A e ushqeu demokracia MAFIA-n shqiptare, BESA dhe politika sot

A e ushqeu demokracia MAFIA-n shqiptare, BESA dhe politika sot

Foto ilustruese

Pak ditë më parë Roberto Saviano do ta shkruante me shumë trishtim mesazhin e vet: MAFIA është duke e ‘ngrënë’ Evropën dhe përballë këtij realiteti të gjithë po heshtin. Dhe, pastaj shpjegonte se: Sot nuk ishte më ai solidaritet që ekzistonte dikur. Dhe, pastaj vijonte shpjegimi për romanin grafik që e ka bërë me një karikaturist të njohur: Një klithmë e dëshpëruar. Sepse nuk më kanë lënë as të gjallë e as të vdekur. Të thuash që jam gjallë është më tepër shpresa e së ardhmes. Meqë akoma më ke lënë trupin, frymën, tani përpiqem të rikuperoj jetën time.

***

Shkrimi me argumentin për MAFIA-n do të ishte i plotë nëse do të kishte një metodologji, shoqëruar me një analizë cilësore dhe sasiore. Por, janë thjesht pasojat dhe sofistikimi i krimit në vend, që të bëjnë të besosh se MAFIA shqiptare edhe nëse nuk ka një strukturë të centralizuar është prezente fort në vend. Të mjaftojnë killer-at e shumtë, llojet e vrasjeve, shumë atentate të tipit mafioz të pazgjidhura, lumi i drogës dhe kanalet e saj që nga Amerika Latine, emrat shqiptarë të krimit kudo në botë, zhvatjet e pronave etj., etj, që të kuptosh se me çfarë po përballemi. Një specialist Italian e lidhte llojin e MAFIA-s shqiptare me NDRAGETA-ën, jo thjeshtë për llojin antropologjik, ku ajo italiane lidhet me Kalabrinë, një oazi ku jeton prej shekujsh minoriteti me origjinë shqiptare, por edhe Kodin e Heshtjes dhe Besën. Kjo e fundit na vjen në ndihmë sepse i drejtohemi shpesh për të treguar vlerat më të mira të shqiptarëve. Madje, shpëtimin e hebrenjve e lidhim me të, paçka se kohët kanë lënë ende shteg për një studim më të thelluar sesa hebrenjtë u shpëtuan nga BESA. Kjo e fundit përbën një koncept social-kulturor që lidhet me kodin e fjalës së dhënë dhe që ka referenca të vjetra qysh në nivelin historik dhe ato me besimin fetar, me të cilin shqiptarët kanë organizuar jetën e tyre. Në kulturën shqiptare apo në artikuj të ndryshëm sociologjikë, folklor, por edhe në odat e burrave dhe në Kanun, BESA konsiderohet si diçka e shenjtë. Shumë referenca ka për të dhe shqiptarët e përmendin shpesh, paçka se BESA nuk na ndihu në kohë të komunizmit që të mos denonconim, ashtu si do bënim, bashkëatdhetarët tanë.

Po çne BESA të lidhet MAFIA-n, ku kodet e nderit lidhen thjesht me funksionimin e një antropologjie sociale por asesi me mënyrën sesi operojnë organizatat terroriste. “Nuk ka asnjë bazë strategjike. Në Tiranë janë të paktën tre organizata kriminale të strukturuara shumë të fuqishme që e kanë nisur aktivitetin e tyre kriminal tashmë nën regjimin komunist dhe kanë arritur të rezistojnë dhe me rënien e komunizmit janë forcuar shumë për lidhjet e tyre të korrupsionit me politikën dhe biznesin vendas”, shprehej Eksperti i mafieve të reja, Vincenzo Musacchio. Një aludim i frikshëm por që koha po i provon shumë e shumë gjëra.

Statistikat flasin për shumë vepra penale të ndodhura vetëm përgjatë vitit 2021. Në total ndodhën më shumë se 34 mijë të tilla. Kuptohet se Tirana mban numrin më të lartë të tyre me rreth një të tretën e totalit, si rezultat i dendësisë së lartë të popullsisë, por kuptohet se nuk bien poshtë edhe rrethe të tjera. Në fakt, koha ka treguar se një nga arsyet është se pushteti lokal dhe ai qëndror, tashmë të decentralizuara kanë sjellë një mori problematikash, që i shtohen atyre të pushtetit demokratik, ku pabarazia e shpërndarjeve të fondeve dhe projekteve është e dukshme dhe ka sjellë shumë konflikte. Por edhe konflikte të mëdha prej padrejtësive janë shumë prezente dhe përfshijnë çdo segment të jetës, ndërsa autoritetet heshtin dhe ngatërrojnë.

“Një sfidë akoma më e madhe politike për vendet, të cilat kishin duruar dekada nën regjime totalitare, ishte decentralizimi i pushtetit dhe aktivizimi i qeverisjes vendore. Rezultatet kanë qenë të diskutueshme, kurse efektet negative janë lindja e formave të veçanta të mafias politike lokale dhe marrëdhëniet korruptive me biznesmenët vendas”, citohet Daniela Ivanova në punimin “Transitions To Democracy or Transitions to Organized Crime?”

Po MAFIA, në vetvete, si vepron dhe si arriti të ringjallej pas goditjeve që mori nga fashistët në Itali!? Qysh në tranzicionin e fundit të Luftës së Dytë Botërore forcat amerikane do të gjendeshin para një fenomeni të hidhur, pasi do të ndihnin “pa dashje” rikthimin në pushtet të disa nga personazheve të MAFIA-s në krye të pushtetit lokal. Në një film humoristik italo-amerikan, është shfrytëzuar apeli i një ushtaraku, në një fabul të vërtetë, kur ai i drejtohet presidentit amerikan për këtë shqetësim, që do të krijonte aq problem më vonë ngado.

Dhe, ja ku jemi sot, trashëgimia e frikshme ka bërë që MAFIA të jetë ngado. Shqipëria qasjen e ka të dukshme dhe institucionale pas viteve ’90 dhe demokracia në konceptin e një sistemi vlerash, ku populli duhet të mbante pushtetin, do t’i jepte paradoksalisht oksigjen të keqes. Amullia në vend, justifikimet në emër të demokracisë, mungesa e ligjit, amullia e pronave, shteti i korruptuar do të bënin që shumë individë shqiptarë të merrnin kontakt me MAFIA-n ndërkombëtare dhe madje të rekrutoheshin prej tyre. Në ditët tona, MAFIA shqiptare ka zërin e vet dhe madje organizimet e saj por specialistët mbesin në konceptin sesa duhet përcaktuar si MAFIA apo thjesht si pjesë e krimit të organizuar. Krimet në vend, sofistikimi i tyre, lidhjet mes shumë vrasjeve dhe akteve kanë bërë që të besohet se krimi tashmë ka qytetari të plotë.  Për fat, SPAK ka një lloj reagimi ndaj pushtetit lokal dhe po merr shumë nga dosjet por po të marrësh në shqyrtim përcjelljet që bën Kontrolli i Lartë i Shtetit, reagimi duhej të ishte shumë më i fortë dhe tejet më efikas.

“Prokurimi publik është një instrument tregu, të cilit shteti i drejtohet kur dëshiron të realizojë një projekt me rëndësi publike, për të cilin nuk ka kapacitete administrative, menaxheriale, fuqi punëtore apo informacioni. Për shtetet e dobëta neoliberale duhet të jetë mjet relativisht i lirë, i cili i bindet logjikës së tregut: një klient kontrakton për një shërbim, fiton kontraktori më i mirë, kontraktori ka një interes të bëjë mirë punën në mënyrë që të mund të marrë kontrata të ardhshme. Në Evropën Lindore, megjithatë, shteti si rregull humbet nga prokurimet publike, kontraktori nuk është performuesi më i mirë në një tender publik dhe as nuk e bën mirë punën. Arsyet variojnë nga korrupsioni dhe konflikti i interesave te miqësitë e epokës komuniste dhe favoret e zgjedhjeve, por ndryshimi mbetet i vështirë për t’u dalluar”, shkruan te i njëjti punim Daniela Ivanova, duke na treguar një mënyrë sesi MAFIA po e shfrytëzn korrupsionin.

Ndër 193 vendet në mbarë botën të cilat njihen nga Kombet e Bashkuara, duhet sqaruar se plot 123 syresh janë demokratike (www.freedomhouse.org). Pak më shumë se gjysma e këtyre shteteve kanë krijuar një formë qeverisjeje që karakterizohet nga pjesëmarrja e njerëzve në pushtet, por kjo nuk e ka ndalur MAFIA dhe të keqen të jetë ngado dhe të marrë pushtet. Thënia e Abraham Lincoln se “Qeveria e popullit, nga populli dhe për popullin”, tashmë është më shumë koncept sesa realitet, kurse problem është se në demokraci gjithçka është relativizuar. “Logjika është se ai që ekspozon veten shpreson të fitojë diçka dhe për këtë arsye nuk ia vlen të dëgjohet. Pra, ne jemi të gjithë në një vetmi totale. Kam parë gjëra të pabesueshme. Gazetarët polakë i kanë duart e lidhura, hungarezët janë nën presion të pafund, po ashtu edhe shqiptarët. Unë jam dërguar në gjyq nga Matteo Salvini dhe nga Giorgia Meloni. Imagjinoni sikur të kishte ndodhur me Berlusconin: Berlusconi e çon Savianon në gjyq, do të ishte folur kaq shumë në media. Por tani kjo gjë shihet si normale”, shprehet Saviano me një trishtim, pasi bota që idealizoi është thjesht një nocion i pakapshëm dhe gjithmonë e më shumë indiferent. Por në Shqipëri ka pak rëndësi, ne ende flasim për BESË-n edhe pse padrejtësia dhe krimi nuk ndalet. Kjo sepse demokracia e ndih vetë ngado padrejtësinë. Tek e fundit, paradoksalisht a nuk është vetë demokracia ushqyesi kryesor i MAFIA-s?! 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?