Zgjedhjet e 11 Majit po afrojnë, por pyetja që kërkon një përgjigje për opinionin publik është se si do të sillet opozita, a do krijohet front opozitar, me listë të përbashkët apo do garojnë të ndara.
Sa shanse kanë partitë e reja politike dhe cilat janë përgatitjet për votën e diasporës. Këto ishin temat e diskutuara sot në ‘Studio Live”, të gazetarit Arbër Hitaj në Report TV.
Të ftuar ishin Besart Logu, përfaqësues i Demokratëve Euroatlantikë dhe Besnik Jakaj, anëtar kryesie i Partisë së Lirisë.
Të dy të pranishmit theksuan nevojën që opozita të ishte e bashkuar për të maksimalizuar votën, por sipas Logut jo me zotin Berisha në krye të PD-së, pasi sipas tij, ish-kryeministri ndodhet nën akuzë dhe e ka mbyllur misionin e tij.
Kurse për Demokratët Euroatlantikë ai u shpreh se do kandidojnë të vetëm dhe se presin të marrin 13-15 mandate deputetësh dhe listat janë në përfundim, ku ka mbetur vetëm Tirana. Logu tha se nuk i beson marrëveshjes PD-PS për votën e Diasporës dhe as procesit të numërimit nga Celibashi.
Kurse Jakaj theksoi se arrestimi i Ilir Metës e pengon punën elektorale, por jo kurajën për të vijuar punën. Ai bëri thirrje për listë të përbashkët opozitare në zgjedhjet e 11 Majit, teksa shprehu dyshimet edhe për menaxhimin e votës së diasporës nga KQZ apo transparencën e numërimit të saj.
“Diaspora ka qenë problem madhor ndër vite, por në fund iu dha e drejta për të votuar. Komunikojmë me Diasporën si Parti e Lirisë dhe në statusin tonë kemi të përfshirë 20% që i përket Diasporës e sanksionuar nga Kryesia e PL. Kemi marrë modalitetet e procesit të regjistrimit, jam skeptik për procesin, ka shumë pikëpyetje për diasporën për të garantuar vullnetin e qartë të shprehjes. Nëse ka vështirësi, burokraci, ulet dhe numri i votuesve. Celibashi është po aq politik sa Rama, ka qenë me të majtën që hershëm. Një person që kalon nga zv/ministër, ministër, anëtar etj., që nga rinia deri në moshën aktuale, s’është më njeri teknik, por politik. Nuk e kam me emrin e Celibashit, por kjo është e dukshme”, tha Logu.
Ai akuzoi edhe kryeministrin Rama ka bërë takime pompoze.
“Shumica e pjesëmarrësve ka qenë nga Shqipëria. Rama me falangat e tij po përgatit opinionin publik për manipulimin e votës së diasporës. Në 11 vite të qeverisjes së Ramës janë larguar mbi 1 milionë shqiptarë që nuk votojnë Ramën, por forcat opozitare. Unë besoj se mbi 70% e votës së emigrantëve i përket opozitës. Por detyra jonë është të mbrojmë votën e emigrantëve dhe të qytetarëve shqiptarë. Rëndësi ka që të jetë votë antiqeveri”, thekson anëtari i PL.
Ai e cilësoi arrestimin e kryetarit Ilir Meta si mafioz dhe të paligjshëm dhe me motive politike. Por si mendon ai për strategjinë elektorale?
“Arrestimi i tij ndikon në procesin elektoral, por nuk na pengon. Gjendja e Metës edhe nga pikëpamja shëndetësore dhe morale është shumë e mirë. Arrestimi i tij është politik, pse e arrestuan? Opozita shqiptare nuk e ka luksin të jetë e fragmentuar apo e çarë, sepse kjo i shërben Ramës. Mendimi im dhe i PL është të bashkohen të gjitha forcat për të rrëzuar qeverinë Rama. Jemi patjetër për një listë të përbashkët në opozitë, për të maksimizuar votën (me PD). PL ka votat e saj, është e gatshme të hyjë dhe vetëm, por sa na shërben kjo? Se u provua edhe më 2021, ku opozita e gjithë ka më shumë vota se mazhoranca, pavarësisht ndërhyrjeve, vjedhjeve, pandemia etj. Në vitin 2021 u bë gabim strategjik nga zoti Basha dhe Kryemadhi në zgjedhjet e vitit 2021. Nuk ka pasur takim mes palëve PL-PD në atë kohë, s’është e vërtetë”, thotë Jakaj.
Kurse anëtari i Demokratët Euroatlantikë tha se ka dyshime për votën e diasporës.
“Unë kam shumë dyshime në lidhje me procesin e regjistrimit të votuesve të Diasporës, votimi, e në fund numërimi i tyre. Ne ishim për votimin e të gjithë shqiptarëve të diasporës, këta e bënë me dokumente. Procesi i votës gjithashtu i vështirë. Jeta e rrugës është reflektuar në institucione, me drejtorë që rrihen, vriten, arrestohen etj. Në fund numërimi i votës që e ka KQZ, Celibashi dhe Gjiknuri. Celibashi shprehu opinione personale, është i thekur politik, zgjatim i Ramës, teksa tha edhe që “në opinionin tim, Berisha është kryetari i PD”. Ne kërkuam KZAZ në ambasada, siç e ka Turqia psh., apo vende të tjera. Përderisa ato PD-PS pranuan që votat të numërohen në KQZ, të dyja janë bërë bashkë për votën e emigrantëve. Dyshoj se do të ketë pjesëmarrje të madhe, sepse ndërhyrja brutale që po bëjnë Balla e të tjerët. Ose kjo është propagandë dhe asgjë, ose Balla lëviz me krimin shqiptar në diasporë!”, u shpreh Logu.
Ai shprehu mendimin rreth zgjedhjeve se vota e emigrantëve është dukshëm antiqeveri, por jo domosdoshmërisht ndaj PD.
“PD-PS bashkuan votat për Celibashin që të numërojë votat dhe për marrëveshjen, bashkoi votat për listat, për kodin zgjedhor. Rama-Berisha-Meta ranë dakord që Celibashi të numërojë votat. Këta janë nën proces penal, kanë probleme, nuk përfaqësojnë më opozitën, e sidomos Berisha, e ka humbur legjimitetin e përfaqësimit. Ju jeni të varur nga qeveria dhe nxirrni vetëm 4 mandate që i kërkoni nga lista e PD (i drejtohet Jakajt)”, thekson anëtari i DA.
Në fund ai tregon edhe ambicien dhe planet zgjedhore të partisë së re të drejtuar nga Lulzim Basha.
“Vetëm Tirana ka mbetur, pasi rrethet janë mbyllur për listën e zgjedhjeve. Janë drejt konsolidimit. Çmoj se deri tani nuk është se ka listë të përbashkët. Por kemi një rezultat me 103 mijë vota më 14 Maj, edhe pse me çorientim. Synojmë 13-15 deputetë, kryesisht qarqet e veriut dhe Shqipërinë e Mesme”.