Nehati me bandën e tij tani në dyert e Gjykatës

ELBASAN (4/6/2000) Dosja e bandës së Nehat Kullës shkon në Gjykatën e rrethit. Pas përfundimit të saj, në ditën e fundit të kësaj jave, Prokuroria do t'ia dërgojë atë Gjykatës dhe banda "Kulla" javën e ardhshme do të jetë para trupit gjykues. Kështu, banda tiranase pret gjykimin javën tjetër në Gjykatën e rrethit të Elbasanit. Prokuroria e këtij rrethi është në përfundim të dosjes voluminoze të kësaj bande, nga e cila 8 pjesëtarët e saj do të japin llogari para trupit gjykues, për një deri në dy vepra penale të kryera. Ndërsa më rëndë duket se do të ndëshkohet vetë kapoja i kësaj bande, Nehat Kulla, i cili do të gjykohet për mbi 5 vepra penale. Kryeprokurori rrethit të Elbasanit, Luan Kaloçi ka bërë të ditur se "Prokurori ynë i kësaj çështjeje, Bujar Hoxha, ka marrë të dhëna dhe pjesëtarët e kësaj bande, të cilët janë liruar do të gjykohen për armëmbajtje pa leje. Por, sipas Kaloçit, vetë kapoja i kësaj bande, Kulla, do të gjykohet edhe për një vepër penale, që ai e ka kryer në Kavajë, gjë që deri më sot nuk është bërë prezente nga organi i akuzës". Gjithashtu, kryeprokurori i Elbasanit ka bërë të ditur se nuk ka kompetenca ligjore të thotë gjë më shumë rreth kësaj bande, "pasi paralelisht me ne kjo bandë po hetohet edhe nga homologët tanë në Tiranë". Në masën e vlerësimit të dhënë nga Prokuroria e rrethit, burg pa afat për Kullën dhe 8 anëtarët e tjerë të kësaj bande, akuzat e ngritura nga ajo janë tepër të rënda. Kështu, Kulla dhe bashkëpunëtorët e tij do të gjykohen për bandë të armatosur, vrasje, rrëmbim personi, grabitje dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa prokurori i çështjes "Kulla", Bujar Hoxha, edhe pse tepër i rezervuar, është treguar shumë i rreptë në punën e tij, duke garantuar dënimin e të shumëpërfolurit dhe bandës së tij të kapur nga forcat e policisë së Elbasanit, nën drejtimin e Kosenit. "Prokuror i kësaj çështje jam vetë unë dhe do t'i servir Gjykatës fakte tepër të forta, që kjo bandë të ketë 101 vjet burg, ku pjesën më të madhe të dënimit do ta ketë vetë Kulla", ka thënë Hoxha. Kështu, banda e shumëpërfolur e Nehat Kullës do të përballet javën e ardhshme me Drejtësinë, bandë kjo mbi të cilën rëndojnë shumë akuza nga Gjyqësori. Tani Kulla ndodhet i paraburgosur në qelitë e komisariatit të policisë së Elbasanit, së bashku me disa anëtarë të bandës së tij, të cilët presin ditën e gjykimit. Ndërsa një pjesë tjetër e bandës do të gjykohet në mungesë. Por, në këtë proces gjyqësor, nuk është vetëm prokurori i çështjes ai që ka mbledhur fakte për Kullën dhe njerëzit e tij. Për këtë bandë, edhe shumë dëshmitarë kanë dërguar fakte për krime, si dhe do të deponojnë vetë në sallën e gjyqit. Sipas prokurorit të çështjes, tani edhe njerëzve u ka ikur frika dhe kanë dëshmuar vetë për krimet e kësaj bande. "Provat dhe dëshmitë e mbledhura nga Prokuroria e Elbasanit në adresë të kësaj bande janë tepër të sakta e preçize", ka thënë Hoxha, duke shtuar se "çfarë është më kryesorja, për bëmat e saj janë grumbulluar të dhëna nga vetë dëshmitarët". Kështu, krahas organit të akuzës, për bandën "Kulla" do të depononjë edhe dëshmitarët e ngjarjeve, disa prej të cilëve kanë dërguar dëshmitë e tyre në Prokurorinë e Elbasanit. Megjithatë pritet që ky te jetë një gjyq me "surpriza" për shkak të rëndësisë të veçantë që ka. Vetë Kulla, jo rrallë herë është akuzuar si i implikuar në çështje të politikanëve të ndryshëm. Pikërisht kjo është arsyeja që mendohet që dëshmia e vetë atij të jetë më interesantja e proçesit të nisur.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur