Nehat Kulla kthehet në Tiranë pas 10 muajsh

TIRANE(15/7/2000) Nehat Kulla kthehet në Tiranë pas më shumë se 10 muajsh qëndrimi në qelitë e Elbasanit, këtë radhë me duar në pranga dhe i shoqëruar nga dhjetëra policë. Për të, dje, në gjykatën e Tiranës, ka filluar gjykimi, por gjenerali ka ngelur pa avokat. Nën shoqërinë e një grupi special të Policisë së Elbasanit, Nehat Kulla ka marrë rrugën drejt Tiranës në orët e para të ditës së djeshme. Pas gati një orë udhëtimi, Kulla ka shkelur në gjykatë, rreth orës 9.00, ku edhe aty e prisnin një mori policësh, përfshirë këtu edhe forcat e Briskut. Policia nga ana e saj përreth gjykatës kishte marrë një mori masash sigurie, që prej kohësh ishin harruar në këtë gjykatë. Të gjitha rrugët pranë gjykatës kanë qenë të mbushura me policë, ndërkohë që ajo para gjykatës është bllokuar nga makinat e plehërave, duke kufizuar në maksimum qarkullimin e automjeteve para saj. Por edhe gjykata nuk ka ngelur më pas në masat e sigurisë. Me urdhër të kryetarit të gjykatës të gjitha gjyqet që kërkonin kujdesin e policisë janë bllokuar dhe nuk janë zhvilluar sipas kalendarit të përcaktuar. Seanca gjyqësore në fakt ka zgjatur pak, për të mos thënë nuk ka filluar fare. Kulla tashmë më i mplakur dhe i lodhur nga qendrimi në qeli, është gjendur i vetëm përballë prokurorit Bujar Hoxha, i cili i ka bërë atij një numër të madh akuzash. Avokatja e tij, Mimoza Arbëri, pas emërimit në KQZ, e ka të pamundur të jetë në mbrojtje të tij, pasi nuk ia lejon ligji. "Kërkoj kohë sa të gjej një avokat tjetër", këto kanë qenë të vetmet fjalë të thëna nga Nehati në seancën e parë të zhvilluar për të në Tiranë. Dhe gjykata ia ka dhënë kohën e mjaftueshme që edhe "gjenerali" të gjejë një njeri ta mbrojë. Pas kësaj, gjyqtari Ardian Kaliaj, që do të gjykojë njeriun e fortë të kryeqytetit e ka shtyrë seancën pas një jave, derisa ai të gjejë avokat. I ulur në bangën e të akuzuarve, Nehat Kulla dukej tashmë më i mplakur. Thinjat, që deri para 10 muajsh nuk dukeshin, e kishin mbuluar, sa koka e tij dukej e bardhë, ndërkohë që shëndeti nuk ishte më ai i pari. 10 muaj qëndrimi në qeli e kanë ndryshuar shumë Kullën nga pamja e jashtme, por, që gjithsesi, ai akoma kishte pamjen e një njeriu që di të mbahet. Kështu, që prej 12 shtatorit të '99, Kulla ka qëndruar për gati një orë në Tiranë, por pas kësaj ka marrë edhe njëherë rrugën për në qelitë e Elbasanit, ku do të vazhdojë të qëndrojë edhe për ca kohë. Për çdo seance në gjykatë do të detyrohet që nën shoqërinë e policisë ta bëjë vajtje-ardhje rrugën Elbasan- Tiranë dhe nuk do të qëndrojë në qelitë e 313, për arsye sigurie.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Begaj merr pjesë në inagurimin e murales së Skënderbeut dhe bashkisë së re të Cerzeto-s