Kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, e artikuluar prej protestuesve që prej një muaji dalin çdo mbrëmje para zyrës së tij, ishte në qendër të debatit të së mërkurës në emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report TV. Deputetja e PS, Aulona Bylykbashi dhe analisti Alban Daci mbrojtën dy qëndrime të kundërta për legjitimitetin e kësaj kërkese.
Bylykbashi tha se e drejta për të protestuar nuk vihet në diskutim, por sipas saj, kërkesa për dorëheqjen e Ramës nuk është legjitime, pasi qeveria është zgjedhur me votë. Ajo argumentoi se Shqipëria nuk mund të kthehet 100 vite mbrapsht për shkak të kërkesës së disa grupimeve në protestë.
“Çdo protestë është e drejtë demokratike. Sa i përket kërkesave të parashtruara në protestë, mendoj që ato nuk janë legjitime. Protesta nisi për një kauzë mjedisore, por tashmë kjo kërkesë është sfumuar dhe tani është bërë kërkesë politike për dorëheqjen e kryeministrit. A do ishte e drejtë që nga protestuesit të kërkohet rënia e një qeverie të krijuar përmes votës? Shqipëria është shtet i konsoliduar sa i përket aspektit ligjor dhe s’mund ta kthejmë Shqipërinë 100 vite mbrapsht për shkak të kërkesës së disa grupimeve që kanë interesa të ndryshme në protestë”, tha deputetja socialiste.
Në anën tjetër, analisti Alban Daci tha se kërkesa për dorëheqjen e një kryeministri është krejtësisht legjitime në një sistem demokratik, për sa kohë nuk synohet rrëzimi i tij me dhunë. Ai komentoi dhe përplasjet e një dite më parë kur protestuesit hodhën vezë mbi makinat e deputetëve duke thënë se nuk përbëjnë akt dhune kundër qeverisë. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve nuk e përjashton qeverinë nga përgjegjësia për t'u përballur me pakënaqësinë qytetare, ndërsa mazhoranca socialiste duhet të reflektojë ndaj protestës, në vend që ta justifikojë atë me teori konspirative.Për këtë arsye, Daci i bëri thirrje mazhorancës socialiste të reflektojë dhe të shmangë arrogancën.
“Këto protesta janë të destinuara të evolvojnë në raport me veten dhe pushtetin. Në bazë të sjelljes së pushtetit evolvon kjo protestë. Duke përjashtuar aktet e dhunës, në BE liderët hanë edhe torta në fytyrë dhe hedhja e vezëve që iu bë makinave të deputetëve nuk është ndonjë dhunë e jashtëzakonshme. Nuk jam dakord me deputeten. Të gjitha kërkesat janë legjitime. Të kërkosh dorëheqjen e një kryeministri është legjitime në aspektin politik. Këtë kanë të drejtë ta bëjnë ata që nuk janë dakord me kryeministrin. Që të kërkosh ta rrëzosh Ramën me dhunë se nuk jep dorëheqjen është jo legjitime. Justifikimet e Ramës se sapo ka dalë nga zgjedhjet janë pa lidhje. Pasja e 84 mandateve duhet ta bëjë shumicën më të përgjegjshme e jo më arrogante. S’ka asnjë mekanizëm tjetër se si t’i kërkosh llogari Ramës. Justifikimet me konspiracion agravojnë përballjen me qytetarët. Kjo shumicë duhet të reflektojë. Njerëzit që gjuajnë me vezë nuk kanë më çfarë të humbin. Kemi deputetë me makina luksoze që na bëjnë pasarela çdo të enjte. Kjo protestë, duke përjashtuar elementë të papranueshëm si agresionet fizike, çdo gjë tjetër është e pranueshme”, u shpreh Daci.
Debati vijoi edhe me mënyrën se si duhet zgjidhur përplasja mes protestuesve dhe qeverisë. Bylykbashi argumentoi se dorëheqja e një qeverie si pasojë e presionit të protestave do të krijonte një precedent destabilizues. Sipas saj, ndryshimi i pushtetit duhet të ndodhë përmes mekanizmave kushtetues dhe zgjedhjeve, ndaj protestuesit duhet të organizohen politikisht dhe të kërkojnë mbështetjen e qytetarëve me votë.
“Çfarë do të ndodhte sikur, dakord dhamë dorëheqjen ne, u mbajtën zgjedhjet dhe u krijua një qeveri e re dhe pas 6 muajsh ka prapë një protestë të re që kërkon dorëheqjen e qeverisë? Kështu ne krijojmë një precedent që sjell destabilitetin e Shqipërisë. Për këtë arsye, një shtet vepron me mekanizma ligjorë dhe kushtetues. Ne jemi 1 vit larg zgjedhjeve vendore. Protestuesit të organizohen politikisht, të bëhen gati, të futen në zgjedhje e të shohim mbështetjen që ata kanë”, tha ajo.
Daci kundërshtoi argumentin se legjitimiteti i qeverisë buron vetëm nga zgjedhjet, duke deklaruar se proceset zgjedhore në Shqipëri nuk kanë garantuar përfaqësim të plotë. Sipas tij, mazhoranca duhet të reflektojë dhe të rishikojë disa prej ligjeve që kanë shkaktuar debat publik, si ai për investitorët strategjikë dhe Paketa e Maleve.
“Shqipëria s’ka pasur zgjedhje asnjëherë. Ato të '92 kanë qenë demokratike, të tjerat kanë qenë në funksion të pushtetit e jo përfaqësimit. Ju keni detyrimin të flisni me vendime, me dekrete, rishikojeni ligjin e famshëm të investitorit strategjik. Paketa e Maleve do të jetë një plagë e pashërueshme sociale afatgjatë. Nëse qeveria rishikon këto ligje nuk është fundi i zhvillimit ekonomik”, përfundoi ai.
Komente









