Lul Caka "ha" 6 koka policësh

BERAT (7/1/2001) Për herë të pestë personi më i kërkuar nga Pol-icia Shqiptare, Lulzim Caka, ka mundur të shpëtojë nga rrethimi i Policisë së Beratit. Por ngjarja e rëndë që hedh hije të forta dyshimi mbi blutë e qytetit të gurtë, ka formën e një skandali të vërtetë kur është marrë vesh se në shtëpinë e kryeplakut të fshatit Cukalat, bashkë me Cakën ka qenë i strehuar edhe një nga emrat e tjerë të "tmerrshëm" që kërkohet nga gjithë policitë e botës, Kastriot Jaupi. Edhe pse banesa ku strehoheshin Caka dhe Jaupi është rrethuar mesnatën e së premtes nga më shumë se 150 policë, pas një lufte me kallashnikovë, mitralozë e granata, 2 të tmerrshmit e Beratit, që prej një muaji kanë bërë aleancë, kanë mundur të çajnë rrethimin. Dështimi i këtij operacioni të radhës për kapjen e njerëzve që vrasin "çdo tri ditë", ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në Ministrinë e Rendit Publik. Pas lajmit të "arratisjes" së Cakës dhe Jaupit, në Berat kanë mbërritur urgjentisht zëvendsministri i Rendit Publik, Bujar Himçi, dhe nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Niko Brahimi. Gjëja e parë që kanë bërë 2 "kapot" e Policisë Shqiptare ka qenë pezullimi i drejtorit të Policisë së Beratit, Ylli Tafili, dhe shkarkimi i shefit të Komisariatit në këtë qytet, Sokol Kolani. Rrethimi Ka qenë një informacion operativ i marrë nga agjentë të Policisë Kriminale nga i cili në Ministrinë e Rendit Publik është mësuar se në shtëpinë e kryeplakut të fshatit Cukalat në Berat, parmbrëmë ishin të strehuar Lul Caka dhe Kastriot Jaupi. Operacioni u është besuar bluve të Prefekturës së Beratit. Në krye të rreth 40 uniformave blu zëvendësdrejtori i kësaj policie, kolonel Ilirian Dida, rreth orës 23 të natës së parmbrëmshme kanë rrethuar shtëpinë ku fshiheshin 2 super të kërkuarit. Pas thirrjes që u është bërë për t'u dorëzuar, policia ka marrë si përgjigje një furi të vërtetë breshërish automatiku dhe granatash. Për rreth 30 minuta është bërë një luftë e vërtetë. Ndërkohë në përforcim kanë mbërritur edhe 100 policë të tjerë, ndërsa Dida ka kërkuar nga Ministria e Rendit Publik përforcime me forca speciale. Katër furgonë, një autoblindë dhe një helikopter me trupat më të zgjedhura të repartit RENEA, kanë mbërritur aty pas mesit të natës. Arratisja Por Caka dhe Jaupi, të mbështetur nga 5 persona të armatosur që i kanë mbuluar me granata dhe zjarr, kanë mundur të çajnë rrethimin nga ana perëndimore e fshatit. Specialët e Tiranës kanë arritur vetëm të çarmatosin dhe kapin 7 personat që gjendeshin në banesën nga u hap zjarr ndaj policisë. Sipas njoftimeve zyrtare të Ministrisë së Rendit Publik, menjëherë pas ikjes së 2 personave më të kërkuar në listat e gjata të policisë, janë arrestuar në flagrancë i zoti i shtëpisë ku ata strehoheshin, Nuredin Bregu, kryeplak i fshatit Cukalat dhe vëllai i vogël i Lul Cakës, 20- vjeçari Gjelosh Caka, i cili akuzohet për vrasje. Edhe pse "gjuetia" ndaj 2 "kapobandave" të shumënjohura që akuzohen për vrasjen e të paktën 10 personave, ka vazhduar, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është bërë i mundur arrestimi i tyre. Gjithsesi, Gjoni dhe krerët e tjerë të Ministrisë së Rendit Publik, dështimi i fundit i operacionit për kapjen e Cakës (që nga arratisaj nga burgu i Lushnjes ka vrarë 5 persona) dhe Kastriot Jaupit (vrasja e fundit që ka bërë ka qenë ajo e oficerit të policisë, Ilir Ngresi) i ka detyruar të hapin një hetim të gjerë për policinë e kësaj prefekture.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Lezhë-Milot, 2 mjetet përfundojnë në parcelë! 3 të plagosur, 1 në gjendje të rëndë