TIRANE - Deputeti i Partisë Demokratike në zonën e Beratit Astrit Veliaj, rezulton të mos e ketë për herë të parë përballjen me drejtësinë me akuzën e ndërtimit të paligjshëm. Një ditë pas marrjes si të pandehur nga Prokuroria e Pergjithshme të zotit Veliaj, A1Report ka mundur të sigurojë një vendim dhënë nga Gjykata e Beratit në vitin 2011, e cila në cilësinë e administratorit të UFO sh.p.k e dënoi me gjobë për ndërtim te paligjshem dhe prishje te rrjetit elektrik,

...
Deputeti demokrat Astrit Veliaj i vënë nën akuzë nga Prokuroria e Përgjithshme për ndërtim të paligjshëm të filialit të universitetit UFO në qytetin e Fierit, rezulton i dënuar nga Gjykata për një tjetër ndërtim të jashtëligjshëm.

Televizioni A1 REPORT siguron vendimin e Gjykatës së Beratit dhënë më 1 Qershor të 2011. Nga vendimi dhënë nga gjyqtari Pëllumb Zaimi, rezulton se për ndërtimin e godinës së filialit të Universitetit UFO në Berat, ky institucion në adminsitrimin e deputetit demokrat, është gjetur fajtor për ndërtim të paligjshëm dhe prishje të rrejtit elektrik.

Në atë periudhë, prokuroria e Beratit që hetoi ngjarjen, përjashtoi nga përgjegjësia penale administratorin Astrit Veliaj dhe në rregjistrin e të pandehurve shënoi emrin e subjektit tregtar “UFO Sh.p.k”, duke e akuzuar këtë subjekt për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Shkatërimit të rrjetit elektrik”.​

E pikërisht këto dy vepra penale janë dënuar me gjobë, ku në bashkim të tyre gjykata ka vendosur dënimin me 600.000 lekë.

A1 REPORT mëson gjithashtu se administratori i UFO shpk, apeloi dënimin e dhënë ndaj tij, por Gjykata e Apelit më 22 nëntor 2012 la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Kontaktuar nga A1Report, Gjykata e Beratit sqaron se në vitin 2011 kur është zhvilluar procesi gjyqësor dhe është konsumuar vepra penale, ka rezultuar administrator i UFO shpk Astrit Veliaj, fakt ky fakt që vërtetohet dhe nga ekstrakti historik në qendrën kombëtare të regjistrimeve, ku Veliaj është larguar në Korrik të vitit 2013 si administrator, kohë që është zgjedhur deputet i PD-se në Parlament

Ishte Prokuroria e Përgjithshme e cila bëri publike të martën se deputeti demokrat është marrë i pandehur nën akuzën se ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme godinën e universitetit UFO në Fier dhe ka shkatërruar zyrat që përdoreshin më herët nga Drejtoria e Policisë së këtij qytetit. Sakaq, në një lidhje telefonike për A1 REPORT deputeti demokrat Astrit Veliaj i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij duke e vlerësuar këtë vendim si “goditje ndaj biznesmenëve të ndershëm”.

Ja akuzat e ngritura nga Prokuroria e Pergjithshme per deputetin e PD Astrit Veliu

Precedenti, Veliaj do të kërkojë pafajësinë në gjykatë
Astrit Veliaj pritet të dalë para Gjykatës së Lartë, ku do kërkojë pafajësinë e tij për dy akuzët e ngritura nga prokuroria e Përgjithshme.

Sipas akuzës Veliaj ka ndërtuar kompleksin universitar në qytetin e Fierit, duke prishur disa objekte të Ministrisë së Brendshme, objekte këto që janë vlerësuar me një shumë financiare mbi 100 milion lekë të vjetra.

FOTO/ Vendimi i Gjykates se Beratit qe denoi me gjobe UFO shpk ne vitin 2011vendimi gjykates me logo
vendimi gjykates me logo

Veliaj pranoi krimin
Ish-administratori i “UFO Sh.p.k”, sot deputet i Partisë Demokratike gjatë seancave gjyqësore, nëpërmjet avokatit të tij Arenc Berati, ka kërkuar që dosja të gjykohet duke aplikuar nenin 406 të K.Pr.Penale, me qëllim përfitimin e uljes së 1/3 të masës së dënimit. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata, ndërkohë që përfaqësuesi i prokurorisë së Beratit gjatë dhënies së pretencës së tij, ka kërkuar dënimin e subjektit “UFO Sh.p.k”, për akuzën e “Ndërtimit të paligjshëm” me 7 milionë lekë të vjetra dhe me 6 milion lekë të vjetra për akuzën e “Shkatërimit të rrjetit elektrik”.

Në përfundim të pretencës, prokurori ka kërkuar bashkimin e dënimin, duke i pohuar gjykatës që dënimi përfundimtar për “UFO Sh.p.k”, të jetë me 10 milion lekë të vjetra. Pavarësisht kësaj kërkese gjykata e Beratit duke respektuar uljen e dënimit me masën 1/3 të dënimit, ka shpallur fajtor dhe ka dënuar subjektin “UFO Sh.p.k”, me 6 milion lekë të vjetra.

Administratore gruaja
Që prej korrikut 2013, Astrit Veliaj është tërhequr “de jure” nga drejtimi i universitetit “UFO” dhe se posti i tij është zëvendësuar nga bashkëshortja Adelina Veliaj. Ky vendim është marrë nga Veliaj menjëherë pasi ai ka fituar mandatin e deputetit të Partisë Demokratike në Berat. Që prej kësaj kohe, Veliaj qëndron si “de fakto” drejtues i këtij biznesi ndërkohë që “de jure” njihet si pronare gruaja e tij Adelina Veliaj.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)