A u lodhe KQZ

A u lodhe KQZ
Ujku do mjegull. Kjo fjalë e urtë më së miri e shpjegon punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në raport me partitë politike në vend. Nëntë ditë pas zgjedhjeve, KQZ-ja nuk po mundet të dalë me të dhëna zyrtare rreth procesit zgjedhor, për zgjedhjet nacionale në vend, të cilat u mbajtën më 8 qershor të këtij viti.

Dikush po e shfrytëzon mjegullën për t’ia zgjatur vetes “jetën”, ndërkaq dikush tjetër përmes kësaj (mjegullës) po tenton të bëhet pjesë e Parlamentit të Kosovës.

Procesi i numërimit filloi menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit, gjatë tërë natës, por edhe ditës së nesërme procesi eci nëpër rrugë normale. Mirëpo, tek pastaj ai u frenua nga drejtuesit e institucionit që organizon zgjedhjet në vend.

Zvarritja, me apo pa qëllim, mund ta lëndojë procesin, i cili është vlerësuar ndër më demokratikët në Kosovën e pasluftës, ku parregullsitë së paku të evidentuara ishin të vogla. Në parim pjesa dërmuese e votave ishin numëruar në ditën e parë dhe të dytë të numërimit. Ndërkaq, në ditët tjera po numërohen votat me kusht që llogaritet të jenë rreth 24 mijë.

Në kushte dhe rrethana normale një javë kohë është komoditet i tepruar për numërim të tyre, sepse kur kanë mundur t’i numërojnë rreth 700 mijë për dy ditë, 24 mijë sa llogaritet të jenë me kusht kanë mundur t’i numërojnë për disa orë. Mospublikimi i rezultate de fakto po shkakton kunfuzitet dhe probleme në funksionimin e institucioneve, pasi që çdo humbje kohë në krijimin e qeverisë së re është me vlerë, sidomos në kohën kur Kosova është dashur të shndërrohet në një kantier të madh ndërtimi, kryesisht me punë publike (ndërtim të rrugëve, shkollave, por edhe projekteve tjera që janë në shërbim të komunitetit).

Zvarritja e kohës në kushte normale do të shkonte në favor të partisë më të madhe që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit (Partisë Demokratike të Kosovës), mirëpo, në dëm të qytetarëve të Kosovës. PDK-ja ka interes që të blejë sa më shumë kohë deri në certifikim të rezultateve, pasi që më pastaj ajo e ka afatin e kufizuar ligjor për formimin e qeverisë e që në vendin tonë është 15 ditë. Po ashtu, PDK-së i konvenon zvarritja e procesit, pasi që ajo edhe aktualisht është duke menaxhuar institucionet e larta të shtetit.

Një element tjetër që po e vonon publikimin e rezultateve të zgjedhjeve mund të jetë edhe kontrabandimi i disa votave për interes të Aleancës Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit. Kësaj të fundit i duhet një “infuzion” për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ky do të ishte shansi i fundit për Pacollin dhe partinë e tij.

Mirëpo, së paku deri më tash një gjë e tillë është mohuar kategorikisht nga zyrtarët e KQZ-së.

Kështu që çfarëdo ndryshimi i rezultateve preliminare të bëra publike kohë më parë do të ishte një mesazh shumë i qartë se në fund zgjedhjet u manipuluan jo si më parë nga partitë politike, por pikërisht nga ata që i organizojnë ato.

Tek e fundit procesi i zgjedhjeve ka nisur mirë, ka ecur mirë, është vlerësuar mirë, por po tenton të mbyllet keq. Të gjitha palët e involvuara në këtë proces e dhanë provimin, përjashto KQZ-në, e cila me apo pa dashje po bëhet pretekst për njollosjen e zgjedhjeve ndër më demokratiket dhe më të rregulltat në vend.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS