Ftoi është një nga frutat që shumica e njerëzve e shohin si një shoqërues të dimrit, të shijshëm dhe të freskët për ditët e ftohta. Por, a mund të jetë ai një ilaç natyral për shumë probleme të shëndetit tonë? Në mjekësinë popullore, farërat dhe lëkura e ftoit janë përdorur si kura për stomakun, kolesterolin dhe imunitetin, por a ka ndonjë bazë shkencore për këto besime, apo janë thjesht tradita që kalojnë nga brezi në brez?

I ftuar në “Rreze Dielli” në Report TV, nutricionisti i njohur Altin Joka tregon se ftoi me të vërtetë është një nga frutat më të mira të këtij sezoni dhe duhet të shfrytëzohet sa më shumë për benefitet e shumta që sjell.

“Ftoi është sapuni lubrifikant për zorrët tuaja. Pektina e ftoit është e veçantë, ndihmon bakteret e mira të zorrëve si dhe pas vakteve ul nivelin e sheqerit në gjak. Eshtë ideal dhe për diabetikët”, theksoi Joka.

Ftoi përmban një element tjetër shumë të rëndësishëm, kuercentinën, e cila lufton alergjitë. Ftoi këshillohet të përdoret shumë edhe kur keni ftohje ose astmë.

“Nëse keni probleme me kollën apo me mushkëritë, përzieni mjaltë dhe ftua të grirë, lëreni një ditë dhe konsumojeni”, këshillon Joka.

Ftoi gjithashtu redukton ankthin dhe përmirëson gjumin, ndërsa në Greqinë e lashtë simbolizonte pjellorinë. Ky frut përdoret madje edhe si parfum natyral. Sipas Jokës, ftoi ka nivele shumë të ulta të pesticideve, pushi që ai krijon nuk lejon insektet ta përshkojnë, ai ka antioksidantë të shumtë si dhe vitamina dhe minerale.

“Ftoi ul nivelin e helikobakterit, mbron stomakun, ul kolesterolin në gjak si dhe shëron plagët, lëngu i tij është i jashtëzakonshëm. Farat e ftoit janë ilaç i stomakut dhe mëlçisë, i pjekur ose i zjerë, i kombinuar me mjaltë ndikon në forcimin e imunitetit, ndërsa për mëlçinë përziejeni me limon”, thotë nutricionisti Joka.

Ftoi pas vakteve është më shumë se shumë medikamente për refluksin. Ndikon edhe tek serotonina duke rritur nivelin e lumturisë.