A mund të bëjë Kuvendi rolin e gjykatës?

Sot pritet që Gjykata e Lartë të vlerësojë masën e sigurisë për dy deputetët e ndaluar tashmë nga Prokuroria, Tomë Doshi dhe Mark Frroku. Por, në vend të pritet vendimi i kësaj Gjykate, e cila në raste të tilla ka juridiksion fillestar (Neni 141/1 i Kushtetutës), ende vazhdojnë diskutimet, që vënë në dyshim mënyrën e heqjes së imunitetit të deputetëve të lartpërmendur.

Pra, fjala është për mbledhjen e së mërkurës së kësaj jave të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, debatet gjatë punimeve të të cilit nuk ndryshuan rrjedhën e arsyetimeve dhe nuk i ulën tonet as në seancën plenare parlamentare të së enjtes, ku nga opozita u cilësua gjithçka si një farsë.  

Pyetja që zëvendëson titullin e këtij komenti të ‘Shqiptarja.com’ dhe që tashmë ende vërtitet te një pjesë e opinionit publik, më së shumti dhe fillimisht u ngrit nga zhvillimi i mbledhjes së Këshillit parlamentar, e cila në të vërtetë u zgjat më shumë se sa nevojitej.

U zgjat më shumë për faktin se anëtarët e tij nga rradhët e opozitës, ndonëse deklaronin që nuk dëshironin të pengonin punën e prokurorëve, s’rreshtën së kërkuara atyre më shumë të dhëna nga dosjet ndaj Doshit e Frrokut, për t’u dakordësuar me anëtarët e tjerë të Këshillit që t’i raportonin trupës së Kuvendit në seancë plenare mundësinë e heqjes së imunitetit të dy koegëve të tyre.

Ndërkohë, avokatët e të akuzuarve nuk i kursyen fjalimet kilometrike, që herë merrnin trajtën e retorikave boshe dhe herë atë të mbrojtjes në sallat e gjyqeve. Kurse prokurorët e thirrur në atë mbledhje s’u treguan fort “bujarë” për paraqitjen e atyre  provave që hë për hë përbënin sekret të hetimit, por këmbëngulnin që për t’u dhënë autorizimi i nevojshëm, të arsyetohej mbi argumentet e paraqitura në Kërkesën e firmosur prej titullarit të tyre drejtuar organit legjislativ.

Sepse, sipas Nenit 73/2 të Kushtetutës: “Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet”. Për gjithçka ndodhi më tej, në seancën plenare, nuk ia vlen të zgjatemi.

Tani të vijmë te përgjigjja, duke u përpjekur që ajo p p lexuesin të jepet e bazuar dhe në mënyrën më konçize të mundur. Për heqjen e imunitetit, në doktrinën juridike botërore ka dy mendime pak a shumë të kundërta.

Por, ai që është më tepër i përhapur e konsideron paprekshmërinë e deputetit si shmangie nga parimi i përgjithshëm i barazisë së shtetasve përpara ligjit penal dhe, për këtë arsye, ajo nuk duhet të ekzistojë, ose të zbatohet vetëm atëhere kur nevojitet të mbrohen deputetët kundër ndjekjeve të frymëzuara haptazi nga motive politike dhe që synojnë të ushtrojnë presione mbi ‘ta.

Në doktrinën shqiptare të së drejtës kushteuese, që prej 50 vjetësh është mbrojtur ideja që instituti i imunitetit parlamentar të mos përbëjë barrierë ndaluese dhe organi përfaqësues të vendosë heqjen e paprekshmërisë, pavarësisht nga shkalla e rrezikshmërisë së krimit (Shih: Dhimo M. Dhima, E drejta kushtetuese e Republikës Popullore të Shqipërisë, Tiranë 1963, f.235).

Ndërsa gjatë dekadave të fundit vërehet në këtë drejtim një evolucion si në doktrinë, po ashtu edhe në praktikën kushtetuese. Le të kujtojmë atë që në Itali u quajt “një masë historike”, kur aty nga fundi i vitit 1993, Dhoma e deputetëve dhe Senati miratuan ndryshimin e nenit 68 të Kushtetutës Italiane, duke parashikuar që autorizimi i Parlamentit ndaj deputetëve përkatës të kërkohet jo për të filluar çështjen penale, por për arrestimin, bastisjen e zyrës apo të banesës dhe për përgjimin e bidsedave telefonike të tyre. Kjo masë u aplikua edhe në Shqipëri, që me ndërhyrjet e vitit 2008, që iu bënë Kushtetutës edhe për kufizimin e imunitetit parlamentar.

Në rastin që diskutohet këto ditë te ne, Kërkesa drejtuar Kuvendit përmbante dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit të dy deputetëve, për arrestimin, kontrollet e banesave dhe telefonatave të tyre, ashtu siç parashikohet edhe nga legjislacioni në Gadishullin Apenin.

Por, ajo që ka ndezur më së shumti debatet ka të bëjë me faktin, nëse është i detyruar apo jo organi i akuzës për t’i paraqitur Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, përveç kërkesës me dyshime të arsyeshme dhe të mbështetur në prova për heqjen e barrierës së paprekshmërisë, edhe detaje, fakte të veçanta dhe prova aq të bollshme, sa t’i mbushin mendjen edhe çdo anëtari të këtij Këshilli dhe çdo deputeti tjetër kokëngjeshur. Këta të fundit, vërtet që nuk mund të ndalohen të mos miratojnë, nëpërmjet votës së tyre të fshehtë, dhënien e autorizimit përkatës, por sidoqoftë nuk kanë të drejtë të pengojnë kolegët e tyre për të ushtruar një të drejtë kushtetuese.

Aq më tepër kjo mund t’u bëhet e qartë atyre po qe se i hedhin një sy Raportit mbi Shtrirjen dhe Heqjen e Imunitetit Parlamentar, përshtatur nga Komisioni i Venecias dhe i miratuar në seancën plenare të 98 të tij (21-22 Maes 2014). Ende nuk është mbushur viti, që kur nga Strasburgu iu dërgua ky Raport parlamenteve të të gjitha Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës, pra edhe Kuvendit të Shqipërisë, në Arkivin apo në Bibliotekën e të cilit duhet të jetë depozituar.

Konkretisht, në 38 faqet e një Dokumenti të tillë, çdokush mund të gjejë në paragrafët 188 dhe 189 të tij përcaktimin e kritereve për ruajtjen e paprekshmërisë, si edhe ato për heqjen e saj. Dhe, midis këtyre kritereve parashikohen rrethana të caktuara që mundësojnë ruajtjen ose heqjen e paprekshmërisë.

Për shembull, nga këto të fundit mund të veçojmë: kur kërkesa për heqjen ka baza të sinqerta, serioze dhe të drejta; kur kërkesa ka të bëjë me një sjellje kriminale, e cila nuk është e lidhur ngushtë me përmbushjen e funksioneve parlamentare, por ka të bëjë me akte të kryera në lidhje me funksione të tjera personale ose profesionale; kur procedimet duhen lejuar me qëllim mos pengimin e drejtësisë.
 
Më tej, në paragrafin 191 të Raportit jepen edhe disa udhëzime mbi rregullimin e procedurave për heqjen e paprekshmërisë (imunitetit) parlamentare, ku theksohet se: “...të tilla procedura nuk duhet të jenë të ngjashme me procedimet gjyqësore dhe, në asnjë rrethanë, ato nuk duhet të vlerësojnë çështjen e fajësisë, të cilën e vendos vetëm gjykata”.

Pra, përgjigjia e pyetjes në vend të titullit të këtyre rradhëve që po mbyllen këtu, me sa kuptohet qartë është mohuese, domethënë Kuvendi nuk mund të ushtrojë apo të bëjë rolin e gjykatës. Prandaj nuk mbetet veçse të pritet sot vendimi i saj, pa mbushur bisedat dhe mediat me deklarimet, sipas të cilave, për dosjen e deputetëve Doshi dhe Frroku të gjitha procedurat qenkan ‘farsë’, Prokurori i Përgjithshëm ka tejkaluar kompetencat e veta etj., etj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Dëmtohen në të njëjtën kohë, Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli lënë fushën në Serie A

Dëmtohen në të njëjtën kohë, Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli lënë fushën në Serie A