Çfarë do të ndodhë tani mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit? Parashikimet për konfliktet janë gjithmonë të vështira. Në këtë rast, ato bëhen edhe më të ndërlikuara për shkak të një sërë rrethanash të paprecedenta:

Po luftohet për diçka – kontrollin e Ngushticës së Hormuzit – që para nisjes së luftës nuk ishte objekt mosmarrëveshjeje.

Pala dukshëm më e fortë e nënvlerësoi kundërshtarin më të dobët dhe, përmes deklaratave të liderit të saj, lëkundet mes kërcënimit për "zhdukjen e qytetërimit persian" dhe premtimit për "prosperitet për popullin e madh iranian".

Pala më e dobët i rezistoi sulmit të përbashkët të superfuqisë më të madhe botërore dhe fuqisë më të madhe rajonale në një mënyrë që i befasoi të dyja. Edhe pse kostoja ka qenë shumë e lartë – ekonomia iraniane është në prag kolapsi, me inflacion që ka arritur në 90% – tani ekziston rreziku që Irani të mbivlerësojë aftësitë e veta dhe të nxisë ose të favorizojë një përshkallëzim të ri të konfliktit.

Se situata është e paqartë dhe interpretimi i saj jashtëzakonisht i vështirë, këtë e konfirmon edhe një nga specialistët më të njohur të çështjes, Ali Vaez, drejtues i Iran Project pranë organizatës analitike International Crisis Group.

Brenda pak ditësh, ky analist me reputacion ka publikuar dy artikuj që mund të duken kontradiktorë.

I pari, i botuar dy ditë më parë në revistën Foreign Affairs, mban titullin: "Momenti i pazakontë i mundësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit – Si mund të hapë rrugën drejt paqes një konflikt që ka mbetur në ngërç."

I dyti, i botuar sot në The New York Times, ka një qasje shumë më të drejtpërdrejtë dhe shqetësuese: "Ajo që po merr formë është një luftë pa fund."

Pra, një moment mundësie apo një "luftë pa fund"?

Ka shumë gjasa që Ali Vaez, po të kishte zgjedhur vetë titujt e dy artikujve të tij, do t'u kishte dhënë një ton më pak kategorik. Po ashtu, është e mundur që përshkallëzimi i ri i sulmeve mes dy palëve gjatë ditëve të fundit dhe, mbi të gjitha, deklarata e Donald Trump – "Armëpushimi ka përfunduar" – ta kenë bërë atë më skeptik.

Megjithatë, pjesa më e madhe e analizës së tij mbetet bindëse dhe e dobishme. Prej saj mund të nxirren disa arsye për optimizëm dhe disa të tjera për pesimizëm.

5 arsye për të besuar se do të triumfojë diplomacia

1. Ngërçi aktual nuk i leverdis askujt

Kjo do të thotë se të dyja palët duhet të pranojnë realitetin: një fitore totale është e pamundur.

Ali Vaez është shumë i prerë për paaftësinë që, sipas tij, SHBA-ja ka treguar në këtë luftë:

"Uashingtoni është qartësisht i paaftë të rrëzojë Republikën Islamike, ta detyrojë të heqë dorë nga programi bërthamor, të ndalojë mbështetjen për aleatët rajonalë ose ta detyrojë të heqë dorë nga kontrolli i Ngushticës së Hormuzit."

Sipas tij, nëse nuk bëhet fjalë për një disfatë të plotë, është shumë pranë saj.

Nga ana tjetër, edhe regjimi iranian – tashmë më shumë ushtarak sesa teokratik – do të gabonte nëse do të mendonte se mund të largojë kundërshtarin e tij historik.

"Teherani nuk është në gjendje t'i detyrojë Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga rajoni apo të heqin dorë nga presioni ekonomik dhe ushtarak."

Me pak fjalë, nëse askush nuk mund t'i japë kundërshtarit goditjen vendimtare, atëherë të dy duhet të kënaqen me një barazim.

2. Pragmatistët po bëjnë të dëgjohet zëri i tyre

Edhe pse bëhet fjalë për dy qeveri krejtësisht të ndryshme, të dyja kanë brenda tyre figura pragmatike që e kuptojnë se ky ngërç është i paqëndrueshëm dhe mund të çojë në një luftë pa fund.

Nuk duhet nënvlerësuar fakti që amerikanët dhe iranianët janë ulur sërish përballë njëri-tjetrit pas gati dhjetë vitesh. Madje, në të dyja kryeqytetet po punohet për krijimin e një linje të drejtpërdrejtë komunikimi mes drejtuesve ushtarakë, mënyra më efektive për të shmangur që një incident të shndërrohet në luftë.

Kjo do të ishte një risi pas 47 vitesh armiqësie.

3. Shkatërrimi i marrëveshjes së Obamës nuk i shërbeu askujt

Këtu hyn në lojë marrëveshja bërthamore e vitit 2015 (JCPOA), e negociuar nga Barack Obama dhe e anuluar nga Donald Trump në vitin 2018.

Përtej aspektit teknik, ajo kishte edhe një vlerë politike: të krijonte besim mes dy vendeve dhe, me kalimin e kohës, të shmangte jo vetëm armën bërthamore iraniane, por edhe armiqësinë mes tyre.

Sipas Vaez, sot është e qartë se anulimi i saj nuk përfitoi askënd.

Politika amerikane e "presionit maksimal" nuk e detyroi Iranin të pranonte një marrëveshje më të mirë.

Nga ana tjetër, as regjimi iranian nuk fitoi: sanksionet e dobësuan ekonominë dhe shkaktuan protesta të përsëritura.

Realiteti është se lufta nuk i mjafton SHBA-së dhe mbijetesa nuk i mjafton Iranit.

4. Përvojat historike favorizojnë kompromisin

Shembulli më i rëndësishëm është Kina.

Për dekada, SHBA u përpoq ta frenonte, madje edhe përmes luftërave indirekte si Koreja dhe Vietnami.

Më pas ndryshoi strategji, duke zgjedhur dialogun.

Edhe Vietnami dëshmon se normalizimi i marrëdhënieve mund të jetë shumë më i dobishëm sesa konflikti.

Sipas Vaez, kjo histori tregon se edhe me Iranin kompromisi është i mundur.

5. Memorandumi përmban një element që mund të ndryshojë gjithçka

Ai parashikon lehtësimin gradual të sanksioneve.

Për Vaez, vetëm fakti që administrata Trump e ka pranuar këtë mundësi tregon se edhe vetë presidenti amerikan është i gatshëm të bëjë diçka që publikisht ka thënë se nuk do ta bënte.

Lehtësimi i sanksioneve do të nënkuptonte pranimin se vetëm presioni nuk funksionon pa diplomaci.

Kjo është një pranim shumë i vështirë për çdo president amerikan, veçanërisht për Trump, i cili e ka ndërtuar imazhin e tij politik mbi mospranimin e humbjes.

5 arsye për të besuar se lufta do të zgjasë shumë

1. Marrëveshja po vdes për shkak të paqartësive të saj

Një muaj pas nënshkrimit dhe një muaj para skadimit të saj, armëpushimi 60-ditor duket pranë dështimit.

Shkaku kryesor është se palët e interpretojnë ndryshe tekstin e marrëveshjes.

Kjo paqartësi nuk ka ndihmuar negociatat, por ka shtuar përplasjet.

2. Për Ngushticën e Hormuzit nuk ka pasur kurrë qartësi

Sulmet e ditëve të fundit tregojnë se marrëveshja nuk e ka rikthyer lirinë e lundrimit.

Memorandumi i kërkon Iranit të bëjë "çdo përpjekje të nevojshme" për të garantuar kalimin e lirë të anijeve tregtare, por nuk sqaron nëse kjo vlen për të gjithë ngushticën apo vetëm për ujërat veriore.

Kur Irani pa se SHBA përdorte pjesën pranë Omanit për të dobësuar ndikimin e tij, nisi të sulmonte anijet.

3. Ngushtica e Hormuzit ka zëvendësuar programin bërthamor si shkaku kryesor i konfliktit

Regjimi iranian e ka të vështirë të heqë dorë nga ky mjet presioni, të cilin nuk e kishte para luftës.

Edhe kampi që mbështet negociatat nuk e ka të lehtë të pranojë kthimin në gjendjen e mëparshme.

Nga ana tjetër, Trump e di se para luftës Ngushtica e Hormuzit ishte plotësisht e lundrueshme dhe se rikthimi i këtij normaliteti është objektivi minimal që duhet të arrijë.

4. Rreziku i keqkuptimeve dhe kufiri i durimit

Për një kohë të gjatë është menduar se Irani nuk i besonte më kërcënimeve të Trump.

Por ekziston edhe rreziku i kundërt: që tani iranianët t'i marrin fjalët e tij plotësisht seriozisht dhe të besojnë se ai është gati të rifillojë një luftë totale.

Sipas Vaez, kështu funksionojnë konfliktet e përhershme:

secila palë e sheh përshkallëzimin e tjetrit si agresion;

ndërsa veprimet e veta i konsideron mbrojtje.

Irani beson se çmimet e naftës, paqëndrueshmëria e tregjeve dhe zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA do ta frenojnë Trumpin.

SHBA beson se Irani do të dobësohet nga kriza ekonomike dhe humbjet ushtarake.

Kjo është logjika e një "forever war": secila palë përdor dhunën për të testuar rezistencën e kundërshtarit dhe lufta shndërrohet në një formë negociimi me mjete të tjera.

5. Aleatët e vështirë dhe krizat e tjera rajonale

Së pari është Izraeli.

Me Benjamin Netanyahun dhe të djathtën ekstreme në pushtet, qeveria izraelite nuk e fsheh se nuk beson në një marrëveshje me Iranin dhe preferon vazhdimin e luftës.

Për më tepër, siç thekson edhe Vaez, një paqe e qëndrueshme me Iranin është e pamundur pa zgjidhur edhe krizat e tjera të Lindjes së Mesme: Libanin, Palestinën dhe Sirinë.

Pra, të kuptosh se si do të përfundojë ky konflikt është gjithnjë e më e vështirë.

Megjithatë, historia ofron një busull orientuese:

"Diplomacia rrallëherë fillon me qartësi morale. Ajo fillon kur kostoja e iluzioneve bëhet më e madhe sesa shqetësimi për t'u përballur me realitetin."/ Corriere della Sera