A i kërcënon punonjësit shqiptarë ChatGPT?

A i kërcënon punonjësit shqiptarë ChatGPT?

Foto ilustruese

Që prej dinozaurëve, historia e botës natyrore e njerëzore na ka mësuar se përshtatja me ndryshimet, na shpëton nga humbja. Por, vite më parë, ekzistenca e një aplikacioni si ChatGPT do të na dukej fantashkencë. Që nga prezantimi i tij në nëntor të vitit të kaluar, ChatGPT i OpenAI është përdorur për të shkruar letra motivuese, për të krijuar libra për fëmijë dhe madje për të ndihmuar studentët “të mashtrojnë” me esetë e tyre.

Chatbot mund të jetë më i fuqishëm nga sa e kemi imagjinuar ndonjëherë. Google zbuloi se, në teori, motori i kërkimit do të punësonte robotin si një kodues të nivelit fillestar, nëse intervistohej në kompani. Punonjësit e Amazon, që testuan ChatGPT, thanë se bën një “punë shumë të mirë” për t’iu përgjigjur pyetjeve të shërbimit të mbështetjes së klientit, është “i shkëlqyeshëm” në krijimin e dokumenteve të trajnimit dhe është “shumë i fortë” në përgjigjen e pyetjeve rreth strategjisë së korporatës.

Por rreziqet mbeten se, mund të shërbejë për të mbaruar (ose për të eliminuar) shumë punë. Sipas ekspertëve, ChatGPT është një model gjuhësor që mund të ndihmojë me detyra të ndryshme, si përgjigjja e pyetjeve, krijimi i tekstit e shumë të tjera. Ai nuk është në gjendje të marrë punë në kuptimin tradicional, pasi është një program kompjuterik dhe jo një njeri. Megjithatë, mund të përdoret për të automatizuar disa lloje detyrash, si shkrimi ose futja e të dhënave, të cilat potencialisht mund të çojnë në zhvendosje të punës.

“Ndërsa IA mund të kryejë detyra të caktuara në mënyrë efikase, asaj ende i mungon krijimtaria njerëzore, ndjeshmëria dhe aftësitë e të menduarit kritik. Inteligjenca Artificiale nuk është në gjendje të bëjë gjykime të bazuara në inteligjencën emocionale, as nuk mund të përsërisë ndërveprimet njerëzore dhe aftësitë sociale”, – thotë Tomi Kallanxhi, ekspert i teknologjisë.

“Në vend të kësaj, teknologjitë e IA si ChatGPT janë krijuar për të plotësuar punën e njerëzve, duke ndihmuar dhe duke përmirësuar aftësitë tona në fusha të ndryshme. Për shembull, ChatGPT mund të përdoret për të automatizuar detyrat e përsëritura, duke u dhënë njerëzve më shumë kohë që të fokusohen në detyra më komplekse dhe krijuese. Për më tepër, ChatGPT mund të përdoret për të ofruar përgjigje të shpejta dhe të sakta ndaj pyetjeve rutinë, duke i lejuar përfaqësuesit e shërbimit të klientit të fokusohen në çështje më komplekse dhe të nuancuara”, – vijon ai.

Si përfundim, eksperti sugjeron se, ndërsa teknologjitë e IA si ChatGPT mund të ndikojnë në punë të caktuara, ato nuk do të zëvendësojnë plotësisht punëtorët njerëzorë. Përkundrazi, ato do të vazhdojnë të rrisin aftësitë njerëzore, duke çuar në më shumë produktivitet, efikasitet dhe inovacion.

Por, një raport i fundit i Bankës Goldman Sachs tregon një panoramë krejt të ndryshme. Inteligjenca Artificiale (IA) mund të zëvendësojë 300 milionë vende pune me kohë të plotë. Sipas raportit, aplikacioni në fjalë mund të zëvendësojë një të katërtën e detyrave të punës në SHBA dhe Europë, por mund të nënkuptojë gjithashtu vende të reja pune dhe një bum produktiviteti. Dhe përfundimisht mund të rrisë vlerën totale vjetore të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara globalisht, me 7%.

Si duket situata në vendin tonë?

Ekspertët thonë se duhet të ndodhë një përshtatje. Por, si do të ndodhë kjo përshtatje dhe me çfarë çmimi? Geron Kamberi, ekspert dhe studiues i asociuar në Qendrën për Studime Sociale e Ekonomike (CESS), përtej asaj që një shqiptare si Mira Murati ishte pjesë e stafit krijues, shtron si çështje diskutimi se sa kapacitet ka ky aplikacion që përdor Inteligjencën Artificiale për të zëvendësuar procese pune.

“Është diçka e njohur për të gjithë, termin ‘Inteligjencë Artificiale’ (AI – Artificial Intelligence) kemi filluar ta dëgjojmë gjithnjë e më shpesh kohët e fundit në median elektronike, atë sociale, portale dhe online, apo edhe në biseda që zhvillojmë me njëri-tjetrin.

Makina që lëvizin pa drejtues, trena që ecin pa makinistë, autokombajna që korrin pa fermerë, avionë që transportojnë pa pilot, robotët humanoidë që zëvendësuan procese të ndryshme pune të cilat u shfaqën gjatë Covid-19, makina të programuara që kryejnë procese të ndryshme, janë vetëm disa nga risitë që po sjell Inteligjenca Artificiale.

Nëse shohim edhe debatin që zhvillohet për aplikacionet si OpenAI apo ChatGPT, që mendohet të zëvendësojnë procese pune me karakter analitik në bazë të algoritmeve të ndërlikuara, do të kuptojmë se në një të ardhme jo të largët mund të përballemi me të papritura në fushën e tregut të punës. Kjo edhe për shumë profesione që mund të konsideroheshin të pazëvendësueshme” – thotë z. Kamberi.

Sipas tij, shakaja që qarkullon është se ndoshta njerëzimi vetëm “artin, sportin, gatimin dhe ndonjë operacion…të ndërlikuar mjekësor nuk do t’ia besojë AI”. Përtej shakasë, e gjithë kjo që po ndodh është emërtuar si “Revolucioni IV Industrial”. Dr. Klaus Schwab, inxhinieri e ekonomisti gjerman, si dhe themeluesi e drejtuesi ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, apo siç njihet ndryshe Forumi i Davosit, e ka trajtuar këtë fenomen në dy librat e tij, “Fourth Industrial Revolution” (2016); “Shapping the future of Fourth Industrial Revolution” (2018).

Përtej teorive konspirative që shoqërojnë këtë forum apo themeluesin e tij, realiteti që përjetojmë çdo ditë na vë përballë ritmit të shpejtë me të cilin ndryshojnë gjërat, ku veçanërisht përdorimi i Inteligjencës Artificiale ka një rol parësor.

"Në mënyrë të natyrshme, nga përmbajtja e saj kuptimore, termi nënkupton zhvendosjen e monopolit të dikurshëm të inteligjencës njerëzore te makinat, qofshin ato në formë robotësh apo makina që të mësojnë (machine learning). Në këtë mënyrë, nëpërmjet Inteligjencës Artificiale njerëzimi po zëvendëson procese pune, qofshin ato të karakterit mekanik, por edhe ato me karakter analitik”, – vijon më tej z. Kamberi.

Eksperti thotë se pyetja që shtrohet më shpesh përballë këtij “revolucioni teknologjik” që po ndodh nëpërmjet përdorimit të Inteligjencës Artificiale është nëse sa profesione që aktualisht kryen nga njerëzit do të arrijë të zëvendësojë kjo lloj inteligjence?

“Nëse robotët, makinat inteligjente apo aplikacionet IA në smartphone–t tanë, na zëvendësojnë edhe mënyrën sesi i bëjmë punët ku vëmë në lëvizje trurin, dijen, ekspertizën, analizën, mendimet, a do të na bëjë kjo, ne dhe fëmijët tanë, monotonë, dembelë, të painteresuar të lexojmë e të mësojmë?

A do t’ia lehtësojë jetën shumicës, duke zëvendësuar orët në punë apo në zyrë të njerëzve, e duke menduar profecinë e ekonomistit nobelist, John Kyenes, në vitet 30 “E ardhmja e nipërve tanë”, e cila profetizonte se pas gati 100 vitesh (pra diku rreth 2020), falë teknologjisë, njerëzimi do të kishte nevojë të punonte vetëm tre orë në javë.

Apo do t’i shërbejë vetëm një pakice, duke shpresuar se ajo nuk do të mendojë për pjesën tjetër, ashtu siç profetizon historiani i njohur Yuval Harari, në librin e tij “21 Leksione për shek. XXI”, ku thotë “se ky shekull nuk do të vuajë nga të shfrytëzuarit, por nga të padobishmit”. Siç ka ndodhur në çdo revolucion industrial, ajo që ka vlerë edhe në këtë zhvillim të ri teknologjik është mënyra sesi do të sillen njerëzit me ndryshimin”, përfundon eksperti.

Gerion Treska, mentor në fushën e startup, thotë se, ka shumë arsye që ChatGPT nuk do të jetë një rrezik i drejtpërdrejtë për vendet e punës.

Sipas tij, programit i mungon krijimtaria që vetëm njerëzit do të mund ta japin në vende të ndryshme pune, inteligjenca emocionale, intuita, etika dhe morali dhe në fund, situatat e paparashikuara, të cilat mbeten në dorë menaxhimi nga njerëzit dhe jo makineria.

Ky zhvillim apo të tjerë në të ardhmen, sipas z. Treska, duhet të shihet si mundësi e mirë për përdorim nga njerëzit. Delinda Muçollari, eksperte në fushën e marketingut turistik, thotë se, dy janë sjelljet e konstatuara në lidhje me ChatGPT:

“E para, janë akuza ndaj atyre që përdorin ChatGPT si mjet plagjiature; E dyta, distancim nga përdorimi i ChatGPT në krye të herës si shenjë profesionalizmi. Paqja, sipas meje, qëndron te qasja ndaj kësaj platforme si mjet për të arritur te produkti final dhe jo si zgjidhje. Nëse një student mund të krijojë një temë diplome në disa minuta me ChatGPT, do të thotë që është koha të ndryshojmë formën e vlerësimit të studentëve. Faqe të tëra teorike të diplomave kanë qenë humbje kohe prej shumë vitesh. Një shkrim mediokër pa ChatGPT nuk është më i mirë se një shkrim me ChatGPT. Nuk të mbivlerëson fakti që je munduar më tepër për ca të dhëna publike dhe të gjindshme kurdo. Shkrimet e mira janë ato autentiket, me argumente jopopullore dhe me teza origjinale, që i realizon edhe duke marrë të dhëna nga ChatGPT dhe duke nxjerrë përfundimet e tua. Nuk është mëkat të përdorësh ChatGPT në çdo proces pune. Mëkat është të mos dish si të shfrytëzosh informacionin e dhënë për të transmetuar mesazhin unik që ke për të dhënë, që vetëm ti me inteligjencën tënde, me historinë tënde, me talentet e tua, me aftësinë tënde gjykuese e argumentuese, si askush tjetër, mund ta ofrosh. Këtu qëndron vlera e komunikimit sot, sidomos në marketingun dixhital”, – pohon znj. Muçollari.

Valer Pinderi, sipërmarrës, thotë se, kemi nevojë ta dërgojmë fokusin te ndihma e të rinjve për ta përdorur IA si mjet për t’u bërë sa më shpejt të jetë e mundur ekspertë në këtë risi.

“Për herë të parë nisim një garë në një nivel me të gjithë të rinjtë e botës, është mundësia jonë të bëjmë diçka për të ecur më shpejt se të tjerët në këtë drejtim. Nëse fokusin e çojmë te parandalimi apo e panjohura se çfarë do të ndodhë me këtë teknologji, apo me punët në botë, do të ndikojnë në refuzimin e kësaj risie nga të rinjtë” -sugjeron z. Pinderi.

Përveç plagjiaturës që nënvizohet si problematikë e krijuar nga përdorimi i aplikacionit, një shqetësim tjetër lidhet me sigurinë. Tasim Çarku, ekspert për çështjet e sigurisë, thotë se, një nga shqetësimet kryesore të sigurisë me përdorimin e ChatGPT është rreziku i shkeljeve të të dhënave.

“ChatGPT kërkon sasi të mëdha të dhënash për të trajnuar dhe për të përmirësuar aftësitë e përpunimit të gjuhës, të cilat mund të përfshijnë informacione delikate, si informacione personale, të dhëna financiare dhe informacione konfidenciale biznesi. Nëse këto të dhëna bien në duar të gabuara, mund të shkaktojnë dëm të konsiderueshëm për organizatën, duke përfshirë humbje ekonomike, dëmtim të reputacionit dhe detyrime ligjore.

Një problem tjetër i mundshëm i sigurisë është se kriminelët kibernetikë mund të përdorin aftësinë për të simuluar biseda të ngjashme me njerëzit, për të mashtruar përdoruesit dhe për të fituar akses në të dhëna ose rrjete të ndjeshme.

Për shembull, një haker mund të përdorë një chatbot të mundësuar nga ChatGPT për të mashtruar një punonjës, që të zbulojë informacione të ndjeshme, të tilla si kredencialet e hyrjes ose të dhënat financiare. Organizatat duhet të jenë vigjilente në identifikimin dhe zbutjen e rrezikut të bisedave mashtruese të krijuara nga ChatGPT për të parandaluar këto sulme”- thotë z. Çarku.

Raporti / ChatGPT zëvendëson 300 mln vende pune

Inteligjenca Artificiale (Artificial Intelligence, AI) mund të zëvendësojë 300 milionë vende pune me kohë të plotë, thotë një raport nga banka e investimeve Goldman Sachs. Mund të zëvendësojë një të katërtën e detyrave të punës në SHBA dhe Europë, por mund të nënkuptojë gjithashtu edhe vende të reja pune dhe një bum produktiviteti.

Përfundimisht, mund të rrisë vlerën totale vjetore të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara globalisht me 7%. Inteligjenca Artificiale gjeneruese (Generative AI), e aftë të krijojë përmbajtje të padallueshme nga puna njerëzore, është “një përparim i madh”, thotë raporti.

“Ne duam të sigurohemi që IA është duke plotësuar mënyrën se si ne punojmë në Mbretërinë e Bashkuar, duke mos e prishur atë – duke i bërë punët tona më të mira, në vend që t’i heqim ato”, tha Sekretarja e Teknologjisë, Michelle Donelan.

Raporti vëren se ndikimi i IA do të ndryshojë në sektorë të ndryshëm – 46% e detyrave në administratë dhe 44% në profesionet ligjore mund të automatizohen, por vetëm 6% në ndërtim 4% në mirëmbajtje.

“E vetmja gjë për të cilën jam i sigurt, është se nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa vende pune do të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale gjeneruese”, tha Carl Benedikt Frey, drejtor i ardhshëm i punës në Shkollën Oxford Martin, Universiteti i Oksfordit.

“Ajo që bën ChatGPT, për shembull, është të lejojë më shumë njerëz me aftësi mesatare shkrimi, të botojnë ese dhe artikuj.

“Prandaj, gazetarët do të përballen me më shumë konkurrencë, e cila do të ulte pagat, nëse nuk shohim rritje shumë të ndjeshme të kërkesës për punë të tilla. “Merrni në konsideratë prezantimin e teknologjisë GPS dhe platformave si Uber. Papritur, njohja e të gjitha rrugëve në Londër kishte shumë më pak vlerë – dhe kështu drejtuesit aktualë pësuan ulje të mëdha pagash si përgjigje, prej rreth 10% sipas studimit.

“Rezultati ishte paga më e ulët, jo më pak shoferë”. “Gjatë viteve të ardhshme, IA gjeneruese ka të ngjarë të ketë efekte të ngjashme në një grup më të gjerë detyrash krijuese”.

Sipas studimit të cituar nga raporti, 60% e punëtorëve janë në profesione, që nuk ekzistonin në vitin 1940. Por, studime të tjera sugjerojnë se ndryshimi teknologjik, që nga vitet 1980 i ka zhvendosur punëtorët më shpejt sesa ka krijuar vende pune.

Dhe nëse IA gjenerues është si përparimet e mëparshme të teknologjisë së informacionit, përfundon raporti, ajo mund të zvogëlojë punësimin në një afat të shkurtër. Ne nuk e dimë se si do të evoluojë teknologjia apo se si firmat do ta integrojnë atë në mënyrën se si punojnë.

Kjo nuk do të thotë se IA nuk do të shkatërrojë mënyrën se si ne punojmë – por ne duhet të përqendrohemi gjithashtu në përfitimet e mundshme të standardeve të jetesës, nga puna me produktivitet më të lartë dhe shërbimet më të lira, si dhe rreziku për të mbetur prapa nëse firmat dhe ekonomitë e tjera përshtaten më mirë me ndryshimet teknologjike. / BBC

Cilat punë rrezikohen?

Edukimi – Mësuesit po shohin se rolet e tyre po ndryshojnë thuajse brenda natës. Tashmë është bërë një luftë për të përshtatur metodat e mësimdhënies dhe testimit në përpjekjet për të vazhduar me ChatGPT-në, gjithnjë e më të talentuar, dhe rrezikun me plagjiaturën

Financa: Inteligjenca Artificiale (Artificial Intelligence, AI) si ChatGPT, mund të përdoret në sektorin e financave. Planifikuesit financiarë dhe të tjerët, mund të zëvendësohen nga kjo teknologji. Nëse puna kryhet më shpejt dhe më saktë nga IA, atëherë nuk ka nevojë për një punëtor që kërkon vite të tëra trajnimi.

Inxhinieria e Software-ve: Po, edhe informaticienët janë në rrezik. Programi mund ta bëjë më shpejt dhe pa gabime. Të gjitha faqet e internetit mund të kodohen me ChatGPT. Shumë detyra, që nuk kërkojnë kodim kompleks, mund të zëvendësohen.

Shkrimi: Jo, ChatGPT nuk mund të bëjë ende shkrim krijues, por shkrim bazë? Po. Shumë shkrime nuk kërkojnë shumë mendim.

Shkrimi i një artikulli biznesi me fakte dhe shifra, nuk kërkon që dikush të mendojë për kuptimin e jetës, përpara se të shkruhet. Nëse programi mund të bëjë verifikimin e fakteve dhe burimeve, atëherë shumë më tepër punë shkrimi, do të zhduken. / Marrë nga Monitor.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë