A duhet që PD-ja të mos ekzistojë më?

A duhet që PD-ja të mos ekzistojë më?

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Pavarësisht nga titulli, kur bëhet fjalë për mosekzistencën e PD-së, nuk bëhet fjalë kurrsesi për kthimin në kohën e sistemit të urryer monist.

Dhe aq më pak për një blasfemi ndaj partisë së parë demokratike në vend.

Për më tepër kur është provuar se pluralizmi politik, së bashku me ekonominë e tregut –   përbëjnë bazat e një shoqërie të lirë dhe të begatë.

Nevoja e nxjerrjes jashtë lojës përfundimisht të PD-së ka të bëjë me arsye të tjera.

Dihet se në të gjitha vendet e përparuara perëndimore opozita konsiderohet si një aset i vyer, që ndihmon në përparimin e shoqërisë, ruajtjen dhe forcimin e të drejtave civile, shpërndarjen më të mirë të pasurisë etj etj.

Vetëm në vendet diktatoriale opozitën e shohin si pengesë që duhet shtypur dhe shkatërruar.

Me përjashtime të rralla në vendet demokratike kemi rotacione të rregullta të pushtetit ndërmjet pozitës dhe opozitës. Pothuajse çdo 8 vjet. Vetëm në raste të rralla, kur qeveria në pushtet plotëson shumicën e kërkesave të zgjedhësve të saj, kemi ndryshime pushteti pas 12 ose 16 vjetësh.

Por në demokraci rotacioni nuk është i gdhëndur në mermer, si diçka që duhet të ngjasë domosdo çdo 8 vjet dhe pavarësisht nga rrethanat.

Historikisht në shumicën dërrmuese të rasteve opozita që ka humbur pushtetin përpiqet të nxjerrë shkaqet e humbjes dhe arsyet e fitores së kundërshtarit. Si detyrë e parë pas humbjes, ajo e zhvillon fillimisht brenda vetes rotacionin, në formën e qarkullimit dhe zëvendësimit të drejtuesve.

Ata që janë përgjegjës për humbjen, me arsye apo pa arsye, largohen. Në krye del një ekip i ri me fytyra të reja. « Ne nuk jemi si ata që ikën. Ne jemi më të aftë, më të ndershëm, më të përkushtuar, ne kemi një program ideologjik dhe ekonomik të përmirësuar ndjeshëm në krahasim me paraardhësit tanë, etj etj. ».

Kjo është «maska » që vendosin në fytyrë pothuajse të gjitha opozitat, kur duan të rivinë në pushtet.

Njëkohësisht opozita vëzhgon me vëmëndjen më të madhe çdo veprim të pushtetit, sidomos gabimet e tij të mundshme. Shkatërrimi i imazhit të kundërshtarit si i pazoti, i korruptuar, që nuk mendon për hallet e popullit të thjeshtë etj etj, janë akuzat bazë që pothuajse çdo opozitë i drejton pushtetit

Qëllimi kryesor është që të harrohen ose fshihen gabimet e së kaluarës. Dhe nga e rrëzuar nga pushteti për mëkatet e saj të shkuara, ajo të paraqitet si shpresa e së ardhmes !

Dhe një taktikë e tillë funksionon thuajse gjithmonë. Zgjedhësit, shpesh herë të zhgënjyer përsëri nga ata që kanë marrë pushtetin prej një apo më shumë legjislaturash i hedhin sytë me shpresë te premtimet e opozitës.

Nga ana tjetër çdo qeveri në pushtet përpiqet me të gjitha mjetet që ky skenar të mos ngjasë, duke bërë më të mirën që mundet. Janë në lojë privilegje, interesa, pa përmendur këtu idetë dhe ideologjinë partiake.

Dhe në këtê mënyrë, duke zëvendësuar njëra tjetrën,  duke punuar për të fituar zgjedhjet e ardhshme, partitë janë të detyruara të japin më të mirën e vetes së tyre. Dashur pa dashur vendi përparon. Sa në fushën e demokracisë, aq edhe në atë të mirëqënies dhe sigurisë.

Çdokush e kujton sot se po në këtê mënyrë rierdhi në pushtet edhe Partia Demokratike në vitin  2005. U krijuar KOP-i i famshëm, u premtua se do qeveriset me « duar tê pastra”, u akuzua korrupsioni i përhapur nën qeverisjen e Nanos etj etj.

Dhe e pamundura ngjau. PD-ja e rifitoi pushtetin. Sa për këto arsye, aq edhe për shkak të luftës së brendshme në gjirin e PS-së.

Dhe nuk duhet harruar se rierdhi në pushtet partia që kishte lejuar dhe mbështetur krijimin e firmave piramidale, që kishte shkaktuar vitin e tmerrshëm 1997, që kishte hapur depot e ushtrisë, që nxiste Veriun kundër Jugut dhe mijëra marrëzira dhe krime të tjera.

Pa folur këtu për katrahurën e jashtëzakonshme të krijuar gjatë viteve 1992 – 1996 me rrafshimin e të gjitha fabrikave, uzinave dhe ndërmarrjeve qê ekzistonin ende, megjithëse me kapacitet super të reduktuar,  apo vjedhjen e votave më 1996. Etj etj.

Të njëjtën taktikë PD-ja u përpoq ta përsëriste për herë të dytë më 25 prill. Kishin kaluar 8 vite të tjera që ajo po vuante në opozitë dhe shumë analistë dhe militantë të saj e konsideronin si fare të natyrshme që opozita të rivinte përsëri në krye të punëve të vendit.

Ata mendonin se pushteti ishte i konsumuar dhe i lodhur. Se korrupsioni i kishte zhgënjyer dhe larguar njerëzit nga pushteti aktual.

Por nuk ngjau ashtu siç dëshironin dhe parashikonin politikanët dhe analistët  «  e pavarur » të masmediave shqiptare. PS-ja fitoi për herë të tretë rradhaz pushtetin dhe për herë të 5-të gjithsej gjatë këtyre 30 vjetevë pluralizëm politik.

Populli ka një shprehje të urtë që thotë se : « Nuk bie dy herë daci në kos ». Ose ndryshe, « Po më gënjeve herën e parë,  faji është i yti. Po më gënjeve herën e dytë, – faji është i imi ! » .

E vërteta e pa mohueshme e zgjedhjeve të 25 prillit të kaluar ishte se PD-ja nuk mundi të ofronte asgjë të re që ta bënte zgjedhësin të votonte për të. Për më keq akoma, asaj i mbaheshin mend edhe zullumet të tjera shtesë të ngjara gjatë dy mandateve 2005 – 2013. Siç ishin ngjarjet e përgjakshme të 21 janarit në bulevard, tragjedia e Gërdecit etj.

Prandaj “daci” nuk ra dy herë në kos!

Simpatizantët e PS-së u hodhën përpjetë nga gëzimi pas fitores së këtyre zgjedhjeve që disa i kishin cilësuar si “Nëna e të gjitha zgjedhjeve”!

 Ata të PD-së veçse nxinin dhe sterrosnin.

Por pyetja kryesore që shtrohet tani është: Po për vendin fitorja e tretë rradhazi e Edi Ramës, dhe mundësitë reale për një fitore të katërt më 2025-ën, janë një ogur i mirë dhe pozitiv, apo diçka negative?!

Po të gjykosh me emocion, fitorja e “Rilindjes” nuk mund të jetë veçse e mirëpritur për përparimin, stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Por po të arsyetosh me mëndje të ftohtë, jo gjithçka është “rozë”.

Partia Socialiste është sot e qetë, më e sigurtë se kurrë më parë në forcën e saj.

Krejt e kundërta mund të thuhet për PD-në.

Por e keqja është se në skakierën politike dhe demokratike të vendit sot nuk ka më

konkurrencë, nuk ka alternativë.  

Dhe ky është një lajm dëshpërues për gjithë shoqërinë shqiptare.

Nga njëra anë një parti e gjithfuqishme në pushtet dhe nga ana tjetër një parti e shkapërdarë.

Njihet dhe është provuar gjërësisht se debatet, modelet e ndryshme ekonomike, platformat rivale ideologjike, karizma e drejtuesve të tyre  sa ndihmojnë në zgjedhjen më të mirë të problemeve me të cilat përballet çdo vend, aq edhe pengojnë kur këto dukuri mungojnë.

Dhe pak nga pak rutina, rehati dhe privilegjet në  partinë disa herë fituese zejnë vendin e parimeve, përkushtimit, punës dhe programeve të zhvillimit të shtetit.

Kur loz pa kundërshtar, ose me një ekip të kategorisë së tretë, dihet që nuk jep kurrë maksimumin e mundshëm.

Që vendi të përparojë, që elektorati të ketë të drejtën të bëjë zgjedhjen më të mirë dhe të duhur ndërmjet të gjitha programeve dhe platformave që shpalosin partitë, duhet të ketë patjetër rivalitet dhe konkurrencë.  Kur ato mungojnë gjithçka myket dhe vyshket.

PD-ja dha në këto zgjedhje maksimumin e saj.  Por përsëri pa sukses. Dhe ekziston mundësia që një skenar i tillë të përsëritet edhe pas 4 vjetëve të ardhshëm.

Sidomos pas « mandatës » që i erdhi ish kryetarit të saj historik nga Uashingtoni !

Por Shqipëria ka sot një nevojë urgjente për një opozitë të re dhe energjike. Që të shpalosë rrugë të tjera zhvillimi të ekonomisë, të forcimit të rendit, të hartimit dhe përmirësimit të një strategjie kombëtare ndërshqiptare,  në marrëdhënieve me fqinjët,  me Amerikën, Turqinë, BE-në etj.

Ajo nuk mund të presë më PD-në. Që është atrofizuar. Që nuk ngjall më besim. Që nuk ka vizion për të ardhmen e vendit! Që nuk ka më mbështetje në Perëndim! Që është kthyer në pengesën kryesore të mungesës së rotacionit politik në vend!

Aq më shumë që kohët e fundit po bëhet gjithmonë e më e qartë për të gjithë se kjo parti nuk i shërben më  interesave të Atdheut dhe të qytetarëve të saj, por thjesht ekziston veçse për të mbrojtur një klan familjar. Nga akuzat për përvetësim të pasurisë kombëtare, minimit të demokracisë, pengimit të vënies në jetë të drejtësisë, etj etj.

Historia botërore njeh me qindra raste, kur një parti politike zhduket nga skena. Vendin e saj e zëjnë parti të tjera, më vitale, me një program dhe vizion të ri.

Për të mos shkuar më larg se fqinjët, partia demokristiane italiane e De Gasperit, që sundoi vendin që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fundin e viteve ’80 të shekullit të kaluar sot nuk ekziston më. Po ashtu partia socialiste e Kraksit. Në Greqi si Pasoku i familjes Papandreu,  si Siriza e Cipras renditen sot nga fundi i kategorisë. Po ashtu partia e De Golit në Francë etj etj.

Pra shkrirja apo shuarja e një partie është një praktikë e zakonshme në jetën politike të çdo vendi. Dhe kjo nuk ka pse të konsiderohet si tragjedi apo fundi i botës !

Në Shqipëri ka 30 vjet që tonin e japin dy partitë kryesore, PD-ja dhe PS-ja. Me përjashtim të LSI-së që është edhe ajo drejt shkërmoqjes , partitë e tjera nuk kanë mundur të lindin. Hija e rëndë e PS-së dhe PD-së duket se nuk lejon që të lindin filiza të rinj.

Por nevoja për to është urgjente.  Çuditërisht edhe vetë diktatori kinez Mao Ce Dun e kishte kuptuar nevojën e debatit dhe konkurrencës kur u shpreh dikur : « Le të hapen 100 shkolla, le të çelin 100 lule » !

Dhe Shqipëria ka nevojë sot për një “lule” të re. Për një parti të re vërtet të djathtë. E shkëputur tërësisht nga historia dhe kupola e sotme apo e djeshme drejtuese e PD-së.

Makiazhet që disa përpiqen t’i bëjnë asaj që të duket ndryshe, ngjajnë si ai grimi që i bëhet një gruaje të vjetër dhe të lodhur nga jeta që të duket e re!

Koha po dëshmon se PD-ja e ka kryer misionin e saj. Ajo nuk ngjall më shpresë. Historia do të bëjë bilancin e të mirave dhe këqijave që ajo i ka sjellë vendit.

Por për të mirën e demokracisë dhe të përparimit të Shqipërisë është mirë që kjo parti, me hir apo me pahir,  të zhduket nga skena. Që të mundësohet lindja e një një partie të djathtë autentike. Me njerëz dhe program të ri. Që të ringjallë shpresën dhe të paraqesë një alternativë për elektoratin shqiptar.

Një parti që do të përbëjë pa asnjë dyshim një sfidë të vërtetë dhe të rrezikshme edhe për PS-në.  Që do ta detyrojë edhe atë që të shkundet nga plogështia, vetbesimi i tepëruar dhe vetkënaqësia dhe të punojë më mirë dhe më fort për popullin dhe vendin.

Me fshirjen e PD-së nga skena dhe lindjen e një partie të re të djathtë kësaj rradhe fitojnë me të vërtetë të gjithë.

Në rradhë të parë vetë demokratët e dëshpëruar dhe paralizuar nga humbjet e njëpasnjëshme. Fiton mbi të gjitha demokracia.

Atëhere edhe rotacioni do të jetë i mundur dhe i dobishëm për vendin./ Gazeta "Tema" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Populli flet!: 22/06/2021 15:48

    Shkurt dhe qarte: HIQENI NGA SKENA POLITIKE ate grupim te rrezikshem dhe anti demokratik dhe anti njerezor te quajtur gjoja parti pd. Ajo DUHET shpallur "NON GRADA" dhe DUHET cilesuar grupim teper i rrezikshem terrorist me rrezikshmeri te larte shoqerore dhe lideret e saj DUHEN DENUAR ME PUSHKATIM, per krime kundra njerezimit dhe ne veçanti kundra shoqerise shqiptare dhe Shqiperise. Banda e cubave, krimineleve dhe te super korruptuarve DUHET te zhduket.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë