Nga Athina dëshmi kundër Nehatit: E pashë kur qëlloi

(17/10/2000)Një letërporosi dërguar prokurorisë së Athinës, në shkurt të këtij viti, ka shërbyer si provë për të vërtetuar se Nehat Kulla është vrasës. Fatbardha Thaçi, të cilës i kanë vrarë të vëllanë, ka deponuar për të katërtën herë. Por këtë radhë ka bërë betimin se do të thotë të vërtetën, para një trupi gjykues. Të gjitha thëniet e saj para gjykatës greke, janë lexuar në seancën e djeshme gjyqësore ndaj të pandehurit Nehat Kulla. Procesverbali i mbajtur në kushte të burgut, në Pire të Greqisë, mbaronte me betimin që gjithçka thuhej aty është ajo që ka ndodhur. Ajo ka shpjeguar gjithë detajet e atij mëngjesi kur i vranë të vëllain. Fatbardha Thaçi punonte si kamariere në lokalin "Serena". Ajo ka deklaruar para gjykatësit grek se i vëllai i saj Fatmiri, kishte hyrë me një frymë në lokal, krejt i zverdhur dhe i kishte shpjeguar asaj se disa persona kishin dashur ta fusnin me dhunë në një makinë. Për fat kishin qëlluar shumë njerëz aty pranë dhe personat e panjohur nuk kanë mundur ta realizojnë qëllimin. Ai iu kishte shpëtuar nga duart, por ata nuk e kishin lënë me kaq. Pyetjes së gjykatësit se çfarë kishte ndodhur më tej Fatbardha i është përgjigjur: "Pas pak minutash një person hyri në lokal dhe i tha Fatmirit se dikush e kërkonte jashtë. Brenda pak çasteve në lokal hyri Nehat Kulla dhe e goditi Fatmirin me tytën e armës". "Do të vdesësh si qen", i tha ai, ka deklaruar e motra. Më pas ajo ka treguar se Nehati e kishte zvarritur disa metra në lokal të vëllain dhe kishte lëshuar mbi të një breshëri automatiku, duke e lënë të vdekur. "Nehati më ka goditur edhe mua me pëllëmbë", ka rrëfyer Fatbardha Thaçi. Ajo ka deklaruar se vetëm dy javë para se të ndodhte krimi, një person e kishte "paralajmëruar" Fatmir Thaçin, duke i bërë një pyetje: A keni pasur marëdhënie me gruan e Nehat Kullës. Ai kishte mohuar, por kërcënimi kishte mbetur pezull... Pas vrasjes, e cila ka ndodhur në vitin 1997, policia ka bërë veprimet e zakonshme proçeduriale. Fatbardha Thaçi ka deponuar në polici, duke i vënë gishtin edhe vrasësit. Pas pak ditësh policia e ka thirur përsëri dhe fjalët e saj kanë ndryshuar me ato të thëna me parë. Ndërsa 3 vjet më pas, kur Prokuroria shqiptare i është drejtuar asaj greke, motra ka pohuar se njerëzit e Nehat Kullës e kishin kërcënuar me vdekje nëse ajo do të tregonte të vërtetën. Ndërsa avokati Dino Leli është shprehur pas leximit nga ana e akuzës të fjalëve të dëshmitares, se nuk e quante të nevojshme komentimin e kësaj prove pasi është e mbështetaur mbi gënjeshtrën. "Nuk duhet marrë fare si provë, tha ai, pasi Fatbardha gënjen". Avokati ka deklaruar se dëshmitarët që do të sjellë ai do ta vërtetojnë që dëshmia e motrës së viktimës është e rreme. Ndërsa i pandehuri Nehat kulla arsyeton "pafajësinë" e tij me divorcin e bërë që në vitin 1987, me bashkëshorten që e kishte tradhëtuar. "Ç'punë kisha me atë un' mor vlla, i është drejtuar trupit gjykues, ajo ishte gru e martume, me fmij. Un s'kisha pse ta vras' dashnorin e saj". Nehati ka deklaruar se shfaqja e tij ne uniformë ushtarake ka ndodhur në vitin 1998 dhe kështuqë Fatmira Thaçi nuk kishte si ta njihte më përpara. Ndërsa dëshmitarja tjetër Marte Patoku nuk kishte ardhur dje në sallën e gjyqit pasi ajo ndodhej në Mirditë. Prokurori kërkoi që ajo të sillet me dhunë. Seanca u shty për më datë 19.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Ministri më i ndershëm i të gjitha kohërave ka qenë Erion Braçe', deputeti i PS 'shpërthen' në të qeshura