A do ta festojnë Vitin e Ri me
mandat Rroshi, Selami e Tahiri?

A do ta festojnë Vitin e Ri me<br />mandat Rroshi, Selami e Tahiri?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të vendosur mbi mandatet e deputetëve Shkëlqim Selami e Dashamir Tahiri, si dhe për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi.

Kjo është hera e parë që KQZ do të veprojë praktikisht mbi një subjekt të ligjit të dekriminalizimit, dhe veprimet e saj janë të paparashikueshme pasi kjo seancë dhe kjo praktikë procedurale do të përbëjë një precedent për të gjitha radhët e ardhshme.

Prokuroria i ka dorëzuar konkluzionet e saj në 20 dhjetor dhe bazuar në ligjin për dekriminalizimin, KQZ duhet të vendosë brenda 10 ditëve, pra deri në 30 dhjetor për ndërprerjen apo jo të mandatit të këtyrë të zgjedhurve.

Ja çfarë thotë ligji “Për Garantimin e Integritetit te Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike”, për raste të tilla kur konstatohet shkelje.

Neni 8
Organet kompetente për verifikimin dhe zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin në funksione publike
1. Drejtuesi i institucionit që, sipas nenit 5, të këtij ligji, është i ngarkuar për marrjen e kërkesës për verifikim, është organi kompetent për zbatimin e ndalimeve, sipas këtij ligji. Organi kompetent është i detyruar që t’i kërkojë brenda 5 ditëve Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të dhënave sipas këtij ligji.

2. Përfundimet e procesit të verifikimit i përcillen organit përgjegjës nga Prokuroria e Përgjithshme brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre.

4. Organi kompetent kërkon verifikimin mbi bazën e kërkesës, ose kryesisht kur disponon të dhëna apo fakte, përfshirë fakte të njohura botërisht, që përbëjnë shkak për zbatimin e këtij ligji.

5. Për kryerjen e verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme përdor çdo të dhënë apo dokumentacion në dispozicion të saj ose i kërkon ato pranë çdo organi apo entiteti tjetër shtetëror, brenda apo jashtë vendit.

6. Në çdo rast verifikimi është e detyrueshme të përdoren gjurmët daktiloskopike dhe çdo e dhënë tjetër biometrike që ruhet në bazat e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë.

Kur nuk disponohen gjurmët daktiloskopike dhe/ose të dhënat e tjera biometrike të shtetasit, për të cilin kryhen verifikimet, organi verifikues i kërkon shtetasit që brenda 5 ditëve të depozitojë këto të dhëna, sipas procedurave të legjislacionit mbi identifikimin dhe pajisjen me dokumente identifikimi të shtetasve. Në rast refuzimi për të depozituar gjurmët daktiloskopike, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim.

9. Kur ka informacion dhe është e nevojshme, verifikimi kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kërkesa për verifikim pranë organeve të juridiksioneve të huaja bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm.

10. Kur verifikimi kryhet për një deputet, të zgjedhur vendor apo një funksionar që ka një mandat me kohë të përcaktuar, sipas Kushtetutës apo ligjit, e drejta për të nisur verifikimin e të dhënave, sipas këtij ligji, si rregull, përfundon me fundin e mandatit të personit të  zgjedhur. Kur verifikimi ka nisur para përfundimit të mandatit, procedura e verifikimit kryhet deri në arritjen e konkluzioneve përkatëse.

11. Kur organet e parashikuara nga ky nen e përfundojnë verifikimin pas përfundimit të mandatit ose kur vihen në dijeni të rrethanave apo fakteve që provojnë ekzistencën e të dhënave të padeklaruara, sipas parashikimeve të këtij ligji, edhe pas përfundimit të mandatit, ato administrojnë përfundimet e hetimit dhe bëjnë kallëzim penal ose regjistrojnë fillimin e ndjekjes penale, në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.
 
Neni 10
Veprimet e organeve kompetente kur verifikohen kushtet e ndalimit
1. Kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, në përputhje me këtë ligj, KQZ-ja kryen veprimet e mëposhtme:

a) refuzon kandidaturën e personit, kur kushtet verifikohen para procesit të pranimit të kandidaturave, dhe i kërkon subjektit zgjedhor të interesuar të zëvendësojë kandidaturën brenda afatit të parashikuar për dorëzimin e kandidaturave;

b) heq kandidatin nga kandidimi kur kushtet verifikohen para shtypjes së fletëve të votimit pa të drejtë zëvendësimi për rastin e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore apo për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e njësisë së qeverisjes vendore;
c) kur kushtet e moskandidimit verifikohen pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para shpalljes së rezultateve:

i) shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje të personit që ka të drejtën e mandatit të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, mbi bazën e votave të marra;

ii) shpall rezultatin për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, sipas këtij neni, për një kandidat që nuk është fitues, dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;

iii) përjashton nga përllogaritja e mandateve kandidatin e propozuar nga zgjedhësit për këshilltar në këshillin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe përllogarit mandatet, duke përjashtuar votat e marra prej tij;

iv) shpall fitues nga lista shumemërore kandidatin vijues në renditje dhe në përputhje me kuotën gjinore, si dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;

ç) shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor;

d) shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi përkatës, si dhe shpall mandatin në përputhje me këtë Kod, si dhe njofton Kryetarin e Kuvendit, në rastin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit, apo Kryeministrin, në rastin e kryetarit të bashkisë apo të këshilltarit bashkiak.

2. Kur deputeti mban në të njëjtën kohë postin e anëtarit të Këshillit të Ministrave, Kryeministri i propozon Presidentit, brenda 48 orëve, shkarkimin e ministrit.

3. Në rast se kushtet e pavlefshmërisë së mandatit verifikohen për Kryeministrin, ai i paraqet Kuvendit mocion besimi, brenda 48 orëve, në përputhje me nenin 104 të Kushtetutës, dhe Kuvendi miraton shkarkimin e tij nga detyra.

4. Në rast se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk ka mandat deputeti, konstatimi i kushteve për moszgjedhshmëri dhe ushtrim të funksionit publik, sipas nenit 2, të këtij ligji, zbatohen, sipas rastit, pika 2 ose 3 e këtij neni.

5. Për personat që plotësojnë kushtet shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, ndalimi që zbatohet për ta është vetëm pezullimi i ushtrimit të funksionit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji. Pezullimi zgjat përgjatë gjithë periudhës që ekzistojnë rrethanat për të cilat zbatohet ky ndalim. Pezullimi mbaron kur personi shpallet i pafajshëm. Kur personi dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë, ndaj tij zbatohen dispozitat përkatëse të këtij ligji, sipas llojit të veprës apo dënimit.

6. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'PD ka më shumë frikë nga të vetët', Bamir Topi: Mazhoranca ka strukturë të qëndrueshme elektorale! Rama luan në fushë të madhe

'PD ka më shumë frikë nga të vetët', Bamir Topi: Mazhoranca ka strukturë të qëndrueshme elektorale! Rama luan në fushë të madhe