Vjedhja e mbi 713 milionë lekëve nga thesari i Shtetit në Linzë, nuk do të ndikojë në aktivitetin e bankave tregtare në vend, apo me furnizimin me para.
 
Në një deklaratë zyrtare të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) sqarohet se: “Duke marrë shkas nga reflektimi i vazhdueshëm në media i konstatimeve të parregullsive në funksionimin e disa aktiviteteve në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, dëshiron të sigurojë publikun, dhe veçanërisht klientët e bankave tregtare në vend, se aktiviteti i bankave tregtare vijon normalisht dhe parregullsitë e lartpërmendura nuk ndikojnë në aktivitetet e tyre operacionale, apo furnizimin me mjete monetare”.
 
Sistemi financiar, sipas AAB, ka ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar vazhdimin normal të veprimtarisë për furnizimin me likuiditet të tregut ndërbankar. “Ndërkohë që bankat tregtare janë gjithmonë të angazhuara të zbatojnë me përpikmëri kuadrin rregullativ dhe masat e nevojshme për realizimin e funksioneve të sigurimit dhe mbrojtjes”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)