TIRANE- Agim Kajmaku do të ankimojë në Gjykatën Administrative vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta shkarkuar nga posti i kryebashkiakut të Vorës. Kështu deklaroi në studion e Report Tv avokati i tij Isuf Shehu. Shehu u shpreh se nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga shteti grek lidhur me rastin e Kajmakut, ndërsa u shpreh Kajmaku e ka deklaruar në formularin emrin Jorgo Toto. Ai tha se klienti i tij ka marrë pafajësinë nga Gjykata e Janinës.
Pyetjes nëse klienti i tij do të shkojë në burg për mashtrim në formularin e dekriminalizimit, Shehu iu përgjigj duke thënë se për të shkuar në burg duhet të kesh shkelur ligjin.
"Kajmaku do t'i shkojë të vërtetës deri në fund dhe po paraqesë ankkimim brenda 45 ditëve në Gjykatën Administative. Nuk ka letër këmbimi nga shteti grek. Është dërguar kërkesa por nuk ka një përgjigje nga shteti grek. Kur kërkohen informacione nga organe të tjera kërkohet që t'i drejtohesh prokurorive përkatëse. Një nga ato veprime që nuk është kryer është edhe vënia në dispozicion e dispozitave ligjore.
Jorgo Toto është shpallur i pafajshëm në Greqi. Ka marrë nje vendim pafajësie. Hetimi dhe procedimi janë kryer në mungesë. KQZ e disponon dokumentin që ka marrë pafajësi. Është zhvilluar një procedurë hetimore për përdorim të monedhave false. Është proceduar dhe më pas me vendim të formës së prerë është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Janinës. Duhet të kemi parasysh se ai është shpallur i pafajshëm. Dënimi i tij nuk duhet të ishte deklaruar. Për ato vepra që janë të diktuara në dipsozitë duhet të bëhet deklarimi. Ai ka deklaruar të gjithë ato gjëra që diktoheshin nga dispozitat e ligjit në fjalë. Sot ishin përballë KQZ. Denar Biba e tha qartë se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë është në kundërshtim me ligjin, por nuk mund të dilet kundër këtij vendimi. Formulari përcakton se duhet bërë deklarim të arrestimeve. Kajmaku nuk e ka shkelur ligjin. Vendimi i Kuvendit nuk të barazohet me ligj.
Nuk mund të shkosh në burg se do politika, por duhet të kesh shkelur ligjin. Deri më tani nuk ka shkuar asnjë në burg për këtë çështje", u shpreh Shehu.
Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi KQZ-së t'i heqë mandatin Kajmakut, pasi nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit faktin që ka qenë i arrestuar dhe hetuar në Greqi.