TIRANE-Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin 'Repolitix' të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv kërkoi sonte një pakt kombëtar për të kaluar krizën politike. Ajo tha se opozita ka lëvizur dhe tashmë është Edi Rama, ai që duhet të lëvizë, ndërsa protesta do të vijojë deri në fund. Duke u ndaluar te protesta e 13 prillit dhe skenarët, kryetarja e LSI-së theksoi se "Ka kohë, kemi akoma edhe 8-9 ditë. Shpresoj që pjesëmarrja do të jetë më e madhe. Kauza jonë do të vijojë, edhe si guerrilas. Unë nuk jam më politikane, jam qytetare" tha ajo.

Monika Kryemadhi u shpreh në zgjedhjet lokale do të futet në koalicion me PD-në, por në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, pasi më parë sipas saj duhet të zhvillohen të parakohshmet parlamentare me një qeveri kalimtare. Kryemadhi sulmoi ashpër edhe ndërkombëtarët duke u kërkuar që të mos fusin hundët në punët e brendshme të vendit, disa prej tyre i cilësoi si injorantë, ndërsa kishte një paralajmërim të veçantë për ambasadorin e OSBE-së, pas akuzave të forta në 21 mars. 

"Ai (Bernard Borchardt) ka probleme këtu, duhet të jetë shumë i kujdesshëm se po ti bëhet vettingu atij dhe ndonjë tjetri nuk dihet si del. Duhet të kenë kujdes ambasadorët kur flasin për shqiptarët se nuk janë Zot këtu. Nëse këta ambasadorët që po bëjnë xhiron e velinave të parlamentit, pasi futja e hundëve në punët e një shteti dhe ngatërrimi me segmente anti shqiptare është shumë e rrezikshme.

Ndërkombëtarët janë bërë qesharakë këtu. Për vettingun kemi bërë propozime në ligj, por e kanë hedhur nuk e kanë pranuar. Njoftuam ambasadat, por të kthejnë përgjigje si intelektualë, kokrrat e injorantëve nuk kanë mbaruar shkollën akoma, këta që bëjnë si ekspertë të zgjuar shumë këta ndërkombëtarët" deklaroi Kryemadhi. Një pjesë e opinionit dhe politikës kanë akuzuar për ndërhyrje nga jashtë për destabilitet, pasi si në Shqipëri dhe në Serbi po zhvillohen protesta në të njëjtën kohë, por a është kjo rastësi apo koordinim? "Nuk mendoj se është rastësi, por ndërgjegje publike dhe qytetare" tha ajo.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:19
Kryemadhi: Dashuria mbaroi, Rama në panik, fidanë të rinj në bahçen e PS-së...

Kryeministri Rama e ironizon thuajse në cdo takim kryetaren e LSI-së, por Monika Kryemadhi sonte zbuloi sipas saj se përse e bën një gjë të tillë. Kryemadhi tha se koha e dashurisë me Ramën mbaroi dhe se tani ka filluar koha e drejtësisë. "Rama më sulmon sepse ai nuk ka respekt për gratë. Nuk është më cështje batutash, ai e di që është fundi. Kush e njeh Ramën e di që është shumë keq, nervoz, në panik dhe makth. Të tëra këto i krijojnë oshilacione mendore dhe mbledh administratën atje.

Është plakur, vjetruar sepse fidan të rinj po lulëzojnë në jetën politike, në bahçen e PS-së, Lali Eri, Bushati, Gjiknuri, që po e konkurrojnë. Unë nuk kam qenë dhe nuk jam e varfër, kam një familje të mrekullueshme. Kam një bashkëshort shumë të mirë që i njeh fëmijët e tij dhe i ngjajnë, kam edhe një familje që i duam prindërit tanë, edhe ata që nuk janë gjallë edhe ata që janë. Një njeri që nuk ka respekt për familjen e vet nuk pres dhe nuk duam të më respektojë mua. Koha e dashurisë mbaroi, tani ka filluar koha e drejtësisë
" tha ajo.

Ora 22:08
Zyrtari i lartë i SHBA në Tiranë, Kryemadhi: Nuk më intimidon

Zëvendës Ndihmës Sekretari në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së Matthew Palmer në kuadër të një turi në Ballkan do të vijë edhe në Tiranë më 9 Prill ku do të takojë liderët e politikës shqiptare me qëllim zgjidhjen e krizës. Por a do të hyjë LSI-ja në zgjedhje nëse e kërkon SHBA-ja?

"Pamler do të ketë takim edhe në zyrën e LSI-së. Unë respektoj SHBA-në, nuk bëj marrëdhënie personale, por institucionale. Do të vijë të negocioj, të bisedoj dhe të njihet, por nuk më intimidon. Kur më mori në telefon, Palmer më tha; mos i digjni mandatet. Unë i thashë Palmerit se mandatet i kemi dorëzuar dhe kemi 30 ditë kohë. Nëse Rama kishte hallin e reformave dhe demokracisë e kishte shansin për të mos e shkelur parlamentin" tha ajo.  

Ora 21:53
Kryemadhi: Po zgjedhim kandidatët, do futemi me PD-në, por në 30 Qershor s'ka zgjedhje

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se partia që drejton ka nisur punën për zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme, por shton se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, pasi Rama do të tërhiqet.

"Nuk ka 30 qershor, do të tërhiqet Rama vetë, se nuk ka zgjedhje pa opozitën. Ne po identifikojmë kandidatët për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, kemi nisur procesin e vettingut për kandidatët, në krye të kësaj strukture është Klajda Gjosha.

Jemi në përgatitje të gjetjes së emrit të një koalicioni për zgjedhjet. Ne jemi në diskutime dhe do të shkojmë me kandidatë të përbashkët me PD-në. Ne si LSI jemi duke përpunuar programin. Ne kemi rënë dakord me Bashën, jemi në proces të përpunimit të materialeve tona
" tha ajo.

Ora 21:42
Kryemadhi sulmon ambasadorët: Kokrrat e injorantëve, mos fusin hundët, Borchardt të bëjë kujdes

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka sulmuar sërish ambasadorët. Ajo u kërkoi që të mos fusin hundët në punët e brendshme, ndërsa disa prej përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare i cilësoi si injorantë. Në datë 21 mars, Kryemadhi lëshoi akuza të forta në drejtim të ambasadorit të OSBE-së ku tha se "unë nuk përgjigjem për njerëz të cilët e shikojnë Shqipërinë si parajsë të seksit dhe parasë", ndërsa sonte kishte edhe një paralajmërim për Bernard Borchardt.

"Ai (Bernard Borchardt) ka probleme këtu, duhet të jetë shumë i kujdesshëm se po ti bëhet vettingu atij dhe ndonjë tjetri nuk dihet si del. Shqiptarët nuk janë qen dhe mace dhe të bëjë si të gojë ai, se këtu është buka dhe jeta e shqiptarëve, ai ikën dhe nuk e kthen më kokën pas.

Duhet të kenë kujdes ambasadorët kur flasin për shqiptarët se nuk janë Zot këtu. Meta, Rama dhe Basha e kanë tjetër gjuhën me ndërkombëtarët, ndërsa unë tjetër dhe do e coj deri në fund. Nëse këta ambasadorët që po bëjnë xhiron e velinave të parlamentit, pasi futja e hundëve në punët e një shteti dhe ngatërrimi me segmente anti shqiptare është shumë e rrezikshme. 

Ndërkombëtarët janë bërë qesharakë këtu. Kam shumë miq që janë ambasadorë, që janë shumë të mirë dhe pozitiv, por veprimet e 2-3 njerëzve që janë emocionalë u prishin punë. Për vettingun kemi bërë propozime në ligj, por e kanë hedhur nuk e kanë pranuar. Njoftuam ambasadat, por të kthejnë përgjigje si intelektualë, kokrrat e injorantëve nuk kanë mbaruar shkollën akoma, këta që bëjnë si ekspertë të zgjuar shumë këta ndërkombëtarët
" deklaroi Kryemadhi.

Ora 21:33
Takimi Meta-Basha në Presidencë/ Kryemadhi tregon detajet

Lulzim Basha të martën e kaluar zhvilloi një takim me Presidentin Ilir Meta, ndërsa në qendër të bisedës ishte situata politike. "E dëgjova dje nga Basha. Takimin e kërkoi Basha. Unë nuk e kam pyetur Ilirin. Nuk dua të ngatërroj. Unë si kryetare e LSI-së nuk e kam takuar Presidentin, por si kryetare e LSI-së jo, nuk kam ndërmend. Rama flet di budalla, është i larguar. Tryeza e politikës ka qëllim që t'u japë shqiptarëve një parlament legjitim. Duhet një pakt kombëtar, ne kemi lëvizur, tani duhet të lëvizë ai. Ai të ikë nga qeveria, socialistët të marrin në dorë qeverinë për të cuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Vucici i shpalli zgjedhjet e parakohshme, të duket gjë budalla? Ky i joni është trupi pyll e mendja fyll. Vucici për të shpëtuar partinë dhe integritetin e vendit shpalli zgjedhje të parakohshme".

Ora 21:23
Monika Kryemadhi tregon a janë shkrirë akujt mes Metës dhe Ramës

Në vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, presidenti dhe kryeministri shtrënguan duart duke 'harruar' për pak momente deklaratat e forta që kanë shkëmbyer në muajt e fundit. Por a janë shkrirë akujt mes Metës dhe Ramës pas takimit të fundit? "Nuk besoj, është marrëdhënia e tyre, as nuk dua ta komentoj" tha Kryemadhi sonte në Repolitix.

Ora 21:18
Kryetarja e LSI: Ja përse nuk u konsultova me Metën për djegien e mandateve

Presidenti Ilir Meta kritikoi vendimin ekstrem të opozitës për të djegur mandatet. Por a është konsultuar Monika Kryemadhi me bashkëshortin që është në krye të shtetit? "Jo! Secili ka mendimin e tij. Ne kemi këndvështrimin tonë, ka qenë vendim grupi. Nuk jam konsultuar për djegien e mandateve. Ilir Meta është gjithmonë kundër djegies së mandateve dhe bojkoteve, është institucional, shtetar".

Ora 21:07
Kryemadhi zbulon një gjë të mirë që vlerëson te Edi Rama

Monika Kryemadhi thotë se Rama është shumë i mirë për të qenë menaxher për të zbukuruar fasadat. "Me përjashtim të Majkos dhe Braçes në qeveri nuk ka asnjë socialist. Kemi bashkëpunuar me Ramën, në tre fushata, në një që nuk isha, në 2011 ai humbi. Rama është shumë i mirë për të qenë menaxher për të zbukuruar fasadat, por politikisht është arrogant dhe kriminal" tha ajo.

Ora 21:06
Hapje të negociatave në qershor? Kryemadhi: Shqipërisë i shtohet edhe një kusht

Në qershor, Shqipëria pret hapjen e negociatave, por kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nuk është optimiste se do të ndodhë një gjë të tillë. Ajo thotë se Shqipërisë do i shtohet edhe një kusht. "Ata nesër kur të hetojnë se paratë e tyre që janë vjedhur në Shqipëri, do të mbajnë përgjegjësi edhe fëmijët e shqiptarëve. Një gabim që bën një ambasador këtu, kostoja është e shqiptarëve. Sipas Ramës dhe Flekenshtain ne i kemi hapur negociatat. Hahn thotë prapë do e bëjmë rekomandimin, se është i detyruar, por do të shtojnë edhe ca kushte të tjera, azilkërkuesit. Hahn pas datës 23 maj nuk është më dhe cilat do të jenë raportet që do të ketë KE-ja? Ministri holandez i futi një kërbaç Shqipërisë" tha ajo.

Ora 20:57
Kryemadhi: Kryetarja e bashkisë së Roskovecit duhet të hetohet në SHBA

Monika Kryemadhi lëshoi akuza të forta në drejtim të kryetares së bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e zgjedhur nga PS-ja. "Nuk më surprizon ai mua se ai nuk është më në habitatin e vetë, ai ka dalë jashtë habitatit njerëzor. Ai është në një habitat që jeton në një realitet tjetër me veten e tij dhe njerëzit e tjerë jetojnë në një realitet tjetër. Dhe po të shkosh sot në Roskovec do shikosh që jo vetëm Toskana nuk është por një popull që jeton në grabitjen, në nënshtrimin, nën dhunimin dhe nën presionin e një grupi kriminal që drejtohet nga një Kryetar Bashkie që duhet të ndiqet në SHBA për pastrim parash. Shikoni krushkun e zonjës që është Kryetare Bashkie si i shkojnë paratë në llogarinë bankare. Amerikanët kanë një gjë tjetër, në momentin që të bëhen shumë paratë ti marrin pastaj. E ka provuar Edi Rama dhe e di shumë mirë çfarë do të thotë të të sekuestrojnë paratë në Amerikë" tha ajo.

Ora 20:54
Kryemadhi: Jam penduar që votuam 7 ligjet e drejtësisë, të huajt burokratë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh sonte se është penduar se ka votuar 7 ligjet e reformës në drejtësi në datë 30 mars të vitit 2017. "A jeni penduar? Unë po. Sepse problemet që ngriti PD-ja kanë dalë të vërteta sot, po të kishim reflektuar në propozimet e PD-së do të kishim një SPAK dhe Byronë të ngritur. Nuk do të ishim në kushtet që jemi sot, pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese. 7 ligjet vonuan të gjithë procesin. Ndërkombëtarët kanë harxhuar mbi 40 mln euro dhe kanë mashtruar veten e tyre. Teknikë, burokratë" tha ajo.