Pak vetë po e kuptojnë prej muajsh gjuhën irracionale të Monika Kryemadhit. Kërcënime, djegie, mafia, protesta... një fjalor prej "gjykatëseje ilegale" që për fat të keq stonon në klimën shqiptare dhe me dëshirën e përgjithshme për t'u përmirësuar, e të gjithë bashkë të shkojmë në atë që ëndërrojmë prej kohëve të kohëve: në qytetërimin e Bashkimit Europian.

Nuk ka popull që më shumë se shqiptarët ka shprehur kaq hapur e qartë ëndrrën për përkatësinë europiane. E kanë bërë intelektualët tanë më të mirë, e bëjmë përditë me mikëpritjen dhe përqafimin e Perëndimit dhe të njerezve të tij.

Monika Kryemadhi e ka me Edi Ramën, dhe kjo është një gjë tipike shqiptare: O unë, o ai. Sa njohim në jetën tonë kolegë, miq, të afërm që në një moment debati e konflikti përfundojnë: O unë, o ai. Dhe shkatërrojnë, si të ishte një mallkim i stërgjatur për ne shqiptarët, çdo miqësi e bashkëpunim.

Kjo është e vetmja gjë që vazhdon të na rrëzojë edhe në momentet më të bukura të arritura: Inati. Perëndimit, jemi të "uritur" dhe  duam t'i marrim çdo të mirë: marrim shijen e kuzhinën, i marrim kollaj mjeshtëritë, tani po bëjmë tonat  rregullat, drejtësinë e shtetformimin... Nuk po arrijmë t'i marrim dot aftësinë e dialogut dhe tolerancën e të braktisim njëherë e përgjithmonë këtë dreq: O unë, o ai.

Kur përplasemi apo debatojmë me dikë, na erret mendja e sytë na erren e nuk arrijmë të dallojmë asgjë të mirë. Çdo gjë nxin.  E pas kësaj shohim vetëm shkatërrim.  E megjithatë, në këtë furtunë plot shi  e rrufe, edhe te Monika Kryemadhi dallohet konstruktivja që në rastin e saj mund të jetë një rifillim.

Ndryshe nga politikanët më ekstremistë që Shqipëria ka njohur, Monika Kryemadhi nuk është e tillë edhe në këtë moment ekstrem të karrierës së saj në politikë. Pavarësisht fjalës që thotë më të madhe se veprimet, ajo ka tiparet e një gruaja "të nxehur" shqiptare, që  e futur  e re e plot pasion në politikë, është e pajisur me elasticitetin e duhur për të qenë konstruktive.

Këtë mund ta konfirmojë kushdo që e ka njohur. Monika Kryemadhi, me gjithë "inatin" e saj, nuk mund të arrijë të jetë përjashtuese dhe mohuese si një pjesë e politikës që njohim mirë e bën përditë. Për shembull, jashtë kamerave nuk është agresive edhe me kundërshtarët e saj politikë, siç po e shohim këto kohët e fundit në publik. E vetme,  vazhdon të ketë një marrëdhënie korrekte edhe me gazetarët, pa dallim, pavarësisht mendimit dhe qëndrimit të ndryshëm politik. Ndryshe edhe nga dy "të rinjtë" të dalë nga gjiri i Sali Berishës, - si Rudina Hajdari, ashtu dhe Astrit Patozi, janë njësoj diskriminues si "babai" i tyre politik me ata që e mendojnë ndryshe, - kryegruaja e LSI-së vazhdon të mbajë një qëndrim profesional pa asnjë implikim personal  e hakmarrës me median.

Inatin "O Edi Rama, o unë" e mban deri tani vetëm me pushtetin politik. Vetëm kur do ta lerë pas krahëve dhe këtë "fiksim", ndoshta politika shqiptare do të ketë shanse të hyjë në një rrugë progresi, pa kthim: Kundërshtarë, por jo armiq. Të gjithë të fokusuar për progresin e Shqipërisë.