Pamje nga protesta para ambasadës së Iranit në Londër

Revolucionet rrallëherë bien në sy që në momentin kur nisin. Shpesh, pushteti vazhdon rutinën sikur asgjë nuk po ndodh. Edhe tani, Ali Khamenei shfaqet si zakonisht para mbështetësve të tij, ndërsa në rrugë pritet interneti , protestuesit qëllohen dhe arrestohen. Ai i quan “vandalë që duan t’i bëjnë qejfin Trumpit”. Ndoshta një ditë historia do ta quajë këtë verbëri. Ose arrogancë.

Irani, në fakt, ka vite që lëkunded Që nga viti 2009, kur miliona njerëz dolën në rrugë kundër manipulimit të zgjedhjeve, regjimi kishte një shans të reformohej. Zgjodhi shtypjen. Sot është edhe më i dobët: i goditur nga dekada sanksionesh, i izoluar dhe i ekspozuar pas goditjeve që Izraeli i ka dhënë boshtit iranian në rajon.

Ku ndryshon kjo revoltë nga të tjerat?

Këtë herë po ndodh diçka që më parë ndodhte rrallë: pakënaqësia politike dhe ajo ekonomike janë bashkuar.

Në rrugë po dalin bashkë të varfërit, studentët dhe tregtarët, të cilët tradicionalisht kanë qenë pranë regjimit. 

Dhe mbi të gjitha, është shfaqur një faktor i tretë vendimtar: pakicat etnike. Protestat më të përgjakshme kanë ndodhur në zonat kurde, azere dhe arabe. Nuk është rastësi që Mahsa Amini, simboli i revoltës “Grua, Jetë, Liri”, ishte kurde.

Kur të papunët, klasa e mesme dhe pakicat lëvizin së bashku, regjimi e ka shumë më të vështirë të mbijetojë.

Por pushteti ende nuk ka rënë

Regjimi iranian mbetet i fortë. Ka aparate represive besnike dhe mban një kontroll ekonomik mbi familjet: “mbaje djalin në shtëpi ose humb punën”. Frika ende funksionon.

Por ka edhe një dimension tjetër, më të madh se vetë Irani.

Që nga viti 1979, Republika Islamike është armike e Shtetet e Bashkuara dhe Izraelit. Armiqësi e ndërsjellë. Projekti iranian për të eksportuar islamin shiit shihet si kërcënim ekzistencial nga Izraeli dhe strategjik nga Uashingtoni. Ajatollahët kërkojnë ndikim edhe mes sunitëve – pikërisht ajo që SHBA-të nuk e duan: unitetin e botës islame.

Kjo revoltë nuk ndodh në vakum. Ndodh në mes të një lufte të ftohtë rajonale. Dhe kjo e bën më të rrezikshme për regjimin.

Çfarë po bën Amerika?

Uashingtoni e di se nuk mund ta pushtojë Iranin. Iraku dhe Afganistani janë ende plagë të hapura. Megjithatë, Donald Trump ka vendosur një vijë të kuqe: nëse represioni kthehet në masakër, SHBA-të do të ndërhyjnë ushtarakisht, me bomba dhe jo me trupa në terren. 

Dikur, opozita iraniane e refuzonte hapur ndërhyrjen e huaj. Sot, kjo tabu po lëkundet.

Roli i Pahlavit dhe nostalgjia për monarkinë

Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, është vënë në lëvizje. Nga mërgimi, mes Los Angelesit dhe Parisit,  ai u bën thirrje iranianëve për revolucion. Pahlavi ka mbështetje të dukshme në diasporë. Madje edhe në rrugë dëgjohen thirrje për kthimin e tij.

Më 13 janar Pahlavi pritet të jetë në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, duke u ofruar si figurë tranzicioni. Nostalgjia për monarkinë po shtohet mbi zhgënjimin ekonomik dhe politik.

Por a mjafton kjo për ta rrëzuar regjimin? Jo.

Dy skenarë të errët

Sipas analizës së Corriere della Seras, ka dy rrugë të mundshme: 

Skenari “libanez–venezuelian”

Goditje kirurgjikale ndaj udhëheqjes: inteligjencë, avionë luftarakë, eliminim i “kokës së gjarprit”. Senatorë amerikanë flasin hapur për eliminimin e Khameneit ndërsa Trump nuk njihet për skrupuj ligjorë.

Skenari sirian

Armatosje dhe financim i çdo grupi kundër regjimit. Një luftë e gjatë, shkatërruese. Në Siri mori 650 mijë jetë njerëzish. Regjimi ra, por vendi u shkatërrua.

Vetë Irani shpreson të mos përfundojë kështu.

Por historia rrallë sillet sipas shpresës. /CorrieredellaSera 


Lajmi kryesor:

65 viktima e mbi 2300 të plagosur nga protestat në Iran, regjimi qëllon mbi protestuesit! Trump premton: Do jemi aty për t'ju ndihmuar të fitoni lirinë