TIRANË - Pikëpyetja e madhe nëse diaspora shqiptare do të votojë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës u debatua në ‘Repolitix’ me të ftuarit e Denis Mingës. Deputeti socialist Lavdrim Krashi është i sigurt se mërgata shqiptare do të votojë.
'Sa herë ka pasur vështirësi Shqipëria diaspora i është gjetur pranë. Diaspora trokiti në derën e shqiptarëve edhe për Covid 19.
Meraku më i madh për mua krijimi i raportit të drejtë të kombit shqiptar me krejt mërgatën. Nuk pretendoj që gjërat janë perfektë. Shteti shqiptar ka reaguar me vonesë për krijimin e këtij raporti. Dhënia e të drejtës së votës do e forcojë të marrëdhënie. Ajo që refuzoj të bëj është të hyj në debate ky e tha kështu, ai e bëri kështu. Nuk kam parë që të kërkoj një letër nga një vend në një vend tjetër, që të zgjas 15 ditë për të vajtur një letër.'
Gazetarja Esiona Konomi ngriti shqetësime për koston dhe kohën që kërkon procesi i dërgimit të fletëve të votimit përmes postës.
'Dërgimi i letrës nuk bëhet me avion, bëhet me kompani postare. Janë 4 kompani me interes në KQZ. Të katërta duhen 30 ditë që ta marrim zarfin ta çojmë tek emigranti dhe ta kthejmë. Ndryshe bëhet me postë ekspres, ku shteti nuk paguan kthimin e fletës. Një votë mund të shkojë në 100 euro deri 200 euro për votues. Partitë nuk kanë dhënë ndonjë këndvështrim. Gjiknuri thotë afati i fundit do jetë janari. Ose do prodhohet fleta e votimit më herët dhe të dorëzoheshin listat e kandidatëve më herët. Nëse vota hyn pas orës 7 pasdite në ditën e zgjedhjes, ajo digjet.'
Pano Soko akuzoi partitë politike për mungesë vullneti, duke pretenduar se diaspora ka një votë të lirë që mund të ndryshojë balancat politike në Shqipëri.
'Nuk e kanë vullnetin për ta bërë. E bën të detyruar nga Gjykata Kushtetuese. Do të mundohen ta pengojnë sa më shumë. Pse nuk e duan, sepse diaspora e ka votën e lirë. Nuk i mban të varur. Është votë e lirë, dhe është votë e madhe. Janë 1.7 mln votues. Nëse diaspora vërtet angazhohet përmbys gjithçka. Përballë mundësisë së një cunami të tillë, do bëjnë gjithçka për të mos e lejuar.
Duke qenë se janë shumë kanë frikën se mund të ndodhi ndonjë përmbysje e madhe. Janë njerëz të lirë dhe nuk ke ku i kap. Do pengojnë në çdo hap, do ta bëjnë shumë të vështirë. Edhe ndërhyrjen në ligj e kanë justifikim. Presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ndërhyrë në ligj.'
Rezart Kthupi shtoi se vonesat për zgjidhjen e çështjeve teknike mund të jenë një mënyrë për të shmangur realizimin e votës.
'Nëse dështon për teknikalitete, nuk dështon më për parim ligjor. Kjo është hileja e madhe që fshihet. Këta dy palët, që bën 106 vota në korrik, i bëjnë në çdo kohë. Bëhet cic mic mes Gjiknurit dhe PD-ja. Dhe thonë nëse do pala tjetër bëhet. A kanë komunikim palët?!'
Juristi Alban Daci theksoi se Partia Socialiste, falë makinerisë së saj të pushtetit, mund të jetë përfituese kryesore e këtij procesi.
'Partitë e vogla dhe opozitën mendoj se votimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë, pasi jemi ai vend ku ambasadori që jeton jashtë nuk voton po nuk erdhi në Shqipëri. Kjo formë aktuale ka disa problematika, dhe del e favorizuar PS dhe do marr pjesën që i takon. E para, mundësimi i votës së shqiptarëve jashtë duhej përfshirë në fondin e partive politike që edhe partitë e vogla të mbulojnë udhëtimet jashtë. Kemi një tendencë të partive të mëdhaja për të ruajtur establishmentin politik dhe një parti e vogël të mbetet e vogël. Unë them do bëhet dhe fituese e vetme do jetë PS. Nga ky proces do jetë fituese PS, kemi shërbim diplomatik i politizuar. Derivat i pushtetit. Është dhe fakti që PS e ka të gjithë makinerinë e pushtetit për të përdorur dhe ndryshuar mendjen e votuesit.'
Pavarësisht sfidave dhe dyshimeve, mbetet për t'u parë nëse diaspora do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, një vendim që pritet të ketë ndikim të madh në skenën politike shqiptare.