar nga Afrika e Jugut, e deri në Greqi. ANO ka pasur qendra veprimi të saj dhe stërvitore në Jemen, Liban, Siri, Iran dhe Sudan. Abu Nidal gjatë gjthë veprimtarisë së saj ka bërë 49 atentate në të gjithë botën, që nga 5 shtatori 1973, e deri me 14 janar 1991. Gjatë gjithë aktivitetit, kjo organizatë ka asgjësuar 148 civilë, ka marrë peng disa aeroplanë, ka vënë bomba në disa ambasada, ka ekzekutuar disa diplomatë dhe ka marrë peng edhe një anije turistike. Kjo organizatë i ka bërë edhe një atentat të dështuar mbretëreshës britanike Elisabeta II, gjatë vizitës së saj në Jordani, më 24 mars 1984. Tashmë grupi ka rreth 10 vjet që e ka ndërprerë aktivitetin e vet, me fillimin e procesit të paqes në Palestinë. Abu Nidal nuk u kap kurrë nga asnjë shtet, ndonëse ka qenë për vite me radhë një nga terroristët më të kërkuar në kërkim, ndonëse ka zëra që thonë se ai ka vdekur. Nga Xhihadi tek Intifada Hamasi i ka fillimet e veta diku nga vitet 1920, ku në Egjipt u themelua Lëvizja e Vëllazërimit Mysliman në Egjipt. Kjo organizatë e forcoi aktivitetin e saj politik në vitet 1960-'70 në botën arabe dhe kryesisht në Jordani dhe Egjipt. Aktivitetin e saj kjo organizatë e zhvillonte kryesisht në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, pra në territoret e pushtuara arabe. Në vitin 1978 u formua lëvizja Hamas, nga sheiku Ahmed Yassin, i cili ishte edhe lideri shpirtëror i një Shoqate Islamike me emrin Al-Muajama Al Islami. Kjo shoqatë në atë kohë kishte shumë përkrahës në bazë të punës së mirë që bënte me masat në fushën fetare dhe sociale. Pikërisht në Rripin e Gazës, Hamasi njohu suksesin më të madh. Këtu përzihej shpirti nacionalist palestinez me besimin fetar. Në vitin 1988 Hamasi botoi dhe programin e saj ideologjik në një broshurë (libër), ku pasqyronte programin e saj, në të cilin spikat qëllimi i vazhdimit të luftës për Çlirimin e Palestinës. Kështu që sheiku Ahmed Yassin e bëri Hamasin një lëvizje të madhe. Po në atë periudhë Hamasi filloi të organizonte strukturën e vet të armatosur me njerëz të stërvitur që quheshin Muxhahedin. Pra Hamasi ka qenë një ndër forcat më serioze në Intifadën Palestineze dhe luftëtarët e saj e kishin përqafuar për jetë a vdekje Xhihadin (Luftën e Shenjtë). Lideri i saj sheiku, Ahmad Isma'il Yassin lindi në vitin 1936 në një fshat në Rripin e Gazës, që quhej al-Jora. Në vitin 1955 ai hyn në Lëvizjen e Vëllazërimit Mysliman dhe në vitin 1966 ai burgoset për herë të parë nga autoritetet egjiptiane për veprimtari subversive. Në vitin 1984 burgoset sërish, kësaj radhe për armë mbajtje pa leje ku njeh edhe një tjetër lider të mëvonshëm palestinez Ahmed Xhibril. Në vitin 1987 themeloi lëvizjen Hamas dhe në vitin 1989, filloi luftën për Intifadën palestineze. Hamas akuzohet të ketë bërë gjatë gjithë aktivitetit të saj 48 atentate të rënda nga 18 shkurti 1989 deri më 4 shtator 1997, nga këto atentate kryesisht dinamitare kane ngelur të vdekur 196 vetë dhe një numër shumë më i madh të plagosurish. Kryesisht të vrarët kanë qenë kolonë civilë izraelianë apo ushtarë izraelianë si dhe pjestarë të policisë izraeliane. Atentatet më të mëdha janë bërë më 22 janar të 1995, ku vdiqën 19 vetë, 18 ushtarë dhe një civil si dhe një vit më vonë më 26 janar 1996, kur vdiqën 26 vetë, nga të cilët 19 civilë dhe 9 ushtarë. Hamas sot e kësaj dite konsiderohet nga qeveria e SHBA-ve si një nga grupet më të rrezikshme në botë. (Vijon nesër)

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nënsekretarja e amerikane e Shtetit në Kosovë: Krijoni asociacionin, hap thelbësor në rrugëtimin euroatlantik