"Si i shpëtova atentateve"

Lidhjet me Nehatin, çështjen "Gina" e politikën (28/10/2000) (Vijon nga numri i djeshëm) Kush i ka vrarë vëllezërit dhe kunatin tuaj? "Unë e di kush i ka vrarë. I kam të gjithë me emra dhe do t'ua kthej kusurin. Këto vrasje kanë pasur pas tyre motiv politik, madje janë organizuar nga segmente të politikës". Kush ka qenë shkaku i vrasjes së tyre? "Po mund të them se jo rastësisht disa nga vrasjet kanë ndodhur përpara se të shkonte Berisha në Vlorë. Ka qenë duke u përgatitur terreni për të realizur një vizitë të Berishës në Sheshin e Flamurit. Njerëzit e mi njiheshim si kundërshtarë të Berishës". A mendoni se ato vrasje janë kryer për t'u hakmarrë ndaj krimeve për të cilat akuzoheni se i keni kryer ju? "Një gjë e tillë do të ishte e vërtetë po të ishin vrarë njerëz që kishin qenë krah meje. Por, se ç'të keqe ka bërë im vëlla, Balili 40 vjeçar, që s'i binte njeriu në qafë, unë nuk e kuptoj. Pse duhej vrarë kunati im plak 60 vjeçar, nuk e marrë vesh. Janë vrarë njerëz kot, të pafajshëm. Ata që janë trima le të provojnë të përballen me mua. E thashë dhe një herë, vrasjet e njerëzve të mi janë kryer, duke patur nga pas motiv politik". Policia mund të ketë gisht në vrasje? "E thashë dhe më lart, policia në Vlorë lejonte njerëzit e Berishës dhe PD-së të lëviznin 40 veta njëherësh, në makina luksoze dhe të armatosur deri në dhëmb. Kurse sa herë që policia shikonte të dilnin në rrugë njerëzit e mi, u lëshohej si shqipe dhe nuk i linte të merrnin frymë, duke i akuzuar si vrasës, kriminelë etj. Mjafton të përmend rastin e vrasjes së Luçianos, kur policia më ndoqi vetëm mua, kurse Shehajt i la të lirë dhe nuk i hetoi asnjëherë. Ata që kanë bërë hetimet për këtë çështje, duke filluar që nga Kolaqët, Kullurët, Alikot etj., kanë falsifikuar provat, dhe unë do t'i kem në qendër të vëmendjes për t'ua shpërblyer të mirën që më kanë bërë". Janë gati 11 të vrarë nga 14 personat e gjykuar në Tiranë si anëtarë të bandës suaj. Si ju duket ky bilanc? "Nuk kanë qenë të gjithë shokët apo miqtë e mi. Disa prej tyre s'kanë patur lidhje me mua, por shtetit i duhej një bandë e madhe dhe sajoi ca të pafajshëm, të cilët, pasi i nxori për mungesë provash, u ngriti prita dhe i vrau njëri pas tjetrit. Jam kujdesur që të shpëtoja miqtë e mi nga pritat e policisë apo rivalëve, por ka qenë e vështirë. Mos harroni vetëm pak javë më parë Petrit Gërdhuqin policia e vrau me bajonetë në trup, kur ai ishte duke suvatuar shtëpinë. Vrasja e tij u quajt një përplasje me armë, ndërsa duart Petriti i kishte me llaç". Janë vrarë vëllezërit Gërdhuqi, Leonard Idrizi etj. Ka mbetur ish-truproja juaj Dorian Saliu i dënuar me 10 vjet burg? "Doriani është në moshë të re, dhe do të jetë më mirë të mos lirohet për momentin. Ai është një nga djemtë që e kam dashur më shumë dhe, me sa di, ndodhet në burgun e Kosovës, në Lushnje. Shpresoj ta takoj gjatë procesit në Tiranë". A mendon Zani të martohet një ditë dhe të ketë fëmijë? "Kush nuk do të ketë familje dhe fëmijë. Fëmijët janë engjëj, dhe unë shpresoj se do të kem fëmijë dhe familjen time". Jeni dënuar me burgim të përjetshëm, si do të martoheni? "Të jeni i sigurt se unë do dalë prapë nga burgu, madje shumë shpejt. Ndaj meje nuk ka prova dhe unë e kam apeluar vendimin. Do dalë dhe do jem më i fortë se më parë. Do kem kohë të krijoj familjen dhe të rrisë fëmijët e mi". U janë bërë disa atentate, si u keni shpëtuar plumbave? "Po s'kam dalë pa gjë. (dhe tregon shenjat e të paktën 5 plumbave që ka marrë në dy këmbët). Plagën më të thellë ma ka lënë një plumb që kam marrë në këmbë, në ngjarjen me Shehajt. Ishte një plumb blindshpues. Por tashmë gjithçka ka kaluar, dhe unë jam aftësuar totalisht. Zanin nuk e kapin kollaj plumbat dhe jeta më ka mësuar si të ruhem nga ta". Po nga drejtuesit e PD-së me kë keni kontaktuar? "Po kam kontaktuar me disa prej tyre, si me telefon ashtu dhe në takime direkte. S'është nevoja të përmend emra, në libër do të shkruaj edhe për surprizat me ta. Mjafton të përmend se unë kam takuar dhe e kam njohur Azem Hajdarin qysh nga 1992-shi. Mbase s'kemi qenë miq apo shokë, por jemi takuar për gjëra që do publikohen në librin tim". Pasi u liruat nga burgu në marsin e kaluar, a tentuat të takonit ndonjë politikan të lartë në Tiranë? "Ata i kishte zënë frika, madje sa herë që merrnin vesh se unë isha në Tiranë alarmoheshin e njoftonin policinë. Po përmend rastin kur është vrarë Denis Gina, më 22 qershor të 1999. Unë isha në Tiranë për projektin e ndërtimeve që do bëja në plazh dhe qëndrova gati një javë aty. Ditën e vrasjes së Ginës, isha në Mullet me miqtë e mi nga Tirana dhe qëndrova aty gati 24 orë rresht. Menjëherë pas vrasjes, 50-60 policë kishin rrethuar shtëpinë e një kushëririt tim në Tiranë dhe pasi i kishin kontrolluar gjithçka e kishin marrë në komisariat". Ç'lidhje keni ju me çështjen Gina? "Policia kujtonte se atë vrasje e kisha bërë unë, por sapo mora vesh për kushëririn shkova vet në policinë e Tiranës dhe takova nëndrejtorin. I thashë se Mithat Havarin, që ishte në atë kohë drejtor i policisë së Tiranës, e kishin gënjyer dhe unë s'kisha gisht në vrasje. Më vonë u bindën vet dhe i kërkuan falje kushëririt tim për arrestimin". Cilat janë lidhjet tuaja me Nehat Kullën? "Nehat Kulla është burri më i mirë që ka Tirana. Ai është miku im më i mirë. Nehati është njeri i drejtë, nuk i bie kujt në qafë, dhe s'falë askënd, që i shkel nderin. Nehati është njeri babaxhan dhe ky shtet e mban kot në burg. Ai është i pafajshëm, megjithëse po përpiqen të sajojnë akuza e prova ndaj tij. Gjej rastin ta përshëndes dhe t'i uroj: "Nehat bëhu më i fortë se ç'ke qenë". Ky shtet në vend që të merret me kriminelët dhe trafikantët, burgos Nehatin që ka shpëtuar disa herë rresht Tiranën nga djegiet e shkatërrimet dhe ka ndaluar njerëzit e Berishës të terrorizojnë kryeqytetin". A keni miq të tjerë mes atyre që njohin si "të fortë" në Shqipëri? "Kam shumë miq, brenda e jashtë vendit. Nga Veriu në Jug. Unë nuk jam si politikanët që kanë frikë të shkojnë në Tropojë apo Lazarat. Zani ka miq dhe e presin nga Tropoja në Lazarat. I përshëndes miqtë e mi ata që janë jashtë dhe ata që janë në burg. Përshëndes familjen Bushi në Tiranë dhe familjen Disha e në veçanti nënë Liken në Durrës, që më kanë ndihmuar gjatë kohës që isha në burgjet e Durrësit e Tiranës. Ju uroj fat dhe lirim sa më të shpejtë nga burgu dy tropojanëve që janë në burgun e Burrelit Filip Gjeloshi e Arben Buçpapa, dhe matjanit Skënder Topalli". Nëse do të liroheni nga burgu ç'do të bëni? "Eshtë e sigurt që do lirohem dhe do të shkoj për 10 vjet ose më shumë në Amerikë apo në Kanada. Më vonë do mendoj të kthehem në Shqipëri. Pse a nuk mendoni se çdo shtet perëndimor do të më jepte azil politik. Me këto që më kanë bërë në Shqipëri politikanët e policia e kam të sigurt azilin në çdo vend. Shikoni ku më kanë mbyllur në një burg që është për terroristë, ku njerëzit më shumë janë pengje se të dënuar". Ku keni qëndruar gjatë kohës që ishin në kërkim? "Kam lëvizur në të gjithë vendin, madje kam qëndruar për shumë kohë dhe në Tiranë, ku policia përpiqej të më përgjonte celularin dhe të më kapte. Por ma kishin frikën, pasi në shumë raste unë dilja dhe në qendër të kryeqytetit. Tani s'mund të tregoj bazat dhe shokët e mi".

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Të shunën derbi i 'final-four', trajneri Mehmeti: Partizani me organikë shumë të fortë! Teuta-Vllaznia, Osmani: Ti japim fund krizës