"Miqtë" e Koçiut, pa rroga

TIRANE (11/3/2001) U pritet rroga "miqve" të Sokol Koçiut në Prokurorinë e Përgjithshme. "Më datë 4 shkurt 2000, shefi i kuadrit, Kasëm Berberi, na komunikoi ndërprerjen e çdo marrëdhënieje financiare për të tetë oficerët e sektorit të Policisë Gjyqësore në varësi të Koçiut", pohojnë për "Gazetën" dy nga ish-vartësit e tij, Saimir Kola dhe Ardian Kasapi. "Në një kohë që gjashtë nga kolegët tanë kanë vijuar normalisht të tërheqin pagat e tyre në Prokurorinë e Përgjithshme, vetëm për ne të dy, që kemi punuar brenda së njëjtës zyrë me Koçiun, ky rregull nuk është zbatuar". Akuza e ngritur ndaj Sokol Koçiut për bashkëpunim në trafikun ndërkombëtar të drogës duket se ka detyruar prokurorin e Përgjithshëm, Arben Rakipi, të përshpejtojë marrjen e një vendimi më datë 2 shkurt "për shkrirjen e sektorit të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme". Në të vërtetë, vartësit e Koçiut kanë të drejtë të firmosin edhe një vit tjetër në bordero për të tërhequr pagat e tyre si efektiv ushtarak në lirim për shkak të reformës (nëse brenda kësaj periudhe nuk janë sistemuar në një detyrë tjetër). Të paktën ky është ligji. E megjithatë, rregulli nuk është njësoj për të gjithë, të paktën për ata që edhe thjesht fizikisht kanë qenë pranë Koçiut. Në një kohë që gjashtë nga ish-oficerët e Koçiut morën rrogën që u takon me ligj në fund të muajit, 2 prej tyre dhe pikërisht Saimir Kola dhe Ardian Kasapi janë kthyer nga shefja e financës me xhepa bosh. Të pyetur nga "Gazeta", Kola dhe Kasapi kanë konfirmuar prerjen totale të çdo lloj marrëdhënieje financiare pa më të voglin motivacion. "E vetmja përgjigje që na është dhënë ka qenë ajo e shefes së financës, sipas së cilës urdhri ishte që për ne të dy, që kishim punuar brenda në një zyrë me Sokol Koçiun, të ndërpritej çdo marrëdhënie financiare e mëtejshme", pohojnë Kola dhe Kasapi. Deri në këto momente, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme nuk ka asnjë sqarim lidhur me "penalizimin" absurd të 2 vartësve të Koçiut. Përzgjedhja e tyre në punë është bërë si normalisht, nëpërmjet një procedure standard, bazuar në arsimin përkatës juridik si dhe atribute të tjera. "Ndonëse kemi punuar në një zyrë me Koçiun, çdo dokument zyrtar i cikluar nga ne është protokolluar nga ana jonë me vulën dhe firmën e prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi", shprehen Kola dhe Kasapi, të tronditur nga një rrënim kaq i beftë i karrierës së tyre për të vetmin faj se ishin ata "të përzgjedhur nga Koçiu për të punuar në një zyrë me të". Sektori i Policisë Gjyqësore është krijuar në bazë të një kontrate të nënshkruar nga Antimafia italiane dhe Sokol Koçiu, i cili ishte pranuar si titullar për palën shqiptare në bazë të CV-së së tij, në të cilën figuronin rreth 200 fletë-arresti për persona të ndryshën, treçereku i të cilëve sot vuajnë dënimin në burgjet shqiptare (Zani Çaushi, Tana Kateshi, Gaxhai, Nehat Kulla pa përmendur zbardhjen e masakrës së Urës Vajgurore, eliminimin e bandës së Kuçovës, zbardhjen e vrasjes së Agim Hysenbelliut në Vlorë etj). Nëse Drejtësia shqiptare do ta gjeje Koçiun jo fajtor për implikim në trafikun ndërkombëtar të drogës, në bazë kontratës së mësipërme nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që ai të rikthehet në krye të Policisë Gjyqësore.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Çudi në NBA, Boston mposhtet nga Miami në shtëpi! Oklahoma merr epërsinë 2-0