A duhen besuar udhëheqësit në fushatë? Apo 'hajt se folim'?!

A duhen besuar udhëheqësit në fushatë? Apo 'hajt se folim'?!

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje mjafton që të kthehemi pas në kohë, për të parë se çfarë kanë thënë ata në fushatat paraardhëse, çfarë kanë bërë sapo janë mbyllur kutitë e votimit, dhe në këtë kontekst duhen parë edhe se çfarë deklarojnë sa vijnë zgjedhjet e tjera.

Zgjedhjet e këtij viti janë të ndikuara gjerësisht nga rregullat anti-Covid, edhe pse shihet që partitë pak i respektojnë ato. Kur liderët shfaqen në grumbullime masive, që vënë në rrezik shëndetin e dhjetra qytetarëve, imagjinoni çfarë bëjnë skalionet e dyta dhe të treta në takimet e përditshme pa kamera dhe publicitet.

Për t’iu kthyer pyetjes së mësipërme, le të marrim si shembull zgjedhjet e 2017.

Ishin ndoshta ndër të paktat fushata të qeta relativisht dhe ku secila parti garonte më vete, për hesapin e vet, me listën e saj dhe me synimin për të kapur sa më shumë vota. Pa koalicione të deklaruara parazgjedhore dhe pa aleanca të firmosura paszgjedhore, dhe më shumë se programet shpaloste proklamata. Të gjithë ishin të qartë se çfarë kërkonin, si e kërkonin dhe ku donin të arrinin.

Partia Socialiste, domethënë Edi Rama, kërkonte tepsinë i vetëm, duke hedhur në publik tezën e pengesës së LSI-së në qeverisje. Rama përfitoi asokohe nga një lloj reaksioni që LSI kishte akumuluar në publik si parti pragmatiste, kushtëzuese dhe përfituese e pushtetit përtej peshës reale elektorale, gati gati abuzuese me pushtetin dhe paratë publike.

Por nëse Edi Rama nuk e thoshte qartë, Lulzim Basha e artikulonte më fortë se sa Kryeministri, tubim më tubim, qytet më qytet, se do ta çonte për skrap LSI-në, një parti biznes shpk. I sigurt ndoshta në bashkëqeverisjen e ardhshme me socialistë që do të kishin nevojën e 71 votave për të qeverisur dhe që ai nuk besonte se do t’i arrinin vetë.

Ilir Meta, asokohe President i zgjedhur, ende jo në detyrë, duke parë se gjendej mes dy zjarreve, ku vetëm një muaj më parë kishte qenë në koalicion me Edi Ramën dhe në flirtim gati të hapur me Lulzim Bashën në çadër, po ndjente rrezikun e shtypjes nga dy partitë e mëdha dhe nuk e kurseu veten edhe ai takim më takim, qytet më qytet, që të mbante të paktën rolin e “kingmakerit” të nesërm në qeverisje.

Deri sa erdhëm në ditën e zgjedhjeve dhe pjesa tjetër është histori, sepse të gjiithë e dimë se kush fitoi e kush humbi.

Katër muaj më vonë të gjithë thuajse harruan çfarë kishin thënë në fushatë. Aq më tepër tani, pothuajse katër vjet më pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.

Të vijmë tani, katër vjet më pas.

Edi Rama vazhdon të jetë i qartë, ndoshta më i qartë se atëherë për LSI-në dhe Ilir Metën. Në totalin e deklaratave të tij, Edi Rama ka më shumë qëndrime ndaj LSI-së dhe Ilir Metës se sa ndaj Lulzim Bashës. Aq sa duket se këtij të fundit po i shkel syrin jo edhe aq fshehurazi.

Tre vjet e nëntë muaj nga deklarata e parë e fortë që bëri kundër LSI-së së Ilir Metës, si parti shpk dhe se në 25 qershor do ta çonte për skrap, nga i njëjti qytet, nga Shkodra, Lulzim Basha u pyet sërish, këtë radhë për një koalicion me PS-në pas zgjedhjeve duke deklaruar se “nuk ka asnjë shans”.

Lulzim Basha ndihet nën presionin e të qenit një lider i pabesueshëm, si brenda partisë së tij dhe tek aleati LSI kur vjen puna për vendime që lidhen me pushtetin dhe të ardhmen e tij politike. 17 maji i 2017 ka lënë shumë plagë brenda PD-së dhe shumë skepticizëm ende brenda aleatëve. Deklarata e tij është një dozë vaksine për të qetësuar shpirtrat e trazuar tek aleati më i vogël. Nuk mund të vihet në dyshim se deklarata e Bashës është e sinqertë sot, siç ishte para katër vitesh edhe ajo për çuarjen e LSI-së për skrap. Por sinqeriteti në politikë ndryshon kur ndryshojnë numrat pas zgjedhjeve.

“Më gënjeve një herë është faji yt, më gënjeve për të dytën herë është faji im”.

Këtë deklaratë të Lulzim Bashës drejtuar Ramës së 2017-ës, duket se më shumë se vetë Basha e ka vënë vath në vesh LSI dhe Ilir Meta. Pavarësisht se nuk e artikulojnë, në LSI ja kanë pak frikën Bashës për ditën e pas zgjedhjeve, sidomos nëse rezultati nuk do të jetë ai që pritet në opozitë. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe markimi që Meta po i bën liderit të PD-së, presioni që ai po e mban çdo ditë Lulzim Bashën me dublimin qoftë në aksionin agresiv opozitar qoftë edhe me kërcënimin për lidershipin e nesërm të opozitës.

Prandaj deklaratat që “ska asnjë shans” për koalicion PS-PD pas zgjedhjeve duhen besuar si të vërteta deri ditën e zgjedhjeve.

Sali Berisha, gjatë gjithë karrierës së tij politike, që nga Nano deri te Meta, sidomos në 2009, na ka mësuar se “kurrë nuk thuhet kurrë” në politikë, aq më tepër kur bëhet fjalë për pushtetin. Në 26 prill gjithçka mund të harrohet siç u harrua edhe “çuarja për skrap e shpk-së LSI-së”.

Pas një muaji e gjysëm, nëse asgjë nuk shkon siç shpresohet, Basha të njëjtës pyetje mund t’i përgjigjet: “Hajt se folim”./SI

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës