A e ka falsifikuar komunizmi
vdekjen e tij më 1991?

A e ka falsifikuar komunizmi<br />vdekjen e tij më 1991?
TIRANE - “A e ka falsifikuar komunizmi vdekjen e vet në vitin 1991?” [Did Communism fake its own death in 1991?], kështu e titullon një studim Xhejzon Meknju. Në një libër të çuditshëm të vitit 1984, ish- majori i KGB-së Anatoli Golicin profetizoi liberalizimin e Bashkimit Sovjetik dhe deklaroi se do të ishte mashtrim strategjik. Le të shqyrtojmë faktet.

“KONVERGJENCA”

Në librin e tij me tematikë spiunazhi titulluar  “Pyka” [Wedge] Mark Ribling [Riebling] thotë se “nga 148 profecitë e Golicinit, që mund të jenë falsifikuar, janë përmbushur 139 deri në fund të vitit 1993 – me shkallë saktësie 94 për qind”. Që nga momenti i botimit të parë të librit “Pykë” në vitin 1994, statistika e Ribling-ut që është nxjerrë nga libri “Gënjeshtra të reja në vend të atyre të vjetra” të Golicinit, është përdorur në disa libra të tjerë dhe artikuj.

Libri “Gënjeshtra të reja në vend të atyre të vjetra” nuk lexohet lehtë. Të gjitha profecitë e Golicinit shfaqen në dy kapitujt e fundit, afërsisht në faqen 327. Golicini e filloi dorëshkrimin në vitin 1968 dhe e përfundoi më 1980, u miratua nga CIA në vitin 1982, e mbaroi  dhe e botoi në vitin 1984 me shtatë faqe shtesë.

Librin e tij të dytë “Mashtrimi i perestrojkës” [The Perestroika Deception] Golicini e botoi në vitin 1991, pas shpërbërjes së BRSS. Ky libër përmbante analizën e mëtejshme të liberalizimit, përveç një memorandumi të hershëm të klasifikuar, që Golicini paraqiti në CIA. Të dy libra duhet të lexohen së bashku për të pasur kështu një tablo të plotë të tezave të Golicinit.

Pavarësisht se për ta shkruar dhe botuar librin “Gënjeshtra të reja në vend të atyre të vjetra” Golicinit iu deshën 22 vjet, ai deklaronte se “thelbi i argumenteve ka ndryshuar pak që nga viti 1968”. E thënë thjesht, pohimi i Golicinit kishte të bënte me faktin se, duke filluar nga viti 1960, Bashkimi Sovjetik ndërmori një strategji të mashtrimit masiv, të përllogaritur për një perspektivë afatgjatë, që do të përfshinte disa dhjetëvjeçarë dhe që do të çonte në shkatërrimin e kapitalizmit perëndimor dhe vendosjen e një qeverie komuniste botërore. Në veprat e tij e quan “konvergjencë” këtë event të ardhshëm.

‘LIBERALIZIMI’

Në faqen 339 ka një sërë profecish të Golicinit:
“‘Liberalizimi’ do të jetë spektakolar dhe mbresëlënës. Mund të bëhen deklarime formale mbi një reduktim të rolit të partisë komuniste: monopoli i saj do të kufizohet në pamje të jashtme. Ndoshta, mund të bëhet një ndarje e shtirur e pushteteve: ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit.

Sovjetit Suprem [parlamenti në epokën sovjetike] do t’i jepet pushtet më i madh në dukje, si dhe do të ndahet funksioni i presidentit të Bashkimit Sovjetik nga ai i sekretarit të parë të partisë. KGB-ja do të “reformohet”. Do të amnistohen disidentët brenda vendit, do të lejohen të kthehen disidentët që janë jashtë në mërgim, dhe disa do të marrin poste drejtuese në qeveri.

Saharovi [Andrei Dmitrieviç Saharov (1921-1989), fizikan atomist i njohur, disident, aktivist i të drejtave të njeriut, Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1975] mund të përfshihet në ndonjë strukturë në qeveri ose të lejohet të jetë këshilltar. Organizatat e krijuesve të artit, kulturës dhe shkencës, të tilla si lidhjet e shkrimtarëve dhe Akademia e Shkencave, me sa duket do të bëhen më të pavarura, po ashtu sindikatat.

Klubet politike do të hapen dhe për ata që nuk janë anëtarë të partisë komuniste. Disidentët kryesorë mund formojnë një ose më shumë parti alternative politike.

Shtetasve sovjetikë do t’u jepet liri më e madhe për të udhëtuar. Do të bëhen ftesa që vëzhgues perëndimorë të vizitojnë Bashkimin Sovjetik, për të qenë kështu dëshmitarë të reformave në veprim”

PRANIMI I RRENAVE

Golicini arrinte në përfundimin se “liberalizimi i rrejshëm do të pranohet si i vërtetë dhe spontan dhe do të fryhet e shpërndahet pa kurrfarë kufizimi nga media”. Këto pesëmbëdhjetë profeci janë nxjerrë vetëm një nga faqe dhe shumica e ngjarjeve janë profetizuar dhjetë vjet përpara.

Veçanërisht të rëndësishme janë profecitë e Golicinit për ndarjen e pushteteve - legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Amerikanët natyrisht do t’i përshëndesnin të tilla reforma në BRSS sinqerisht (dhe pa bërë pyetje). Të bëje të tilla prognoza mbi Bashkimin Sovjetik në vitin 1980 ishte jo më pak absurde se sa ato për Korenë e Veriut sot.

Duke profetizuar ngritjen e Mihail Gorbaçovit, Golicini shkruante [në vitin 1980]:
“Një gjë mund të thuhet me saktësi, se në kongresin tjetër të partisë ose madje më herët, Andropovi [Juri Vladimiroviç Andropov (1914 -1984), sekretar i përgjithshëm i PKBS nga 12 nëntori i vitit 1982 deri sa vdiq 15 muaj më vonë] do të zëvendësohet nga një lider i ri, me një imazh më liberal, i cili do të vazhdojë të ashtuquajturin “liberalizim” në mënyrë më intensive.

Në një memo drejtuar CIA-s, në korrik 1984, Golicini shkruan:
“Strategët sovjetikë mund të zëvendësojnë udhëheqësin e vjetër, Konstantin Çernjenko [(1911-1985), i pesti sekretar i përgjithshëm i PKBS], i cili është në fakt vetëm udhëheqës sa për numër [figurehead] i BRSS-së, me një lider më të ri, i cili është zgjedhur disa kohë më parë si pasues i tij, pikërisht: shoku Gorbaçov. Një nga detyrat parësore të Gorbaçovit do të jetë realizimi i të ashtuquajturit liberalizim”.

Gorbaçovi mori detyrën si udhëheqës i Bashkimit Sovjetik një viti më pas. Golicini profetizoi gjithashtu zëvendësimin eventual të Boris Jelcinit [(1931-2007), i pari President i Federatës Ruse, në vitet 1991-1999], duke përshkruar krizën në Çeçeni “jo si shkak për grusht-shteti ushtarak, por si prelud i mundshëm i planifikuar drejt një ndërrimi qeverie”.

Jelcini dha dorëheqjen papritur në prag të Vitit të Ri 1999, duke vendosur, atëherë ende kryeministër, Vladimir Putinin, në postin e presidentit të Rusisë. Putini u zgjodh vetëm disa muaj më vonë, në një valë në ngritje të frymës nacionaliste ruse për shkak të rifillimit të  veprimeve ushtarake në Çeçeni.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 18.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)