A është Serbia masha e Rusisë në Ballkan?

A është Serbia masha e Rusisë në Ballkan?

Vladimir Putin dhe Aleksander Vuçiç

Lufta në Ukrainë ka pështjelluar edhe më tej dinamikat në Ballkanin Perëndimor, duke nxjerrë në pah fërkime të përtërira mes udhëheqësve serbë dhe atyre të vendeve fqinje. Për shembull, në ndjekje të përjashtimit të Federatës Ruse nga Këshilli i Europës – dhe pamundësisë së saj për të ndikuar vendimmarrjen në këtë organizatë – Kosova vendosi të aplikojë për t’u bërë anëtare. Menjëherë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, thirri një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke e akuzuar Kosovën se ka “shkelur brutalisht” marrëveshjen e Uashingtonit.

Aleksander Vuçiç

Dhe ndërsa zhvillimet e fundit në diplomacinë rajonale duken relativisht të reja, krahas një gjallërimi të nacionalistëve serbë në mbështetje të luftës së Putinit, rrënjët e tensioneve rreth marrëdhënieve të Beogradit me Moskën janë të thella dhe të ndërlikuara.

Në mënyrë të përsëritur, qeveria e Albin Kurtit dhe zyrtarë të tjerë të lartë kosovarë, përfshi Presidenten Vjosa Osmani, e kanë akuzuar Serbinë si zgjatim të Rusisë në Ballkan, duke përmendur terma si “agjent”, “satelit”, “kukull”, “tentakula”, apo emërtime të tjera që nënkuptojnë rolin vasal të qeverisë së Aleksandar Vuçiç ndaj regjimit të Kremlinit.

Ndër këto akuza të përsëritura të palës kosovare, mund të veçohet edhe qëndrimi i Kurtit gjatë një interviste për CNN, në fillim të muajit prill. “Serbia do paratë e Evropës, armët e Rusisë, investimet e Kinës. Serbia është në anën e Federatës Ruse. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi vigjilentë… Serbia mund të jetë duke luajtur rolin e një përfaqësuesi rus në Ballkanin Perëndimor”, tha Kurti.

Nga takimi mes Kurtit dhe Vuçiçit në Gjermani

Më herët, në dhjetor të vitit 2021, Kryeministri i Kosovës, në një intervistë për malazezen “Pobjeda”, e akuzoi Serbinë se po sillet si një “Rusi e Vogël” ndaj vendeve të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Ndërsa, në risjelljen e fundit të kësaj teme në diskutimin publik, fill pas darkës së pasuksesshme mes Kurtit dhe Vuçiç në Gjermani, në fillim të muajit prill, Kurti e akuzoi sërish Presidentin Vuçiç se nuk po distancohet nga politika e Slobodan Milosheviçit dhe as nga politika e presidentit rus Vladimir Putin.

Lufta në Ukrainë ftohu Rusinë me Serbinë

Nëse shqyrtohen zhvillimet faktuale të këtij viti, Serbia ka mbajtur një qëndrim të dyzuar mbi Luftën në Ukrainë. Qeveria e Serbisë mbështeti një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 2 mars të këtij viti, ku dënohej pushtimi rus në Ukrainë.

Nga ana e tij, Presidenti Vuçic shprehu “mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës”, por refuzoi të mbështeste sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, duke përmendur se i njëjti vend nuk kishte vendosur sanksione ndaj Serbisë gjatë luftërave në Ballkan, në vitet ’90. “Serbia udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat e saj kur refuzon masat dhe sanksionet e vendosura ndaj çdo vendi”, tha Vuçiç në fund të muajit shkurt.

Vladimir Putin dhe Aleksander Vuçiç

Pavarësisht interpretimeve të ndryshme nga diplomatë dhe analistë, nuk ekzistojnë fakte që mund të dëshmojnë sesi është pritur në Moskë, pozicionimi i mëdyshtë i Serbisë rreth pushtimit rus në Ukrainë dhe pasojave që u shpalosën.

Por, një ftohje e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Serbisë u materializua gjatë muajve të parë të këtij viti, kur Putin nisi të përdorte “pavarësinë e Kosovës” si arsyetim për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase të aneksuara nga Rusia.

“Në një situatë absolutisht të ngjashme me atë në Krime, ata [Perëndimi] e njohën shkëputjen e Kosovës nga Serbia si legjitime, duke arsyetuar se nuk nevojitet leje nga autoriteti qendror i një vendi për një deklaratë të njëanshme pavarësie”, tha Putin në mes të muajit mars.

Nga takimi mes Putin dhe Guterres

Rreth një muaj më vonë, Presidenti Putin e përdori të njëjtën logjikë gjatë një takimi me kreun e OKB-së Antonio Guterres, por kësaj radhe duke hequr një paralele mes Kosovës dhe rajonit të Donbasit. Një sërë mediash serbe pranë Presidenti Vuçiç reaguan ashpër, duke e akuzuar Kremlinin për “braktisje”, “tradhti” dhe “thikë pas shpine” ndaj Serbisë.

Vetë Presidenti i Serbisë tha në fillim të muajit maj se këto deklarata të Putinit e vendosnin Serbinë nën presion gjithnjë e më të madh për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “I gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të lëvizë shpejt drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me çka po ndodh në territorin e Ukrainës”, tha Vuçiç. Zhgënjimi i këtij të fundit me presidentin rus rezonoi qartë kur tha se Serbia po paguan një çmim të lartë edhe për faktin se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Tabloidët serbë akuzuan Putinin për tradhti ndaj kauzës së Kosovës

Të bashkuar kundër Kosovës

Para luftës në Ukrainë, marrëdhëniet e Beogradit me Moskën kanë qenë të ngrohta. Kur në shtator të vitit 2021, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë arritën një pikë të lartë, për shkak të vendosjes së reciprocitetit nga qeveria e Kurtit, mbi targat e automjeteve të regjistruara në Serbi, avionë të ushtrisë serbe fluturuan pranë kufirit me Kosovën për disa ditë me radhë.

Mbetet e paqartë nëse ndonjë nga avionët luftarakë Mig-29 (të përdorur) që Serbia kishte blerë nga Rusia në 2016, morën pjesë në këto shfaqje të forcës ushtarake. Por çka dihet me siguri është që në terren, për të inspektuar trupat serbe pranë kufirit me Kosovën, zbritën ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stevanoviç, Shefi i Shtabit Milan Mojsiloviç dhe Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksander Botsan-Kharchenko.

Ambasadori rus tha se Moska ishte shumë e shqetësuar për ngjarjet në “Kosovën veriore dhe Metohi”, dhe se mbështeste qëndrimet e Beogradit për atë që e quajti një “situatë shumë e rrezikshme”. Ai akuzoi edhe BE-në dhe SHBA-në se po zbatonin standarde të dyfishta.

Pothuajse menjëherë pas manifestimit ajror të Serbisë, helikopterë të KFOR-it fluturuan në anën e kufirit të Kosovës. KFOR-i është forca ndërkombëtare e drejtuar nga NATO për të ruajtur paqen dhe integritetin territorial të Kosovës.

Të paktën publikisht, partnerët perëndimorë nuk mbajtën qëndrime kritike ndaj shfaqjes së ambasadorit rusë në baza ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, në një kohë kur dy vendet ndodheshin në një pikë të lartë tensionesh.

Gara serbe e armatimeve ruse

Ndërkaq, e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s apo me prani të misioneve të saj ushtarake, Serbia ka vazhduar të blejë armatime nga Rusia. Në janar të këtij viti, teksa forcat ruse por grumbulloheshin ndanë kufirit Ukrainës për nisjen e pushtimit, Presidenti Vuçiç inspektoi stërvitjet e trupave serbe me raketa ruse kundërtank të llojit “Kornet”.

Gjatë vitit 2021, Sebia ka blerë një sërë armatimesh nga Rusia, përfshi 30 tanke dhe po kaq mjete të blinduara për transport trupash, helikopterë ushtarakë dhe drone. Pjesë e të njëjtave blerje janë edhe sistemet e sofistikuara ruse të mbrojtjes ajrore “Pantsir”. Vuçiç ka deklaruar se synon të blejë rreth 30 helikopterë gjatë periudhës 2022-2023, shumica prej të cilëve helikopterë ushtarakë rusë.

Aleksandar Vuçiç inspekton armët antitank të blera nga Rusia

Në fillim të muajit prill, nuk kaloi pa u vënë re, mbërritja në Serbi e sistemeve kineze raketore kundërajrore FK-3,e rreze veprimi 150 kilometra, dhe droneve luftarakë CH-92. Vuçiç e quajti mbërritjen e këtyre armatimeve, “krenaria më e re” e ushtrisë serbe.

Përshkallëzimi i blerjeve të armëve të rënda ushtarake nga Serbia ka ngjallur një garë të vërtetë armatimesh në Ballkanin Perëndimor. Kroacia, një vend anëtar i NATO-s, me të cilin Serbia mban marrëdhënie të këqija, njoftoi në nëntor 2021 se do të blinte 12 avionë luftarakë “Rafaele” nga Franca.

Kroacia e ka akuzuar vazhdimisht Serbinë se blerja e këtyre armatimeve cenon stabilitetin e Ballkanit. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është se ndërsa Kroacia pajiset me armatime të NATO-s, Serbia furnizohet me armë nga Rusia dhe Kina, në një kohë kur tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit janë në pikën e tyre më të lartë që nga Lufta e Ftohtë.

Edhe pse zyrtarisht kërkon të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian, Serbia ka refuzuar të rreshtohet në anën e politikës së jashtme të bllokut europian, duke forcuar aleancën me Rusinë dhe Kinën.

E përkëdhelura e BE-së

Pavarësisht këtyre kundërshtive, refuzimeve dhe nxitjes së një gare reale armatimesh në Ballkan, çka nuk pajtohet me parimet e stabilitetit rajonal të BE-së, Serbia ka korrur sukses domethënës në skenën ndërkombëtare, në atë që disa analistë dhe politikanë ballkanas e kanë konsideruar si “shpërblim për sjelljen e saj të keqe”.

Për shembull, Serbia e ka marrë statusin e vendit kandidat në mars të vitit 2012. Në harkun e vetëm 15 muajve, në dhjetor 2013, Këshilli i Bashkimit Europian aprovoi hapjen e negociatave me Serbinë. Vendet e tjera të Ballkanit, përfshi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nuk kanë pasur të njëjtin sukses, pavarësisht qëndrimeve të tyre të qarta pro Bashkimit Europian.

Sipas Delegacionit Europian në Serbi, ky vend ka përfituar rreth 3.7 miliardë euro mbështetje financiare të BE-së në formë grantesh. Ashtu si në Shqipëri, BE-ja është donatori më i madh edhe në Serbi, por ky vend llogaritet të ketë përfituar më shumë mbështetje sesa fqinjët e tij.

Aleksander Vuçiç

Krahasimisht, Kosova nuk ka arritur të sigurojë as liberalizimin e vizave për zonën Shengen, ndonëse i ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE-ja dy herë, si dhe ka ndërmarrë një sërë reformash serioze shtesë. Pavarësisht përmbushjes disafish të kushteve, dhe fjalëve mbështetëse nga zyrtarët e lartë europianë, Kosova vijon të jetë vendi i fundit i izoluar në Ballkanin Perëndimor. Është njëkohësisht vendi me mbështetjen më të lartë për integrimin Euro-Atlantik.

Pavarësisht, bujarisë së bllokut europian ndaj Serbisë së Vuçiçit, dashuria e një pjese të madhe të serbëve i është përkushtuar Rusisë së Putinit. Mijëra serbë marshuan në fillim të marsit në Beograd, në mbështetje të Vladimir Putin dhe pushtimit rus të Ukrainës. Ata mbanin në duar flamuj të Rusisë dhe Serbisë, foto të Putinit, pankarta me shkronjën Z, pishtarë dhe kryqe të mëdhenj.

Tubimi i nacionalistëve serbë në mbështetje të Operacionit Special të Kremlinit

Një protestë kundër luftës, e organizuar më vonë nga të majtët, mblodhi shumë më pak pjesëmarrës. Disa media arsyetuan se frika nga persekutimi prej forcave të djathta mund të kishte ndikuar në numrat modestë të pjesëmarrjes. Por, e majta serbe nuk arrin të sigurojnë as votat e nevojshme për të kaluar pragun elektoral dhe të hyjë në parlament.

Sipas rezultateve të një sondazhi nga IPSOS, të publikuara në prill të këtij viti, 44% e serbëve janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa vetëm 35% e mbështesin. Kjo është hera e parë që shumica e serbëve shprehen kundër anëtarësimit në BE.

Mes Perëndimit dhe Putinit

Dashuria mes Serbisë dhe Rusisë shkon pas në kohë. Prej shekujsh dy vendet kanë kultivuar marrëdhënie vëllazërore, të ndikuara nga trashëgimia e përbashkët sllave-ortodokse, si dhe nga aleancat historike në luftëra botërore. Nga ana tjetër, nafta dhe gazi rus mbajnë në këmbë sektorin energjetik të Serbisë.

Por një pikë e fortë kthese në lidhjet e rigjetura mes Vuçiçit dhe Putinit, si dhe të zgjimit të garës së armatimeve në Serbi, përkon me puçin e dështuar të shërbimeve sekrete ruse në Malin e Zi.

Sipas autoriteteve malazeze, grushti ishte përgatitur për datën 16 tetor 2016, e cila ishte dita e zgjedhjeve parlamentare, dhe shërbimet sekrete ruse kishin planifikuar sulm të armatosur ndaj parlamentit dhe vrasjen e Kryeministrit Gjukanoviç. Qeveria malazeze dhe institucione ndërkombëtare thanë se sulmi në tentativë synonte të parandalonte anëtarësimin e vendit në NATO – diçka që u realizua me sukses në vitin 2017.

Më 24 tetor 2016, Aleksandar Vuçiç deklaroi se autoritetet serbe kishin arrestuar disa persona në lidhje me ngjarjet në Malin e Zi. Ai theksoi se të arrestuarit nuk kishin të bënin me politikanët e asnjërit prej dy shteteve, por kishin lidhje me një vend të tretë.

Nacionalistët pro-serbë në Malin e Zi dogjën flamurin e NATO-s jashtë parlamentit, kur shumica e deputetëve votoi pro anëtarësimit të vendit në Aleancë

Dy ditë më vonë, më 26 tetor, Nikolai Patrushev, Shefi i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, u shfaq në Beograd për të takuar ministrin e Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç. “Propozoj një rijetësim të punës mbi një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Sigurisë të Rusisë dhe Ministrisë së Brendshme Serbe”, tha Patrushev.

Vetëm tri ditë pas vizitës së Patrushevit dhe propozimit të tij për “rijetësim”, disa armë u gjetën të fshehura mes shkurreve pranë një kryqëzimi, ku Kryeministri serb kalonte për të shkuar te rezidenca e tij. Mes tyre, kishte një raketahedhës krahu, granata dore, një pushkë snajper dhe fishekë.

Kryeministri Vuçiç tha se armët gjendeshin aty rastësisht. Megjithatë, pas këtij incidenti, marrëdhëniet serbo-ruse morën një kthesë pozitive. Më 13 dhjetor, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vizitoi Beogradin dhe takoi homologun e tij Ivica Daçiç. Daçiç njoftoi me entuziazëm arritjen e një marrëveshjeje për blerje armësh nga Rusia. Gjithashtu, Daçiç, akuzoi Kroacinë, anëtare e NATO-s, se po ndërtonte arsenal ushtarak për të sulmuar Serbinë.

Më 21 dhjetor 2016, kryeministri Vuçiç fluturoi në Moskë për të takuar Ministrin e Brendshëm rus, Sergei Shoigu, ku ranë dakord që Serbia të blinte gjashtë avionë gjuajtës Mig-29.

Tre muaj më vonë, më 27 mars 2017, Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, shtrënguan duart në Moskë. Putini i uroi publikisht fitoren Vuçiçit. Zgjedhjet në Serbi u mbajtën më 2 prill, vetëm pak ditë pas vizitës në Moskë. Vuçiçi fitoi përsëri.

Satelit apo lojtar?

Gjatë muajve të fundit, një sërë udhëheqësish nga vendet e Ballkanit, përfshi Kurtin dhe Osmanin, kanë thënë për media të huaja se druhen se mos presioni i Kremlinit e shtyn Serbinë në akte destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Qëndrime të tilla, sidomos kur vijnë nga kritikët e Vuçiçit, nuk flasin për një zell të sinqertë të presidentit serb në përmbushjen e synimeve të Kremlinit në rajon – më shumë sugjerojnë një bashkëpunim të imponuar. Një rol në këto presione luajnë edhe nacionalistët serbë, të cilët mbrujnë urrejtje për Perëndimin dhe mbështetje zjarrtë për Rusinë.

Moria e ngjarjeve dhe fakteve rreth marrëdhënieve dhe interesave mes Serbisë dhe Rusisë tregojnë një bashkëpunim të fortë, me rrënjë të vjetra vëllazërore. Megjithatë, faktet, jo interpretimet, nuk e mbështesin tezën që Serbia është vërtet një agjent aktiv i Rusisë në Ballkan.

Në rastin më të mirë, dëshmohet një manovrim i kujdesshëm i Presidentit Vuçiç mes përfitimeve të Perëndimit dhe presioneve të Kremlinit. Nga Perëndimi përfiton para dhe investime – kryesisht europiane – ndërsa në Lindje blen raketa dhe tanke, me një pjesë të parave që siguron nga Perëndimi.

 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç mesazh kërcënues: Jeta është luftë, Serbia do të fitojë

Vuçiç mesazh kërcënues: Jeta është luftë, Serbia do të fitojë